Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Theodhosi: U përpoqa të dezinformoja për kërkimet (për naftë) që po kryheshin në Sarandë

PROCES – VERBAL

Në Tiranë më 17 Mars 1976

Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, marr në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.

Pyetje: Vazhdo i pandehur të shpjegosh sabotimet që ke kryer më bashkëpunëtorët e tu në sektorin e kërkimeve për rajonin e Sarandës.

Përgjigje: Në vijim të realizimit të pikëpamjeve të mia anti-parti dhe i kundërvënies time ndaj normave të Partisë dhe Shtetit për industrinë e naftës, unë sëbashku me Abdyl Këllezin, Lipe Nashin, Beqir Alinë dhe Piro Gushon kemi kryer sabotime të mëdha edhe gjatë kërkimeve të naftës në sektorin e Sarandës, gjë e cila i ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë popullore.

Me sa më kujtohet, nga tremujori i parë i vitit 1971, kur unë isha në Institutin e naftës dhe pamë programin e këtij Instituti për vitin 1972, ku Beqir Alia më paraqiti propozimet për të kryer kërkimet me përqëndrim në zonën e Shushicës, për të cilën kam folur në procesin e mëparshëm hetimor, mbaj mend se ai na tha që kërkimet duhet t’i shtrinim edhe në një zonë të largët siç ishte Saranda, sepse ajo zonë lidhej me brezin e Kurveleshit dhe sipas disa studimesh paraprake që kishim bërë, ajo zonë paraqiste interes për kërkimet e naftës. Unë dhe Lipe Nashi u shfaqëm dakord me këtë propozim të Beqirit dhe aty u vendos që paralelisht me punimet që do kryheshin në Shushicë, Instituti të jepte struktura çpimi edhe në Sarandë. Nga fundi i vitit 1971, Instituti përgatiti për çpim kryesisht me rilevim gjeologjik një pus në Krane të Sarandës dhe një pus në Delvinë. Nga vera e vitit 1972, Lipe Nashi më ka informuar se pusi në Krane kishte rënë në strukturë me të dhëna naftë mbajtëse në sasira të vogla, ndërsa pusi në Delvinë kishte rënë në strukturë, po nuk kishte të dhëna naftë mbajtëse. Gjithashtu Lipe Nashi më tha se në bazë të studimeve që kishte kryer Instituti edhe me profil sizmik, kishte vendosur që nga vjeshta e vitit 1972, do të fillonte çpimin e disa puseve të tjera në Finiq. Nga Janari i vitit 1973, Lipe Nashi më ka njoftuar se pusi “Vurgu 6” në Finiq kishte dhënë gaz fontan të fuqishëm. Në ato kohë, unë në një rast kam shkuar në Fier dhe jam takuar me Piro Gushon në shtëpinë e Partisë. Pirua më tha se kishte shkuar vetë në Sarandë dhe e kishte pare në vend pusin “Vurgu 6”. “Ky pus”, tha ai, “është me perspektivë të madhe prandaj ne nuk duhet të largohemi nga kërkimet në atë rajon, por duhet t’i intensifikojmë ato. Në këtë bisedë ka qenë i pranishëm edhe Lipe Nashi i cili mbështeste këto biseda të Piros. Unë i thashë që kjo ishte gjë e mirë dhe ne do t’i intensifikonim kërkimet në ato rajone.

Nga muaji Shkurt i vitit 1973, në një rast Lipe Nashi më ka ardhur në zyrë dhe në bisedën që bëmë ai më tha se shpejt duhet të intensifikonim punimet për kërkime në Sarandë, pasi pusi në Krane na dha shenja nafte. Unë i thashë Lipes se ato ditë do të shkonim bashkë në Sarandë për të parë në vend dhe të merrnim masat atje për të aktivizuar më tej ato kërkime.

Nga fillimi i muajit Mars të vitit 1973, unë sëbashku me Lipe Nashin, shkuam në Sarandë. Atje, Paskal Sinani, që drejtonte punimet e naftës në atë rajon, na raportoi për grafikun e intensifikimit të veprimeve që duheshin kryer për sqarimin e këtyre strukturave. Me sa më kujtohet, aty parashtrohej se deri nga mesi i vitit 1973, do të sqarohej të paktën për një strukturë. Unë rashë dakord me propozimet e këtyre dhe u thashë që rezultatin e një pusi të parë duhej ta kishim të paktën nga mesi i vitit 1973 dhe ata e pranuan këtë detyrë që u dhashë unë.

