Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Theodhosi: Mbingarkesa e vendburimeve ekzistuese (të naftës) do të sillte pasoja serioze

PROCES – VERBAL

Në Tiranë më 18 Prill 1976

Unë, Elham Gjika, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Koço Theodhosi.

Pyetje: Vazhdo i pandehur të japësh shpjegime për sabotimet e rënda që keni kryer në shfrytëzimin e vendburimeve ekzistuese të industrisë së naftës.

Përgjigje: Sabotimet më të rënda në drejtim të shfrytëzimit të vendburimeve ekzistuese të naftës nga unë, Abdyl Këllezi, Lipe Nashi dhe bashkëpunëtorët e tjerë, ne i kemi kryer nga viti 1970 e deri në demaskimin tonë.

Sipas meje, ky sabotim ka filluar që me hartimin e planit të 5-të pesëvjeçar për nxjerrjen e naftës. Në bërjen e këtij plani, si unë, Abdyl Këllezi e Lipe Nashi kemi shkelur e kemi vepruar kundër normave të Partisë e Qeverisë në këtë drejtim. I jemi kundërvënë plotësisht metodologjisë së planifikimit.

Më kujtohet që nga mesi i vitit 1970, Komisioni i Planit, na ka dërguar neve si Ministri e Industrisë, disa orientime për planifikimin e 5 vjeçarit të pestë. Unë këto orientime ua kam dërguar ndërmarrjeve përkatëse për të bërë projektet e planit për këtë 5 vjeçar. Sipas këtyre orientimeve, mbaj mend se ndërmarrjet e prodhimit të naftës me Drejtorinë e Përgjithshme të naftës, bënë parashikimet e tyre për një prodhim i cili do të arrinte në vitin 1975 në 2 milion e 250 mijë ton, duke marrë parasysh edhe zbulimin e vendburimeve të reja. Unë, sëbashku me Ramiz Xhabinë dhe Lipe Nashin e rritëm këtë shifër në 2 milion e 500 mijë ton duke kërkuar që Komisioni i Planit të na jepte më shumë investime nga ato që ai parashikonte në orientimet e tij për sektorin e kërkimeve. Këtë shifër ia dërguam Komisionit të Planit, të cilën edhe ai e parashikonte në orientimet e dhëna.

Nga viti 1971, Komisioni i Planit na dërgoi përsëri kuotat përfundimtare për prodhimin e naftës gjatë 5 vjeçarit të pestë, duke arritur në vitin 1975 në një prodhim prej 2 milion e 500 mijë ton, na vinte një debit më të madh nga ai që kishim parashikuar ne si rendiment të një pusi dhe nuk na jepte investimet që kishim kërkuar për çpim shfrytëzimet. Unë në atë kohë kam biseduar me Abdyl Këllezin për këto çështje dhe ai më tha se nga vendburimet ekzistuese (gëlqerore) ne do të merrnim një rendiment 30-35 ton, të njëjtin rendiment duhet të merrnim edhe nga vendburimet e rinj që do të zbuloheshin gjatë këtij 5 vjeçari, prandaj po të merrnim këto rendimente, nuk ishte nevoja që të shtonim investimet. Unë i thashë Abdylit se marrja e këtij rendimenti nuk ishte e sigurt sepse vendburimi i Visokës arrinte deri në 15 ton në ditë, prandaj mund të gjenim vendburime të reja edhe në ranoret që kishin debite shumë të vogla. Abdyl Këllezi më tha se ata nuk kishim valutë e të shtonim investimet, prandaj ne duhet të shfrytëzonim më shumë vendburimin e Gorrisht-Koculit, sepse ai, sipas të dhënave që kishte Abdyli dhe Ramiz Xhabia, kishte rezerva shumë më të mëdha nga ato që parashikonim ne, prandaj këtë plan mund ta realizonim në pjesën më të madhe duke shfrytëzuar më shumë atë vendburim. Përfundimisht unë me Abdylin nuk mbeta dakord, sepse unë nuk isha dakord me ato rezerva që parashikonte ai dhe Ramiz Xhabia për vendburimin e Gorrisht-Koculit.

