Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

10 milionë për termocentralin që duhet mbyllur

Investimet e reja që po bëhen në termocentralin “Kosova A” të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) po shqetësojnë ata që merren me ambientin dhe pasuritë nëntokësore të Kosovës. Ata këtë po e shohin si shenjë se plani për mbylljen e këtij termocentrali që dikur është konsideruar edhe “dinosauri i KEK-ut”, po ndryshon, duke krijuar hapësirën për mbajtjen në jetë të termocentralit “Kosova A”. Miliona euro janë duke u shpenzuar për vendosjen e hidraulikëve që mundësojnë bartjen e hirit fluturues, më saktë hirit që del nga oxhaqet e termocentralit. Rreth 9 milionë nga KEK-u dhe një milion euro nga Banka Botërore rrumbullakojnë shifrën prej 10 milionë investim në Termocentralin “Kosova A”, i cili duhet të mbyllet në vitin 2017. Ritmi i ndërrimit të shiritave klasikë të cilët transportojnë hirin në sistemin hidraulik është shtuar muajve të fundit edhe pse BE-ja ka rekomanduar që edhe 3 vite, “Kosova A” të pushojë së prodhuari energji për shkak të ndotjes së ambientit. Edmond Nurelleshi, drejtor Ekzekutiv i Shërbimeve të Korporatës, ka thënë se për dallim nga Kosova B, ku problemi i transportit të hirit është eliminuar, ky problem në Kosova A po vazhdon të shqetësojë banorët përreth. “Te ‘Kosova A’ vazhdon ky problem, transporti i hirit ende bartet me shirita klasikë dhe shkon në deponinë aktive. Jemi në proces të përfundimit të objektit të ri ku do të bëhet përpunimi i hirit në mënyre hidraulike, dhe kemi investuar 9 milionë euro KEK-u dhe 1 milion Banka Botërore” ka thënë Nurelleshi për Zëri. Ai më tej ka thënë se janë në dijeni se në vitin 2017 duhet të mbyllet ky impiant, por këto investime i ka arsyetuar duke thënë se duhet përmbushur obligimet ligjore deri sa vazhdon të jetë aktive Kosova A. “Po, gjithsesi pritet me u mbyll, po secili impiant e ka jetëgjatësinë e vet dhe deri sa punon është obligim ligjor që ne duhet ta përmbushim, dhe nëse funksionon edhe një vit edhe pse parashihet deri në vitin 2017 deri atëherë do t’ia lehtësojë jetën qytetarëve të kësaj ane” ka deklaruar drejtori ekzekutiv i shërbimeve të Korporatës. Por, Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv në KFOS, ka thënë për “Zëri” se këto investime janë duke u bërë me tendencë që të shtyhet afati i mbylljes së termocentralit Kosova A. “Iu frikësohem këtyre investimeve se mos po përgatiten që mos me e mbyll termocentralin Kosova A në vitin 2017 ashtu siç edhe ishte paraparë”, ka thënë Shllaku, duke shtuar se logjika e kësaj pune është se afati i mbylljes siç po shihet nuk po u konvenon vetëm kosovarëve, por edhe përfaqësuesve të Bankës Botërore në Kosovë. 55 milionë tonë hi në deponi Hiri në deponitë e KEK-ut ka një vlerë, pasi disa prodhues të çimentos dhe tullave e marrin këtë hi dhe e shtien në përdorim, ndonëse në sasi shumë të vogla. Derisa të përfundojë objekti në të cilin KEK-u po investon 10 milionë euro, i cili do të bëjë përpunimin e hirit në mënyrë hidraulike, deponia e Kosovës A do të vazhdojë të jetë aktive. Edhe pse i ndarë në Kosova A dhe B, KEK-u vazhdon që në deponitë e saj të ketë mbeturina industriale në sasi prej 55 milionë tonë hi.

Gazeta Zeri, 19.10.2013