Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Reforma në energjitikë

Intervista e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri dhënë për televizionin Vizion Plus.

Zoti Ministër, duke qenë se marrëveshja me palën çeke tashmë është arritur e ndërsa pritet të miratohet edhe në parlament, çfarë mund të themi për sektorin e energjisë në Shqipëria? Cila është e ardhmja?
Sektori energjisë është tashmë në një situatë të vështirë, këtë e dinë tashmë të gjithë shqiptarët. Ka qenë i vështirë gjatë gjithë kohës, por është përkeqësuar gjatë viteve të fundit duke akumuluar shumë borxhe dhe duke qenë në një situatë të pasigurtë. Është shumë e rëndësishme që zgjidhja e konfliktit i jep mundësi shtetit shqiptar që të ketë në kontroll kompaninë, hap mundësinë për investime në këtë sektor dhe ristrukturimin e tij. Sektori ka nevojë për reforma të thella, gjë që nuk mund të bëhej pa zgjidhur situatën juridike me CEZ-in. Me marrjen nën kontroll nga ana e shtetit do të fillojmë me ristrukturimin e kompanisë, investimet në këtë sektor, pasi ka shumë vite që nuk investohet, gjë që është përkthyer edhe në një cilësi shërbimi më të keqe dhe rritje të vjedhjeve të energjisë. Po negociojmë një kredi të madhe me Bankën Botërore që mund të shkojë deri në 150 milion dollarë, si dhe kemi disa donatorë të tjerë, institucione financiare, të cilët janë të gatshëm të investojmë, sidomos në sektorin e shpërndarjes. Pra, perspektiva me pak fjalë do të jetë, reformë ligjore, që do të thotë hapja e rrugës së liberalizmit për një pjesë të klientëve, një proces i cili do të marrë disa vite. E dyta, komercalizimi i ekonomisë, nëpërmjet një menaxhimi më profesional dhe më llogaridhënës përpara publikut. Hapja e rrugës është mbështetja nga institucionet  financiare, dalja në tregjet financiare dhe kjo do të jetë një masë shumë e rëndësishme për sektorin. Do të bëjmë disa politika të tjera që kanë të bëjnë me gjithë modelin e tregut shqiptar, ku patjetër ndikim do të ketë edhe tek sektori i shpërndarjes.

Nëse flasim tek pjesa e reformës ligjore, do të vihen para drejtësisë, do të ketë ndjekej penale për ata të cilët nuk paguajnë energjinë. Përveç kësaj, ka edhe diçka tjetër, le të hyjmë edhe tek pjesa e ndarjes së modelit të tregut për konsumatorin familjar dhe konsumatorin privat…
Kur thashë reformë ligjore, e kisha fjalën për reformën ligjore në sektor, jo për masat të cilat do të shërbejnë për reduktimin e fenomenit të vjedhjes apo abuzimit. Këto janë masa që ne i kemi marrë një pjesë me vendime qeverie. Të gjitha këto do të vlejnë më shumë ose do të jenë instrumente më të forta ligjore për të goditur fenomenin e abuzimit. Por, nga ana tjetër po flas për reformë ligjore në sektor. Është duke u përgatitur ligji i ri për sektorin e energjisë elektrike, që do të thotë ndryshim i modelit të tregut, hap mundësinë e ristrukturimit të kompanive, ndryshon disa elementë të tjerë të rëndësishëm dhe përshtatet më shumë me direktivën evropiane. Kuptohet, në themel të kësaj reforme qëndron synimi për liberalizmin e tregut, do të thotë që pak nga pak duke filluar që vitin tjetër, klientët  e lidhur në 35 kilovolt do të dalin nga sistemi i shpërndarjes. Pra, nuk do të kenë më tarifa të rregulluara, për të vazhduar me klientë të tjerë me 20 kilovolt, 10 kilovolt, pra duke u shtrirë kjo pak a shumë në të gjithë atë pjesë komerciale industriale. Në krye të dy vjetëve synojmë të kemi 30% të tregut të dalë në një sektor të parregulluar, pra të operojë me çmimet e tregut dhe të ketë mundësi të sigurojë energji vetë. Kjo do të krijojë mundësi edhe të një tregu të brendshëm që do t’ju vijë në ndihmë investimeve private në energji, pasi edhe ato janë në një krizë totale. Për shkak të mungesës së likuiditetit dhe krizës së sektorit, të gjithë prodhuesit e energjisë shqiptare, prodhuesit e pavarur, janë në një krizë totale financiare. Duke krijuar këtë treg dhe duke përmirësuar arkëtimet, duke reduktuar humbjet, dhe unë shpresoj me masa më drastike mund të kemi rezultatet. Rezultatet janë dhënë edhe këtë vit, në kushte të vështira dhe pa pasur nën kontroll kompaninë. Një treg më likuid dhe sa më shumë i liberalizuar do të krijojë premisa të mira për vet likuiditetin e sektorit, që sektori të fillojë të shlyejë vetveten, se deri tani është një sektor që vazhdimisht operon me humbje. U duhet krijuar mundësia edhe investitorëve privatë të marrin të ardhurat e tyre dhe të krijojnë mundësi për investime. Sektori energjisë është një paradoks do të thoja, sepse është sektori më interesant për nga pikëpamja investimeve, por njëkohësisht është sektori që operon më me humbje.