Në ato kohë, ne bëmë edhe një mbledhje të përbashkët për këto mosmarrëveshje, ku mori pjesë Abdyl Këllezi, unë, Ramiz Xhabia dhe Lipe Nashi. Në këtë mbledhje Lipe Nashi u tërhoq dhe pranoi mendimet e Ramiz Xhabisë e të Abdyl Këllezit për prodhimin më të madh që duhej të merrnim nga vendburimi i Gorrishtit dhe përfundimisht edhe shifrën e prodhimit të planit të naftës e kuotën e valutës që na kishte akorduar Komisioni i Planit. Në këto rrethana, edhe unë i pranova këto kërkesa të Abdyl Këllezit, pasi këto i pranoi vetë Lipia që do t’i zbatonte dhe se Abdyli përsëri tha se investime më shumë nuk na jepnin sepse nuk kishin.

Nga gjysma e dytë e vitit 1971, një ose dy ditë përpara se të mbahej Pleniumi i KQ që do të diskutonte për shifraa e planit, unë jam takuar me Abdyl Këllezin në Kryeministri dhe duke qenë vetëm të dy, më thotë që planin e naftës e shtuan nga 2.5 milion që ishte për vitin 1975, e bënë 2.7 milionë. Unë e pyeta nëse e kishin menduar mirë këtë punë. Si do të bëhej një gjë e tillë pa shtuar investimet të paktën për shtimin e puseve të shfrytëzimit? Abdyli më tha: “Vendburimet nuk i shtojmë sepse Gorrishti është vendburim që mund të japë shumë më tepër nga ajo që marrim sot.” Unë i thashë se nuk isha dakord me këtë shifër që kishte shtuar. Abdyli më tha: “Kështu duhet bërë për të mbuluar bilancin e tregtisë së jashtme, por ty po ta mbajti ngrehu e kundërshtoje në Plenium. Unë për këtë kam vënë në dijeni shokët (duke më lënë të nënkuptoja shokët e udhëheqjes) dhe po të them që ne kështu do ta paraqesim këtë shifër në Plenium.” Unë u tërhoqa, nuk i kundërshtova më Abdylit dhe as që u ngrita në Plenium të thoja mendimin tim për këtë çështje. Këtë çështje nuk e ngrita në Plenium sepse unë nuk kisha besim tek udhëheqja e Partisë se do të m’i quante të drejta këto çështje, kisha përshtypjen sikur Abdyl Këllezi dëgjohej më shumë, si shpjegova edhe më lart, Abdyli pa më pyetur mua i kishte rritur shifrat e prodhimit të naftës dhe se gjoja për këtë kishin dijeni edhe shokët e udhëheqjes, gjë që unë nuk e besova.

Në këtë periudhë, mua nën ndikimin e Abdyl Këllezit më bëhen më të forta pikëpamjet e mia anti-parti për industrinë e naftës dhe që kam shpjeguar në procesin e mëparshëm hetimor. Këtë e them sepse që kur u hartua ky plan, unë nuk kisha besim se do të realizohej, pasi për bërjen e tij, unë e Lipe Nashi nuk zbatuam normat e Partisë që parashikohen në metodologjinë e planifikimit. Veç kësaj, unë duke qenë kundër perspektivës të vendburimeve ekzistuese që kërkonin normat e Partisë, mendoja që atëhere se për t’u realizuar këto shifra plani, do të vazhdoja gradualisht ta intensifikoja mbingarkesën. Bile edhe kur ne hartuam shifrat e projekt planit, këto vendburime i kishim me njëfarë mbingarkese. Veç sa sipër, mbaj mend se Abdyl Këllezi në ato kohë më kishte thënë që bilancin e tregtisë së jashtme si 5 vjeçar, kryesisht do ta mbulonte industria e rëndë e sidomos nafta, prandaj për naftën do të vinim shifra të mëdha në plan. Kjo thënie e Abdyl Këllezit forconte pikëpamjen time anti-parti se gjoja nga Partia e Shteti kërkoheshin ritme më të mëdha për zhvillimin e industrisë së naftës, nga mundësitë reale që kishte fuqia ekonomike e vendit tonë dhe këtë e lidhja me mos dhënien e investimeve që unë kisha kërkuar për industrinë e naftës.

Të gjitha këto pikëpamje anti-parti që kisha për çështjen e planifikimit të zhvillimit të naftës më bënë mua që edhe për ato çështje që kisha mendime të kundërta me Abdyl Këllezin, të mos i ngrija në udhëheqje të Partisë apo të Qeverisë.

Pyetje: Kush e propozoi Ramiz Xhabinë që të shkonte në Komisionin e Planit?

