Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta i rikthehet humbjeve

Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, pasi të dhënat jozyrtare në SHBA treguan një rritje më të madhe se parashikimet të rezervave, gjatë javës së kaluar. Të dhënat sugjerojnë se kërkesa për naftë mund të jetë dëmtuar nga rritja e numrit të të prekurve me Covid-19. Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme nga administrata amerikane.

Ndërkohë, në konferencën e parë për mediat mbi pandeminë, pas disa muajsh, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se situata do të përkeqësohet përpara se të përmirësohet sërish. Referuar të dhënave të publikuara në SHBA, Instituti Amerikan i Naftës raportoi se rezervat e naftës bruto u rritën me 7.5 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, kundrejt parashikimeve për një rënie me 2.1 milionë fuçi. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 44 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 41.5 dollarë për fuçi. Në sesionin e kaluar, dy bençmarkët kryesorë fituan rreth 1 dollar duke prekur nivelin më të lartë që nga 6 marsi.

Përsa i përket koronavirusit, Shtetet e Bashkuara raportuan më shumë se 1 mijë viktima nga Covid-19 ditën e martë. Çmimet po gjenden nën presion edhe nga të dhënat e publikuara në Japoni, që është ekonomia e tretë më e madhe në botë. Aktiviteti i fabrikave u kontraktua për të 15-in muaj me radhë, gjatë korrikut, që sugjeron një aktivitet të dobët ekonomik edhe në tremujorin e tretë për shkak të pandemisë.

Scan,  22.07.2020