Pasi u ktheva në Tiranë, jam takuar me Abdyl Këllezin, i thashë atij për vajtjen time në Sarandë dhe masat që kishim marrë atje lidhur me intensifikimin e kërkimeve në atë rajon. Gjithashtu i thashë Abdylit se të dhënat në atë rajon ishin premtuese. Abdyli më tha se në Sarandë kishte qenë edhe Ramiz Xhabia, por tha se do të ishte mirë t’i thërrisnim edhe një herë ata të naftës e të na raportonin imtësisht për Sarandën. Unë rashë dakord me Abdylin dhe pas pak kohësh jemi mbledhur në zyrën e tij unë, Lipe Nashi, Beqir Alia, Ramiz Xhabia, Pupo Shyti dhe ndonjë punonjës tjetër i Komisionit të Planit që nuk më kujtohet. Në këtë mbledhje, Beqir Alia, raportoi për tërë gjendjen gjeologjike të Sarandës duke e paraqitur si rajon perspektiv nga ku në një të ardhme të afërt mund të merrnim naftë. Në përfundim Abdyli tha se ishte dakord që të vazhdonin kërkimet në atë rajon sipas programit që kishte aprovuar Koçua. Më gjatë mbledhja, nuk më kujtohet të ketë zgjatur.

Rezultatin e parë për këto kërkime ne e morëm aty nga muaji Gusht i vitit 1973 në pusin “Finiqi 5”, i cili dha një sasi të vogël nafte.

Mbaj mend që në verën e atij viti unë kam qenë me pushime në Pogradec së bashku me Abdyl Këllezin. Atje biseduam me Abdylin që të shkonim të dy në Sarandë për të parë edhe punimet për kërkimin e naftës. Abdyli më tha se ai do të rrinte edhe disa ditë të pushonte në Sarandë se kishte akoma leje. Unë i thashë se do të shkoja nja 2-3 ditë e do të kthehesha se më mbaronte leja. Abdyli u nis para meje e shkoi në Sarandë, kurse unë nja dy ditë më vonë shkova atje. Të dy me Abdylin shkuam në pusin “Finiqi 5” i cili kishte dhënë vetëm nga 150 ton naftë dhe kishte rënë në avari. Harrova të them se ato ditë që vajta unë në Sarandë bashkë me familjen, në mbrëmje më erdhi në shtëpinë ku isha unë, edhe Lipe Nashi. Nuk më kujtohet se si u ndodh Lipia në Sarandë, por më duket sikur e njoftova unë nga Pogradeci. Kështu që sëbashku me mua dhe Abdylin, në Finiq erdhi edhe Lipe Nashi. Atje ne dëgjuam kryegjeologun e ndërmarrjes i cili vendburimin na e paraqiti me perspektivë dhe na tha se edhe anash Finiqit kishte struktura të tjera gëlqerore të cilat duhej të pregatiteshin për çpim. Këtu Lipe Nashi më propozoi mua dhe Abdyl Këllezit që të krijonim një ndërmarrje çpim-kërkim shfrytëzimi e cila do të drejtonte të gjithë veprimet për zhvillimin e punimeve të kërkimit e shfrytëzimit në Sarandë. Si unë dhe Abdyli ramë menjëherë dakort me këtë propozim të Lipes për krijimin e kësaj ndërmarrje komplekse dhe e porosita Lipen që të më dërgonte në Ministri propozimin me shkrim për krijimin e saj. Pas kësaj ne ikëm nga Finiqi dhe mesa më kujtohet, të nesërmen u ktheva në Tiranë, ndërsa Abdyli qëndroi në Sarandë edhe disa ditë.