Përgjigje: Me sa më kujtohet, në ato kohë Ramiz Xhabia ka qenë i sëmurë dhe gjatë një vizite që i bëra në shtëpinë e tij, e pyeta nëse dëshironte të vinte këshilltar në Komisionin e Planit. Ai më tha se ishte dakord për një gjë të tillë dhe në ato ditë unë i propozova Abdylit që ta merrte Ramizin si këshilltar për naftën në Plan. Abdyli e priti shumë mirë këtë propozim timin duke më thënë se po t’ja jepnim ne, ai e merrte menjëherë. Pas kësaj, u veprua sipas rregullave dhe Ramizi shkoi me punë në Komisionin e Planit.

Pyetje: Vazhdo të japësh shpjegime për sabotimet që ke kryer në shfrytëzimin e vendburimeve të naftës.

Përgjigje: Me sa më kujtohet, planet e viteve 1971 dhe 1972 për nxjerrjen e naftës, janë realizuar me njëfarë mbingarkese nga vendburimet Gorrisht-Kocul, Ballsh dhe pak më të madhe Visoka. Në këto vite, nuk patëm ndonjë inondim të këtyre vendburimeve, por edhe deri atëhere unë nuk i kisha raportuar realisht Partisë dhe Qeverisë se këto plane vjetore i kishim realizuar duke i mbingarkuar vendburimet.

Për këto mbingarkesa të vendburimeve ekzistuese kanë qenë në dijeni që gjatë viteve 1971-1972 Abdyl Këllezi dhe Ramiz Xhabia, bile ky i fundit e dinte prej kohësh këtë mbingarkim dhe ishte personi kryesor që luftonte për shtimin e këtij fenomeni që kur ishte drejtor në Ministri. Më kujtohet se gjatë vitit 1972, unë kam biseduar në raste të ndryshme me Abdyl Këllezin për çështjen e planeve të naftës që po i realizonim me mbingarkesë dhe Abdyl Këllezi më thoshte që kjo nuk ishte ndonjë mbingarkesë që u sillte dëm vendburimeve, prandaj ato mund t’i mbingarkonim më shumë. Kështu mbaj mend se aty nga muaji Qershor i vitit 1972, në një rast në zyrën e tij, unë kam biseduar më Abdyl Këllezin dhe ai më tha se në prodhimin e naftës si 5 vjeçar të bënim një shtesë prej 500 mijë tonësh për krijimin e valutës së lirë. Unë, siç kam shpjeguar në proceset e mëparshme, nuk ia pranova Abdylit këtë kërkesë duke i thënë se po të bënim këtë shtesë do t’i mbingarkonim më shumë vendburimet ekzistues dhe kjo do të sillte pasoja serioze pasi do të na përmbyteshin. Abdyli më tha se këtë gjë duhet ta bënim duke i mbingarkuar më shumë vendburimet ekzistuese, sidomos Gorrisht-Koculin dhe të merrnim masa që puset të shfrytëzoheshin në mënyrë sa më racionale, por edhe po të përmbyteshin disa puse, ne përsëri ua merrnim naftën duke i ndarë nga uji. Unë përsëri nuk rashë dakord me Abdylin dhe siç kam shpjeguar në proceset e mëparshme hetimore, Abdyli këtë shtesë e bëri pa pëlqimin tim, por duke rënë dakort me Lipe Nashin.

Në fakt, vendimi i Qeverisë për 500 mijë tonët e naftës për valutë të lirë nuk u realizua që vitin e parë. Unë, këtë rritje të prodhimit të naftës, që në fillim, isha i bindur se nuk do të realizohej, bile bëra edhe shënimin kundër në kopjen e projekt vendimit që m’u dërgua. U vura në dijeni edhe nga Lipe Nashi e Abdyl Këllezi që ishte vendosur kjo rritje, por unë asnjëherë nuk shkova në udhëheqje të Partsië dhe të Qeverisë për të thënë mendimin që kisha, bile këtë nuk e thashë asnjëherë, megjithse ky prodhim nuk u realizua ndonjëherë.

Pyetje: Si e shpjegon ti i pandehur faktin që ke lejuar të futet kaq shpesh në kompetencat e tua Abdyl Këllezi?