Thatë që në vitin 2015 do të ndodhë liberalizimi i tregut për konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt. Sa mund ta gjejnë ata energjinë elektrike në treg dhe a do të rriten kostot për ta? A do të pyeten para se të nisë kjo ndërmarrje ligjore?!
Patjetër, ligji është në fazën e konsultimeve të brendshme, shumë shpejt do të fillojnë konsultimet më grupet e interesit. Patjetër do të krijojmë edhe platformën e nevojshme teknike, siç është sistemi i matjes, do të investohet në operatorin e transmetimit, në operatorin e tregut të energjisë. Përsa i përket pyetjes tuaj, ka ndodhur një fenomen në Shqipëri, një eksperiment pozitiv do të thoja, dalja e klientëve industrialë të lidhur me tensionin e lartë, pra fabrikave të çimentos, të industrisë së rëndë që quhej. Realisht, ata janë të kënaqur, gjejnë energjinë në treg, ka furnizim të mjaftueshëm. Shqipëria ka lidhje të mjaftueshme për të importuar energji, apo për të marrë nga tregu i brendshëm. Njëkohësisht, them se edhe këta klientë do ta gjejnë veten, siç gjetën edhe konsumatorët e mëdhenj që dolën disa vjet më parë. Do të thotë, që në fund të fundit, Shqipëria duhet të fillojë të dalë nga një treg i rregulluar. Kjo është perspektiva evropiane, ky është trendi kudo dhe kjo është e vetmja mënyrë që ne të fillojmë të zvogëlojmë problemin, të merremi me atë që quhet pjesa më e vështirë, më e keqe, dhe që kërkon një mbështetje, që është konsumatori familjar apo bizneset e vogla. Ato janë të lidhura me rrjetet ndërurbane apo pjesa  e imët e sektorët të shpërndarjes, e cila kërkon investime serioze, pasi është një rrjet i ndërtuar në vitet 50’-60’ dhe ka mbi 50 vjet që nuk është më dorë. Realisht, kërkon investime të mëdha dhe këtë mbështetje duhet ta japë patjetër deri diku qeveria.