Deri në këtë periudhë Lipe Nashi dhe Beqir Alia, në bisedat e ndryshme që bëja me ta, ose edhe nëpërmjet relacioneve që më dërgonin, ma paraqitnin rajonin e Sarandës si mjaft perspektiv për të zbuluar vendburime nafte. Megjithatë, unë vetë kisha dyshime për këto raportimet e tyre pasi, po gjatë asaj periudhe, u vërtetua se Kranea nuk ishte struktura që lidhej me Finiqin, siç ma kishin paraqitur më parë, midis Finiqit e Kranesë ishin bërë disa çpime të tjera të cilat pjesërisht kishin rënë jashtë strukturës, por nuk kishin dhënë rezultat, gjithashtu nuk kishte përfunduar konturimi i Finiqit që të mbështeste konkluzionet e Lipe Nashit dhe të Beqir Alisë se në Finiq do të zbulonim një vendburim të rëndësishëm nafte.

Unë, duke parë se vendburime të tjera nuk i po realizonim, pavarësisht nga dyshimet që kisha për këto raportime që më bënte Lipe Nashi dhe Beqir Alia për rajonin e Sarandës, jam përpjekur që nëpërmjet bisedave të ndryshme të disinformoja dhe të krijoja një gjendje euforie edhe te shokët e Partisë e të Qeverisë për kërkimet që po kryheshin në rajonin e Sarandës. Bile më kujtohet që unë u raportoja se gjoja në Sarandë do të gjenim së shpejti vendburime të mëdha nafte e gazi dhe nuk u thosha për ato gjëra që realisht kishin ndodhur në këto kërkime e që unë shpjegova më lartë. Ishte pikërisht kjo arsyeja që unë dhe Abdyl Këllezi, pranuam menjëherë propozimin e Lipe Nashit në Finiq për krijimin e ndërmarrjes.

 

Pyetje: Ti i pandehur pranon se së bashku me Abdyl Këllezin e Lipe Nashin se keni disinformuar udhëheqjen e Partisë e të Shtetit që në Gusht të vitit 1973 për çështjen e kërkimeve në Sarandë, na shpjegoni se si konkretisht e keni biseduar me njëri-tjetrin realizimin e kësaj veprimtarie armiqësore?

 

Përgjigje: Me sa më kujtohet, unë, Abdyli dhe Lipia, këtë gjë e biseduam që kur ishim në Finiq të tre. Këtu pasi Lipia na propozoi për krijimin e ndërmarrjes dhe ramë dakort edhe unë e Abdyli, unë e pyeta Lipen nëse do të merrnim nga Finiqi prodhim për planin e vitit 1974. Lipia më tha se do të merrnim. Atëherë unë i thashë Abdylit e Lipes që t’i raportonim Qeverisë jo vetëm perspektivën që kishin kërkimet në këtë rajon dhe domosdoshmërinë e krijimit të ndërmarrjes që propozon Lipia, por edhe atë që nga ky rajon ne do të merrnim prodhim nafte për vitin 1974. Si Abdyli dhe Lipia thanë se ishin dakort me atë që thoja unë për të raportuar edhe në Qeveri. Këtë bisedë, siç shpjegova më lartë, ne e bëmë kur unë vetë kisha gjithë ato dyshime për ekzistencën e vendburimit në atë rajon dhe që pusi “Vurgu 5” që kishte dhënë pak naftë, kishte rënë në avari e nuk dinim më tej për të. Bisedë tjetër përveç kësaj nuk di të kemi bërë për këtë çështje.

 

Pyetje: Vazhdo i pandehur të japësh shpjegime për akuzën.

 

Përgjigje: Në ato ditë që unë u ktheva në Tiranë, Lipe Nashi më dërgoi me shkresë propozimin e rregullt për krijimin e ndërmarrjes në Sarandë. Unë këtë çështje e bisedova me ndihmësin tim Hasan Hamzën, i cili ishte dakort dhe morëm mendimin zyrtarisht të Ministres së Financave e të Komisionit të Planit të Shtetit të cilat dhanë pëlqimin e tyre dhe përfundimisht i bëmë propozimin Kryeministrisë që na i aprovoi.

Mbas aprovimit, u krijua ndërmarrja e kërkim-çpimit të naftës në Sarandë me organikë rreth 20-25 veta.