Përgjigje: Është e vërtetë që në disa çështje Abdyl Këllezi është futur në kompetencat e mia dhe i ka zgjidhur ato pa dijeninë time ose edhe kundër mendimeve të mia. Kështu planin e prodhimit të naftës si 5 vjeçar e rriti nga 2.5 milion në 2.7 milion, ose rastin tjetër që shpjegova më lartë për rritjen e prodhimit të naftës në 500 mijë ton. Këtë lejim të futjes së Abdyl Këllezit në kompetencat e mia e kam bërë sepse, siç kam shpjeguar edhe në proceset e mëparshme hetimore, të dy me Abdylin, kemi qenë e vepronim bashkërisht kundër vijës së Partisë për disa drejtime, ku një nga këto ishte edhe nafta. Këtë e them sepse, si unë, dhe Abdyli, llogaritë për prodhimin e naftës në planin e pestë 5 vjeçar i kishim bërë duke patur parasysh vazhdimin e mbingarkimit të vendburimeve ekzistuese, ashtu siç vepruam në fakt dhe asnjëherë nuk i raportuam realisht Partisë për këtë çështje, por të dy disinformuam. Veç kësaj, unë mendoja se Abdyli ishte një njeri që me shumë llafe, edhe mosrealizimet e ndryshme përpiqej t’i mbulonte, prandaj thoja që ai do të dinte t’i mbulonte edhe këto mosrealizime në drejtim të naftës.

Pyetje: Vazhdo i pandehur të japësh shpjegime të mëtejshme.

Përgjigje: Siç thashë edhe më lartë, vendimi i Qeverisë për rritjen e prodhimit të asaj sasie nafte nuk u realizua. Unë, i nisur nga pikpamja ime anti parti, se edhe vendimet e Qeverisë në raste të caktuara bëhen jo mbi baza reale e për rrjedhim nuk realizohen, që në fakt ky mosrealizim erdhi nga puna armiqësore e Abdyl Këllezit, imja e Lipe Nashit dhe e të tjerëve që sabotonin në naftë, nuk e zura fare në gojë çështjen e këtij vendimi.

Planet e prodhimit të naftës deri në vitin 1973, janë realizuar në një rritje gjithnjë e më të madhe të mbingarkesës së vendburimeve ekzistuese. Si rezultat i kësaj mbingarkese që u bënim ne vendburimeve, nga fundi i vitit 1973, filloi të dukej shumë inondimi i vendburimit të Visokës e rrjedhimisht, të mos realizonte planin ky vendburim.

Më kujtohet se nga vera e vitit 1972, unë sëbashku me Lipe Nashin, duke parë se nuk po zbulonim ndonjë vendburim të ri nafte dhe kishim prokupacion se si do të realizonim prodhimin e naftës për vitin 1973, kemi organizuar një mbledhje në vendin që quhet “Lajthizë” të Patosit, në të cilën morën pjesë mjaft kuadro të prodhimit dhe të kërkimit të naftës. Në këtë mbledhje, raportuan me radhë sektorët e prodhimit dhe të kërkimit të naftës se si ata kishin realizuar detyrën për 6 mujorin e parë të atij viti. Sektori i prodhimit, megjithëse me një mbingarkesë të vogël, i kishte realizuar detyrat si 6 mujor dhe premtonte se edhe për 6 mujorin e dytë do t’i realizonte. Sektori i kërkimit nuk i kishte realizuar detyrat dhe kritikonte Institutin për përfundimin e projekteve dhe që të jepte objekte për kërkim.

Në këtë mbledhje, Lipe Nashi tha se ne, të gjithë planin e prodhimit të naftës për vitin 1973, do ta realizonim vetëm nga vendburimet ekzistuese duke u shtuar atyre mbingarkesën. Unë i thashë se edhe unë isha dakort me propozimin e Lipes që kështu ta realizonim planin e vitit 1973. Në këtë mbledhje pati shokë që mua e Lipe Nashin na kundërshtuan duke na thënë që këto veprime nuk ishin të rregullta e do na përmbyteshin vendburimet. Por unë, Lipia, Beqir Alia e të tjerë ju kundërvumë këtyre mendimeve, bile në fund unë iu thashë që mbi atë bazë të më dërgonin edhe në Ministri planin e prodhimit të naftës për vitin 1973. Më gjatë nuk më kujtohet të ketë vazhduar kjo mbledhje.

Aty nga muaji Shtator i vitit 1972, Drejtoria e naftës më dërgoi planin e prodhimit të vitit 1973, realizimin e të cilit e mbështeste vetëm në shfrytëzimin me mbingarkesë të vendburimeve ekzistuese. Unë nuk bëra asnjë ndryshim dhe kështu ja dërgova Komisionit të Planit të Shtetit.