Nëse flasim për sektorin e shpërndarjes, aktualisht cilët janë treguesit që ka arritur kompania CEZ. E dimë që është në një administrim të përkohshëm, dhe se të dyja licencat kanë qenë të hequra nga ERE. Sa janë humbjet dhe sa janë arkëtimet për vitin 2013, apo edhe për këtë 300 ditësh të parë?!
Ne e kemi bërë edhe publike, nuk është se ka ndonjë gjë që nuk dihet. Humbjet janë reduktuar në një nivel prej 6%, duke ditur faktin që e morëm në një situatë jo të mirë, ku ishte mbi 50%. Sot që flasim variojnë, të paktën nga të dhënat e fundit, tek 36%. Shpresojmë që mesatarja e këtij viti të shkojë tek 40-41%, e cila duhet të them se është akoma e lartë, por gjithsesi është disa përqind më mirë se sa vitin e kaluar. Arkëtimet janë rritur në një masë 30% në krahasim me vitin e kaluar. Nuk dua të them se edhe kjo është e mjaftueshme, por jam shumë i sigurtë që me një riorganizim të kompanisë, me llogaridhënie më të madhe dhe me një menaxhim më profesional, arkëtimet do të rriten dhe humbjet do të fillojnë të reduktohen. Patjetër, kjo kërkon edhe investime, sepse është kollaj që të bësh diferencën kur ka humbje të madhe për ta ulur disa përqind, për të filluar për të qenë më eficent kërkon investime, teknologji moderne, masa të tjera, të cilat kërkojnë mbështetje financiare dhe pikërisht për këtë do të vlejë edhe kredia e Bankës Botërore, mbështetja e institucioneve të tjera financiare, me të cilat ne jemi duke negociuar për të marrë këtë mbështetje.  Një gjë dua të them, edhe për publikun; rezultatet në energji vonojnë, nuk janë me një të rënë të lapsit. Nuk është një reformë e e lehtë që në letër mund të bësh shumë masa, problemi është se si do të përgjigjet në terren. Prandaj, shteti e ka marrë shumë seriozisht, edhe masat e tjera ligjore, organizative, siç janë të gjitha njoftimet që kemi nxjerrë, për tenderat publikë që nuk mund të marrësh tender pa paguar energjinë; për koncesione, masa të tjera që do të vazhdojnë të merren që edhe institucionet buxhetore të fillojnë të jenë të rregullta me pagesën e energjisë dhe jo të jenë një burim i vazhdueshëm i akumulimit të borxheve të këqija. Pra, të gjitha këto janë masa dhe mbështetja nga ana e qeverisë është shumë e nevojshme për të arritur rezultatet e duhura. Por, është një reforma dhe janë masa të cilat do të duhen disa vjet që ta kthejnë sistemin shqiptar në parametra që të jetë vërtet likuid dhe të jetë vërtet efecient nga ana ekonomike.

Në sa vite mund të ndodhë kjo?!
Të flasim të drejtën, unë mendoj se do të duhet një katër vjeçar që sistemi energjetik të fillojë të ketë perspektivë nga ana financiare. Dhe këto katër vjet janë shumë të rëndësishme, përkojnë me mandatin e kësaj qeverisje dhe jam i sigurtë që ne do ti dalim.

Kalojmë tek pjesa e huave që do të japing institucionet financiare për këtë sektor. Tashmë dihet se BB është shprehur e gatshme për të dhënë 150 milion dollarë. Po institucionet e tjera financiare sa para do të japin dhe si do të investohet në sektor?! Do të shkojnë për të rregulluar rrjetin e shpërndarjes?
Një pjesë do të shkojë për infrastrukturën e nevojshme, pra bëhet fjalë për nënstacione, kablla, transformatorë, pjesa hardëare e gjithë sistemit. Por, patjetër edhe për aspektet e menaxhimit dhe matjes, të cilat janë një burim i vazhdueshëm abuzimi. Do të fillojmë të eksperimentojmë me projekte të avancuara pilot dhe më vonë të shtrira, edhe me sistemet e “smart technology”, pra matje në distancë, matësa inteligjentë, për të filluar një mirëmenaxhim të të gjitha të dhënave të konsumit dhe bilancit energjetik nga fideri deri tek klientët përfundimtarë. Të gjitha këto kërkojnë patjetër investime dhe një njohuri më të mirë, një menaxhim më të mirë brenda kompanisë. Patjetër që këto para do të përdoren për arritjen e këtyre objektivave, pa harruar edhe bashkëpunimin me partnerët privatë. Do të thotë që, ne jemi duke studiuar disa mundësi, unë nuk jam në gjendje që ti bëj publike tani, për të parë edhe angazhimin e sektorit privat në menaxhim pjesor të zonave të caktuara apo të komponentëve të caktuar të shpërndarjes, për të përmirësuar arkëtimet dhe për të përmirësuar të gjithë parametrat financiarë të sistemit energjetik.