Nga fillimi i muajit Shatator të vitit 1973, unë sëbashku me Hasan Hamzën, kam shkuar në Drejtorinë e Naftës në Fier pasi do të diskutohej me ta projekt plani për prodhimin dhe kërkimet e naftës gjatë vitit 1974. Në Drejtori organizova një mbledhje ku morën pjesë Lipe Nashi, Beqir Alia, Nikolla Kiço, Petraq Xhaxhka, unë, Hasan Hamza dhe disa të tjerë që punonin në aparatin e Drejtorisë së Naftës, por konkretisht nuk më kujtohen. Shifrat dhe propozimet për projekt planin e vitit 1974, me sa mbaj mend, për prodhimin e parashtroi Nikolla Kiçua, ndërsa ato të kërkimit ishin të përcaktuar që më parë, pasi qenë standart si metrazh. Nikolla Kiçua, tha se sipas studimit të përbashkët që kishin bërë në Institutin e kërkimeve, planin prej 2 milion e 400 ton, që sipas planit 5 vjeçar kishim për vitin 1974, do ta mbulonim me 2 milion e 60 mijë ton nga vendburimet ekzistuese, 270 mijë ton nga vendburimet e Sarandës dhe 70 mijë ton nga ndonjë vendburim tjetër i ri që mund ta zbulonim gjatë kërkimeve të vitit 1974.

Këto propozime të Nikolla Kiços u mbështetën sidomos nga Lipe Nashi dhe Beqir Alia, bile ky i fundit insistonte shumë për gjoja zbulimin e vendburimeve të rëndësishme në rajonin e Sarandës, si në Finiq, në Vurg, në Ristric etj. Më kujtohet që Nikolla Kiçua insistonte që këto shifra të planit duhej t’i realizonim sipas ndarjes që paraqitit ai dhe të mos mbingarkoheshin më tej vendburimet ekzistuese, pasi kjo, sipas tij, do t’i dëmtonte shumë këto vendburime. Këto propozime të tyre i pranova edhe unë me Hasan Hamzën.

Nga muaji Tetor i vitit 1974, jemi mbledhur në zyrën e Abdyl Këllezit unë, Lipe Nashi, Ramiz Xhabia, Hasan Hamza dhe Pupo Shyti, për të parë planin e prodhimit të naftës për vitin 1974. Në këtë mbledhje raportoi Lipe Nashi me atë ndarje shifrash që ne kishim vendosur në Drejtorinë e Naftës e që përmenda më lartë. Kur erdhi fjala për vendburimin e Finiqit, unë u thashë që shtresa e strukturës së Finiqit ishte e trashë 100 m dhe nuk ishte në masat e mëdha të shtresave që kishim në strukturat e vendburimeve të tjera gëlqerore. Ramiz Xhabia tha se pavarësisht se kjo strukturë kishte këtë trashësi, ajo mund të ishte me pore e të çara më të shumta dhe kështu që mund të kishte sasira të mëdha nafte. “Ka, tha Ramizi, edhe struktura gëlqeroresh me trashësi 40 m dhe janë vendburime të rëndësishme nafte që shfrytëzohen.”

Abdyl Këllezi tha që planin prej 270.000 ton naftë që do të merrnim nga Saranda, t’ua ngarkonim vendburimeve ekzistuese gëlqerore, punimet në Sarandë të vazhdonin ashtu siç kishim rënë dakord dhe naftën që do të nxirrnim nga Saranda do ta konsideronim si prodhim mbi shifrat e planit. Këtë propozim të Abdylit e mbështeti shumë Ramiz Xhabia dhe të dy insistonin që sasia prej 270.000 ton t’u mbingarkohej vendburimeve ekzistuese, kryesisht Gorrishtit dhe Koculit.

Unë u thashë që vendburimet ekzistuese ishin të mbingarkuara dhe po t’u shtonim edhe këtë sasi nafte, atëhere do të inondoheshin, prandaj planin duhej ta mbanim që të realizonim sipas propozimeve që paraqiti Drejtoria e Përgjithshme e Naftës. Po kështu, Lipe Nashi insistoi në propozimet e tij dhe përfundimisht Abdyli me Ramizin u tërhoqën nga mendimet e tyre dhe kështu mbetëm dakord të gjithë.

