Fllucka e karbonit: Shell, e pashqetësuar
Në një letër drejtuar aksionerëve në maj, Royal Dutch Shell (kompani e cila po kërkon për naftë në Shqipëri) hodhi poshtë mundësinë që rezervat e saj të provuara të gazit e naftës do të mbeten të pashfrytëzuara për shkak të legjislacioneve klimatike (për pakësimin e emetimeve të karbonit). Sipas Shell burimet fosile do të luajnë rol kyç në miksin e energjisë globale në vitin 2050 e përtej (50-60% e totalit).
Shoqata mjedisore e shkencëtarë kanë paralajmëruar për një flluckë karboni, e cila do të lërë asetet e burimeve fosile të pashfrytëzuara. Prandaj kompanitë e naftës si Shell mund të jenë të mbivlerësuara në tregjet financiare, duke vënë në rrezik triliona dollarë të investitorëve. Parlamenti anglez e ka marrë seriozisht këtë rrezik duke përgatitur dhe një raport në komisionin parlamentar të mjedisit. Grupe investitorësh kanë kërkuar sqarime zyrtare nga kompanitë e naftës mbi rrezikun e flluckës së karbonit.
JJ Traynor, drejtor në Shell, deklaroi se fokusimi tek fllucka e karbonit po largon vëmendjen nga realiteti i rritjes së popullsisë, ekonomisë e konsumit të energjisë.
Sipas Shell sekuestrimi i karbonit do të jetë kyç në luftimin e ndryshimeve klimatike. Por mjedisorët thonë se kjo teknologji nuk është e provuar, nuk ka asnjë aplikim komercial të saj aktualisht.
Exxon Mobil, kompania publike më e madhe e naftës, deklaroi në Mars se asnjë nga rezervat e saj nuk do të mbetet e pashfrytëzuar nëse qeveritë veprojnë për pakësimin e emetimeve të karbonit.
Në SHBA aktualisht ka një fushatë të shoqatave mjedisore për çinvestimin në kompanitë e naftës. Shoqatat po u kërkojnë investitorëve të shesin aksionet e tyre në kompanitë e naftës dhe ti investojnë në biznese të tjera. Universitete, grupe fetare etj. i janë bashkuar thirrjes e kanë shitur aksionet. 100 profesorë të Harvardit i kanë kërkuar universitetit të shesë 33 miliard dollarët që ka investuar në naftë e gaz.
Deklarata e Shell erdhi si përgjigje e kërkesës së investitorëve për të sqaruar qëndrimin e saj rreth flluckës së karbonit.
Ekolëvizja, 09.07.2014