Mendoni se një privat në zonat problematike do ta kryejë më mirë atë funksion sesa vetë shteti?
Ka shembuj në vende të caktuara, të cilat kanë rezultate të mira. CEZ ishte një eksperiment i dështuar. Çfarë ndodh me sektorin e energjisë sipas pikëpamjes sime, por dhe nga opinionet që kam mbledhur kudo që kam qenë apo diskutuar këtë çështje? Qeveria e kaluar, lau duart. Nuk mundesh të mendosh që duke privatizuar një sektor të rëndësishëm publik, siç është energjia elektrike, të besosh se çdo gjë do ta zgjidhë vet biznesi privat. Mbështetja e shtetit duhet të jetë gjithmonë aty mbrapa, pra sa privat ai duhet të konsiderohet edhe një sektor publik. Ne mendojmë që me një trysni të vazhdueshme, me një vëmendje të caktuar nga ana e qeverisë, por duke futur edhe të gjitha aftësitë e menaxhimit privat, vetëm duke ecur kështu dorë për dore dhe duke pasur një objektiv të përbashkët, do mundet që sektori i energjisë të kthehet në një sektor vërtet fitimprurës për ekonominë shqiptare.

Sa është vlera e aseteve të kompanisë CEZ?
Është bërë një vlerësim kuptohet teknik, është një vlerë e caktuar. Por, edhe duhet bërë një vlerësim më i saktë, sepse një pjesë e aseteve mund të kalojnë, mund të fillojë edhe kompania të ndahet në disa komponentë të shërbimit të saj. Por, vlera si kompani është vlerë negative tregtare. Dihet kompania është një kompania që ka punuar me humbje, vit për vit ka akumuluar humbje, kështu që nga pikëpamja e vlerës tregtare, sipas vlerësimeve financiare që kanë bërë auditët e pavarur, është një kompani totalisht e falimentuar.

Nëse flasim për pjesën e çmimit të energjisë, është folur se në Qershor do të merret një vendim për ndarjen e energjisë me dy fasha. A do bëhet në vitin 2015, energjia me dy fasha?
Jemi duke studiuar të gjitha opsionet në lidhje me tarifat. Një gjë dua të garantoj publikun, që në çfarëdolloj situate, familjet nuk do të preken, pra, do të thotë që popullata duhet të jetë e sigurtë që nuk do të afektohet nga çdo lloj reforme, përsa i përket aspektit të çmimeve. Ne jemi duke parë të gjitha opsionet dhe patjetër kur të vijë afati për marrjen e vendimit nga Enti Rregullator i Energjisë, është çështje e ERE-s, do të dilet me një vendim.

Atëherë pse po merret si reformë kjo, nëse nuk do të prekë familjet, merret si reformë për të përmirësuar bilancet financiare të kompanisë CEZ?
Për të parë gjithë elementët e kostos së prodhimit, kostos së transmetimit, pra të gjithë elementët që i përkasin tarifës. Ky është një proces që në Shqipëri është bërë çdo vit. U ngri gjatë periudhës së privatizimit, për shkaqe që tashmë dihen. Është një proces normal, dhe ajo që i intereson qeverisë dhe ky ka qenë edhe fokusi jonë, është që në çdo rast shtresat, sidomos familjet, familjet me të ardhur atë ulëta të mbrohen nga çdo lloj impakti që mund të ketë reforma energjetike.

Sa të bindur jeni që CEZ do të arrijë sot të shlyejë detyrimet që ka ndaj KESH-it, OST-së por edhe palës çeke?
Mund të them që një mirëorganizim dhe një mbështetje shumë e madhe nga ana e qeverisë, si edhe investimet e duhura që do të japin rezultat, do të bëjnë të mundur që shpërndarja të ketë rezultate shumë më të mira financiare. Rezultate që do të mbulojnë edhe pagesat për çekët, por njëkohësisht do të sjellin më shumë likuiditet në sektor. Unë mendoj se kjo është rruga e duhur. Ne tashmë kemi një plan të qartë, kemi një strategji, është shumë e rëndësishme që të ecim në këtë rrugë. Gjërat e tjera le t’ja lëmë të ardhmes. Mendoj se po bëhet gjithçka që duhet, në situatën më të vështirë që po kalon ndonjëherë sektori energjetik, dhe fatkeqësisht ne e kemi dhuratë nga ish qeverisja.

energjia.al  18.07.2014