Pas kësaj, Lipe Nashi u dërgoi të gjitha ndërmarrjeve të prodhimit të naftës, projekt planin e prodhimit për vitin 1974. Në ato kohë, Lipe Nashi më ka njoftuar se ndërmarrja e naftës së Sarandës dhe Komiteti Ekzekutiv i rrethit nuk ishin dakort që të prodhonin gjatë vitit 1974 planin e naftës prej 270.000 ton, pasi e konsideronin të madh dhe të parealizueshëm, bile as që ishin pyetur fare për këto shifra të planifikuara.

Unë thirra Lipe Nashin në Tiranë dhe në zyrën time e pyeta si do ja bënim kësaj pune, Saranda nuk e pranonte planin prej 270.000 ton që i kishim ngarkuar të realizohej. Lipia më tha se nuk e dinte, por plani prej 270.000 ton duhej t’i mbetej Sarandës se ne kishim bërë gjithë ato investime e kërkime atje dhe duhej të merrnim naftë. Unë i thashë Lipes se më mirë ishte të shkonim e të shikonim në vend atë punë dhe e lamë që të venim në muajin Nëntor të vitit 1973.

Para se t’u shpërndanim ndërmarrjeve të prodhimit të naftës planin sipas shifrave që përmenda unë dhe Abdyl Këllezi nëpërmjet planit të prodhimit të naftës njoftuam edhe Komitetin Qendror e Qeverinë me të njëjtat shifra prodhimi siç u shpërndamë dhe ndërmarrjeve.

Nga sa shpjegova, edhe në këtë rast për planin e prodhimit të naftës gjatë vitit 1974, unë si rezultat i pikpamjeve anti parti që kisha për metodologjinë e planifikimit, këtë plan e bëra me Lipe Nashin e specialistët që përmenda në Drejtorinë e Përgjithshme të naftës dhe jo vetëm që nuk zbatova vijën e masave në këtë planifikim, por unë e Lipja nuk morëm as mendimet e disa drejtuesve të ndërmarrjeve, siç është ajo e Sarandës, ku drejtor qe Paskal Sinani.

Në muajin Nëntor të vitit 1973, unë sëbashku me Lipe Nashin, Teki Biçokun, Nevruz Kodhelin dhe Petraq Xhaxhkën shkuam në Sarandë. Atje bëmë një mbledhje në zyrën e Paskal Sinanit ku përveç disa specialistëve të asaj ndërmarrje, ishin edhe Sekretari i Parë të Komitetit të Partisë të rrethit dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Sarandës. Në këtë mbledhje, Paskal Sinani tha që Drejtoria e Përgjithshme e naftës dhe Ministria, ata nuk i kishin pyetur më parë apo t’i merrnin mendimin për prodhimin e 270.000 ton naftë që i kishin planifikuar. “Ne si ndërmarrje,- tha ai, nuk jemi dakord me këtë shifër që na është planifikuar, por mund të prodhojmë vetëm 90.000 ton duke zbatuar atë program çpimesh si në kërkim, ashtu edhe në shfrytëzim që na ka dhënë Instituti i kërkimeve.” Petraq Xhaxhka dhe Nevruz Kodheli, që ishin përfaqësuesit e Institutit, pasi Beqir Alia nuk ishte, se i kishte ndodhur një vdekje në Shkodër, në diskutimet e tyre, duke paraqitur edhe një herë llogaritjet dhe studimet e Institutit për rajonin e Sarandës, insistonin se sasia e naftës prej 270.000 ton që ishte planifikuar, qe e mundshme të realizohej po të zbatohej programi i çpimeve që ishte përpiluar nga Instituti dhe që pranohej dhe nga vetë ndërmarrja e Paskal Sinanit.

Më kujtohet se Sekretari i Parë të Komitetit të Partisë së rrethit tha se ky planifikim i dukej i shpejtuar sepse aktualisht mbështeteshim vetëm në një pus që kishte dhënë naftë, por që edhe ky kishte dhënë avari. Përfundimisht, si rezultat i insistimeve të punonjësve të Institutit, të gjithë pranuan se do të përpiqeshin të zbatonin realizimin e prodhimit prej 270.000 ton naftë. Unë dhe Lipe Nashi, në diskutimet tona, mbështetëm mendimet e Institutit.

