Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kontrata për interkonjeksionin deri në fund të vitit

Kontrata për ndërtimin e linjës 400 kilovoltë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, pritet të përfundojë deri në fund të vitit.

Kështu thonë zyrtarë të Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT). Sipas tyre, projekti për ndërtimin e linjës është në rrugë të mbarë.

Zana Rama, zyrtare për informim nga KOSTT, ka konfirmuar se kontrata për ndërtimin e linjës të nënshkruhet deri në fund të vitit.
“Nëse ndërtimi shkon sipas parashikimit, në fund të vitit 2015 linja do të jetë në operim, respektivisht, 24 muaj nga momenti i fillimit”ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

Ajo më tej ka thënë se ky projekt për ndërtimin e linjës 400 kilovoltë, Kosovë-Shqipëri, është projekt i përbashkët i Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Shqipërisë (OSTSH).

Sipas saj, fillimi i implementimit të projektit është në interes te të dyja vendeve, si Kosovës ashtu edhe Shqipërisë.

”KOSTT-i është shumë i interesuar për implementimin e këtij projekti, duke pasur parasysh benefitet që do t’i kenë të dyja vendet nga ndërtimi i linjës”, është shprehur ajo. Ndërtimi i linjës, sipas saj do të ndikojë në optimizmin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve Elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut te të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.

Sipas saj, ndërtimi i linjës në fjalë do të mundësojë shkëmbimin më të madhe të energjisë elektrike në mes të dy vendeve, sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë.

Ndërkaq, financimi i projektit të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri për pjesën e Kosovës do të bëhet nga Qeveria Gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfË, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe KOSTT.
Vlera e përgjithshme sipas saj do të jetë 33.5 milion euro, nga e cila 16.5 milion grant, ndërkaq 17 milion kredi.

Ngjashëm, qeveria Gjermane nëpërmjet KFW gjithashtu do të financojë pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë.

Në anën tjetër. Agron Demi nga Instituti “GAP” thotë se Qeveria e Kosovës e ka shpallur linjën 400 kilovoltë mes Kosovës dhe Shqipërisë si interes i përgjithshëm kombëtar më 18 gusht 2010.

Sipas tij, ky projekt mund të ndikojë pozitivisht në Kosovë sa i përket furnizimit më të sigurt me energji gjatë kohës kur Shqipëria ka rezerva.

“Investimet në ketë linjë për herë të parë janë bërë në maj të vitit 2011 dhe gjithsej do të kapin shumën prej 34 milionë eurosh. Ndërtimi i kësaj linje pritet që të përmirësojë mundësitë për furnizimin me energji elektrike në Kosovë, veçanërisht gjatë kohës së dimrit dhe do të mundësojë shkëmbimin e energjisë në mes të këtyre dy vendeve. Qeveria gjermane ka ndarë një grant prej 16.5 milionë eurosh, ndërsa Banka Gjermane për Zhvillim ka lëshuar një kredi të butë në shumën prej 17 milionë eurosh për ndërtimin e kësaj linje të energjisë. Kanë kaluar më shumë se tri vite prej kur është vënë gurë themeli i këtij projekti në Kosovë, por për shkak të pengesave që ka shkaktuar Republika e Shqipërisë, ky projekt nuk pritet të përfundojë para 2015” ka thënë ai.

Sipas tij, në mungesë së linjës më së shumti kanë përfituar kompanitë dhe biznesmenët të cilët merren me tregtinë e energjisë, sidomos biznesmenët serb.

Po ashtu, sipas tij buxheti i Kosovës përgjatë këtyre viteve ka shpenzuar mesatarisht rreth 20 – 40 milion euro në importimin e energjisë elektrike në vit.

Gazeta Zeri, 13.10.2013