Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eksklusive: Rafineria e Cerrikut jepet me koncesion, Dritan Prifti nje nga ideatoret!

Me nje vendim te djeshem, qeveria ka percaktuar autoritetin kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion, të formës “ROT” (Reabilitim, Operim dhe Transferim), të Rafinerisë së Naftës Cërrik e cila është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Gjithashtu Keshilli i Ministrave ka miratuar bonusin prej 3 pikësh për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pakërkuar) për dhënien me koncesion të Rafinerisë së Naftës Cërrik, që i jepet konsorciumit të shoqërive “DAST” sh.a., Durrës, “DELTA” sh.a., Durrës dhe “S.T.N.P.M”, sh.p.k., Tiranë.

Nder te paret kete ide e ka propozuar ish Ministri i Ekonomise Dritan Prifti, i cili ne seancen parlamentare te 8 korrikut 2010 deklaroi (faqja 46) nder te tjera se “privatizimi i Albpetrol-it ka për të ndikuar jashtë mase pozitivisht në sektorin e hidrokarbureve në vend, jo vetëm duke shumëfishuar prodhimin, duke shumëfishuar të ardhurat që vijnë në vend, por duke ndikuar sigurisht për të vënë në punë edhe një rafineri të re në Porto-Romano, për të rivënë në punë rafinerinë e Cërrikut, pse jo për ta rivënë në punë edhe rafinerinë e Kuçovës, për t’u rritur numri i të punësuarve në sektorin e hidrokarbureve në vend“.

Menjehere mbas tij, Ministri i ri i Ekonomise Ilir Meta e konfirmoi gjithashtu kete fakt ne seancen parlamentare te 18 nentorit 2010 ku deklaroi nder te tjera se “Lidhur me shqetësimin tuaj të ngritur këtu për çështjen e rafinerisë unë do t’ju siguroj këtu që ministria e Ekonomisë ka nisur procedurat për të vënë në punë rafinerinë e Cërrikut në mënyrë shumë transparente dhe për të liberalizuar këtë treg shumë të rëndësishëm për përpunimin e naftës në vend“.

Ne vazhdim te deklaratave te mesiperme, ne mes te vitit 2011, Ministria e Ekonomisë perpiloi nje liste objektesh per privatizim, ku binte ne sy dhe rafineria e Cerrikut, e cila nuk vihej ne pune per me shume se 10 vjet.

Ajo qe nuk kuptohet nga gjithe kjo histori eshte fakti qe perse nje rafineri e re do te jete e sukseshme kur ato ekzistueset akoma nuk shfrytezohen me kapacitet te plote. Sidoqofte, i vetmi fakt pozitiv mbetet perpunimi i naftes bruto ne vend, duke perfituar nga efekti zinxhir i vertikalizimit te industrise se naftes.

energjia.al, 24.01.2013

VENDIM  PËR PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES PËR DHËNIEN ME KONCESION TË RAFINERISË SË NAFTËS CËRRIK DHE MIRATIMIN E BONUSIT, NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 3, e 23, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit e ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion, të formës “ROT” (Reabilitim, Operim dhe Transferim), të Rafinerisë së Naftës Cërrik është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
2. Miratimin e bonusit prej 3 (tre) pikëve për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pakërkuar) për dhënien me koncesion të Rafinerisë së Naftës Cërrik, që i jepet konsorciumit të shoqërive “DAST”, sh.a., Durrës, “DELTA”, sh.a., Durrës, dhe “S.T.N.P.M”, sh.p.k., Tiranë.
3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij  vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi  pas botimit  në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
SALI  BERISHA