Nga muaji Nëntor 1973 deri në muajin Janar 1974, herë vetë e herë nëpërmjet Lipe Nashit, unë ndoqa kërkim-çpimet në Sarandë, të cilat nuk po na jepnin asnjë rezultat. Në Janar të 1974, unë thirra Lipe Nashin në Tiranë dhe në zyrën time e pyeta se si do t’i bëhej punës për gjendjen e Sarandës. Ai më tha se nuk e dinte, atje naftë nuk po nxirrnim, me gjithë përqëndrimet e mëdha që bëmë që në muajin Nëntor për të realizuar programin e çpimeve që kishte dhënë Instituti. Unë i thashë Lipes se do të shkonim edhe një herë bashkë në Sarandë dhe në ato ditë shkuam.

Në Sarandë pamë se situata e kërkimeve vazhdonte të ishte keq dhe nuk i përgjigjej dot prodhimit që kishim planifikuar ne për atë vit. Me gjithë këtë, ne lamë përsëri detyrë që për të paktën edhe dy muaj të vazhdonte me intensitet çpim-kërkimi dhe do të vinim prapë për ta parë.

Në Sarandë, duke qenë vetëm të dy me Lipe Nashin në makinën time, kur ktheheshim, unë i thashë atij se me sa kisha parë, në Sarandë nuk do të merrnim dot naftë, prandaj të bisedonim paraprakisht me ndërmarrjet e tjera të prodhimit se si do ta shpërndanim këtë sasi prej 270.000 ton që i kishim planifikuar Finiqit, prandaj në fillim të bisedonim me shokët e Gorrisht-Koculit se sa mund t’u jepnim atyre nga kjo sasi. Lipia më tha se përveç Gorrishtit, ne mund të merrnim një sasi edhe nga Visoka sepse Instituti kishte një studim për këtë vendburim që të çponte disa puse të tjera në periferi të Visokës. Unë i thashë Lipes që në Gorrisht do të shkonim bashkë për të biseduar këtë çështje. Lipia ra dakord dhe e lamë që do të shkonim në Gorrisht nga fillimi i muajit Shkurt të vitit 1974.

Nga fillimi i Shkurtit të 1974, unë dhe Lipia shkuam në Vlorë ku kisha me vete edhe Hasan Hamzën. Në zyrat e ndërmarrjes së Gorrishtit bëra një mbledhje ku përveç nesh, morën pjesë Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit Vlorë, kryetrai i Komitetit Ekzekutiv dhe kuadrot kryesore të asaj ndërmarrje. Në fillim të mbledhjes unë u thashë se kishim shkuar për të parë mundësinë e marrjes të një sasie më të madhe nafte nga vendburimi i Gorrisht-Koculit, pasi bilanci i tregtisë së jashtme paraqitej keq dhe me sa dukej, sasinë e naftës që kishim planifikuar për Sarandën nuk do ta merrnim dot të tërë. Kryeinxhinieri i ndërmarrjes na vuri në dijeni mbi gjendjen e shfrytëzimit të atij vendburimi duke na paraqitur edhe masën e mbingarkesës që kishte vendburimi deri në atë kohë.

Unë gjatë këtij raportimi, mbaj mend se kam ndërhyrë duke u thënë se pavarësisht nga mbingarkesa që kishte vendburimi, ne do të merrnim prej tij sasi më të mëdha nafte duke e mbingarkuar më shumë sepse këto ishin nevojat e ekonomisë së vendit. Ata të ndërmarrjes na thanë se meqënëse çështja shtrohej ashtu, ata do të përpiqeshin të mernin disa masa plotësuese për shfrytëzim më të mirë të puseve për të mos u përmbytur rëndë vendburimi e që mund të merrnim edhe 100.000 ton naftë më shumë nga sa kishim planin tonë. “Ne,- thanë ata, kemi bërë edhe një studim për këtë problem, pasi Lipe Nashi na kishte njoftuar edhe më parë për këtë çështje.” Unë i thashë se ata duhet të pregatiteshin se ne mund t’i ngarkonim për të prodhuar edhe më shumë se 100.000 ton. Lipia më tha se Gorrishti mbante edhe më shumë nga sa thonim ne, prandaj të merreshin masat e duhura dhe të rritej prodhimi i tij duke i mbingarkuar më rëndë. Me mendimet e fundit të miat dhe të Lipes, shokët e Vlorës nuk ishin dakort, por unë përsëri u thashë që ta shikonin edhe një herë, të pregatiteshin dhe do ta shikonim përsëri. Më gjatë nuk më kujtohet të ketë vazhduar kjo mbledhje.