Në atë kohë unë kam biseduar me Abdyl Këllezin dhe i thashë atij se për vitin 1973, planin do ta realizonim vetëm nga mbingarkimi i vendburimeve ekzistuese. Abdyli më tha se mirë do të ishte të gjenim edhe ndonjë vendburim të ri se pastaj mund të tejkalonim shifrat e prodhimit të naftës që kishim planifikuar si 5 vjeçar. Unë i thashë Abdylit se mirë do të ishte të bënim një mbledhje të përbashëkt ku të dëgjonim edhe specialistët se çfarë do të na thonin. Abdyli ra dakort dhe aty nga muaji Tetor i vitit 1972, kemi bërë një mbledhje në zyrën e Abdyl Këllezit ku kemi qenë unë, Abdyl Këllezi, Lipe Nashi, Beqir Alia, Ramiz Xhabia, Pupo Shyti dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Në këtë mbledhje, i pari raportoi Beqir Alia duke thënë se ne po vazhdonim kërkimet në zonën e Shushicës dhe kishte mundësi që të na dilte ndonjë vendburim, por pa përmendur fare as ai ose ndonjëri nga ne se edhe këto kërkime, si shumica e kërkimeve të tjera, po kryheshin jashtë rregullave shkencore dhe kundër normave e direktivave të Partisë. Më në fund, Beqiri tha se edhe për vitin 1973, prodhimi duhej të merrej për të realizuar planin nga vendburimet ekzistuese. Mbas Beqirit, foli Lipe Nashi i cili tha se në planin e prodhimit për vitin 1973 do ta merrnim duke mbingarkuar vendburimet ekzistuese, kryesisht Gorrishtin. Ramiz Xhabia tha se edhe nga Gorrishti duhet të merrnin më shumë nga ajo që thonim ne për të plotësuar planin e vitit 1973, me qëllim që të realizonim edhe sasinë e parashikuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për 500 mijë tonëshin e valutës së lirë. Unë u thashë që nuk duhet të merrnim më shumë nga Gorrishti sepse e kishim mbingarkuar tepër e do të na përmbytej, ndërsa zbatimin e këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, ta linim në vartësi të gjetjes së ndonjë vendburimi të ri gjatë vitit 1973, sepse kjo në fund të fundit ishte një shtesë mbi planin. Abdyl Këllezi pranoi propozimin tonë që plani i vitit 1973 të realizohej ashtu siç e kishim paraqitur ne dhe nuk më kujtohet të kemi biseduar më gjatë në këtë takim.

Pra, këtu të gjithë ne bashkërisht veprojmë kundër normave të Partisë për shfrytëzimin e naftës dhe nuk i themi të vërtetën Partisë dhe Qeverisë se planet e atyre viteve po i realizonim vetëm nga vendburimet ekzistuese duke i mbingarkuar gjithnjë e më shumë. Unë nuk di që ne të jemi mbledhur, ose të paktën unë me ndonjërin të kemi biseduar hapur për të sabotuar prodhimin e nafës duke iu kundërvënë rregullave shkencore dhe normave e direktivave të Partisë për prodhimn e naftës, por ama të gjithë vepronim njësoj, të gjithë ishim dakort që të mbingarkonim gjithnjë e më shumë këto vendburime deri në inodimin e tyre megjithëse rregullat shkencore dhe vendimet e Partisë e dinim se kërkonin që nga vendburimet të merrnim debite të qëndrueshme dhe për një kohë sa më të gjatë. Veç kësaj, asnjëri nga ne nuk e raportoi realisht këtë gjendje të podhimit të naftës në udhëheqjen e Partisë e të Qeverisë. Edhe për këtë, unë nuk mbaj mend që të kemi biseduar e të kemi vendosur me njeri-tjetrin që të disinformonim, por është fakt se të gjithë njësoj vepruam. Unë, këto faje të rënda i kam kryer sepse siç kam thënë edhe më parë, veprimet e mia kanë qenë realizimi i pikpamjeve anti parti që kisha edhe për prodhimin e naftës, e dija që isha me faj dhe nuk kisha se si t’i raportoja Partisë të vërtetën për këto gjëra.

Proces – Verbalin e lexova, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe e firmos.

I PANDEHURI HETUESI

/ KOÇO THEODHOSI / / ELHAM GJIKA /

Gazeta Dita, 12.11.2013