Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta publikon humbje javore

Nafta po qëndron në rënie të konsiderueshme në sesionin e fundit të javës, duke zgjeruar humbjet e një dite më parë. Investitorët i frikësohen një izolimi tjetër të popullatës, për shkak të rritjes së infektimeve me koronavirus në SHBA dhe në shumë vende të tjera të botës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 42 dollarë për fuçi, pas rënies me rreth 2% në sesionin e kaluar. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 39 dollarë për fuçi, ndërsa një ditë më parë humbi 3% të vlerës.

Shumë analistë parashikojnë se kërkesa për naftë mund të ngadalësohet si pasojë e përhapjes së pandemisë, në një kohë që Shtetet e Bashkuara po regjistrojnë shifra rekord të infektimeve të reja. Më shumë se 60 mijë raste të reja me Covid-19 u raportuan të enjten në SHBA. Në Australi, qeveria po konsideron një reduktim të numrit të qytetarëve që rikthehen nga jashtë vendit, në një kohë që autoritetet urdhëruan izolimin e Melburnit, qyteti i dytë më i populluar në këtë vend.

Një shqetësim tjetër për investitorët janë edhe rezervat e larta në SHBA, për shkak të dëmtimit të kërkesës për naftë dhe benzinë. Të dhënat zyrtare treguan se, rezervat e naftës bruto në Amerikë u rritën me rreth 6 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, ndërsa analistët parashikonin një rënie të tyre.

Scan,  11.07.2020