Gjatë muajit Shkurt dhe Mars të vitii 1974, në bazë të të dhënave që merrja, pashë se nuk po vërtetohej që në Sarandë, Finiqi të paraqitej një vendburim nafte për të cilën ne bëmë tërë ato përqëndrime të mëdha e bëmë shumë investime. Duke parë gjendjen kështu, unë nga fillimi i muajit Prill të vitit 1974, sëbashku me Lipe Nashin, Beqir Alinë, Teki Biçokun, Hasan Hamzën dhe disa punonjës të tjerë të Institutit shkuam në Sarandë për të përfunduar definitivisht se çfarë do të bënim me këtë problem, dmth të sqaronim nëse Finiqi ishte ose jo strukturë nafte. Pasi pamë një për një puset, organizova një mbledhje në zyrën e Paskal Sinanit. Atje, duke i diskutuar të gjitha rezultatet e çdo pusi që ishte bërë deri në atë kohë, dilte se Finiqi, ishte një vendburim gazi me një rrip nafte nga e cila nuk mund të përcaktohej se sa naftë kishte dalë nga avaria dhe jepte një debit shumë të vogël në krahasim me atë që dha ditët e para.

Në përfundim të mbledhjes, unë urdhërova që të vazhdonin puset e konturimit që shërbenin për konturimin e strukturës si vendburim gazi, disa puse shfrytëzimi që ishin në çpim e sipër të përfundonin duke marrë edhe masat që ato të shërbenin si puse për shfrytëzimin e gazit në të ardhmen dhe pjesa tjetër e përqëndrimit të mjeteve të largohej nga Saranda e të shkonin në Fier. Beqir Alia edhe në këtë rast insistonte që të vazhdonin çpimet për disa puse të tjera për kërkimin e naftës, por unë nuk i arovova. Gjithashtu unë u thashë atyre të ndërmarrjes së Sarandës se planin prej 270.000 ton do t’ua hiqnim dhe nuk më kujtohet nëse u lamë ose jo plan prodhimi. Kështu mbetëm dakord të gjithë.

Në mbrëmjen e asaj dite jemi mbledhur në zyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv ku isha unë, Teki Biçoku, Lipe Nashi, Beqir Alia dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit. Unë u thashë atyre që tani duhet të vinim në dijeni punëtorët se aty ishte vendburim gazi dhe jo naftë. Paskal Sinani tha se punëtorët do t’i mblidhnim të nesërmen, prandaj Beqir Alia të dilte para punëtorëve e të bënte autokritikë. Këtu ndërhyri Lipe Nashi dhe tha se po të bëhej kështu, në atë mbledhje do të fillonin Beqir Alia e Paskal Sinani nga polimikat e tyre ashtu siç i kishin patur edhe më parë në Institut dhe do të na mbanin me këto. Atëhere unë u thashë se meqë ishte kështu, të shkonim në mbledhjen e punëtorëve e vetëm t’i vinim në dijeni ata për situatën e punimeve të Finiqit. Kështu mbetëm të gjithë dakort.

Të nesërmen, në Stjar, u bë një mbledhje shumë e shkurtër me punëtorët, ku vetëm Beqir Alia u tha punëtorëve se në Finiq kishim vendburim gazi e jo naftë dhe ngriti rëndësinë e këtij vendburimi gazi. Më gjatë mbledhja nuk zgjati e nuk foli njeri tjetër e cila vazhdoi e gjitha nja gjysmë ore.

Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.

 

I PANDEHURI HETUESI

/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /

 

 

 

Banorët i kanë kërkuar qeverisë që të mos përfshijë fshatin e tyre nëse merr një vendim për sjelljen e armëve kimike në Shqipëri, pasi thonë se nëse një gjë e tillë ndodh, ata nuk do t’i ndalin protestat dhe do të bllokojnë rrugën që të çon në uzinë.