Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nis krijimi i trupës së audituesve të eficençës së energjisë

Agjencia për Efiçencën e Energjisë ka nisur krijimin e trupës së audituesve të energjisë, e cila do të ketë si detyrë auditimin dhe certifikimin e të gjitha godinave shtetërore apo private dhe pajisjen e tyre me certifikatë energjie. Për herë të parë në vendin tonë është zhvilluar sot testimi për audituesit e energjisë, një proces në të cilin kanë marrë pjesë 82 aplikantë të kualifikuar pas një vlerësimi paraprak.

Drejtori i Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, Evis Berberi në një prononcim për mediat, bëri të ditur detaje sa i takon testimit. Sipas tij janë katër module dhe aplikantët për t’u kualifikuar duhet të përgjigjen saktë, minimalisht 50% të pyetjeve të secilit modul.

“Testimi konsiston në tre tipologji audituesi, që janë audituesi i ndërtesave, audituesi i proceseve dhe audituesi i ndërtesave dhe proceseve bashkë. Pra kemi tre lloj audituesish, që do të dalin në terren. Vetë provimi ka katër module, të cilët kanë nga 10 pyetje dhe çdo person i testuar duhet të marrë minimalisht 50% të këtyre pyetjeve për t’u kualifikuar si auditues”, sqaroi Berberi.

Ky është një proces mjaft i rëndësishëm, pasi pas certifikimit këta auditues do të dalin në terren dhe do të bëjnë auditimin e godinave. Sipas legjislacionit në fuqi çdo objekt, që do ndërtohet i ri duhet të jetë patjetër i pajisur me një certifikatë energjie paraprake dhe më vonë me një certifikatë përfundimtare. Po ashtu, çdo objekt, i cili shitet apo jepet me qira duhet të ketë patjetër certifikatën e klasit të energjisë.

“Kualifikimi i audituesve dhe certifikimi i tyre hap tregun e Efiçencës së Energjisë, i cili është një treg shumë i rëndësishëm në kuadër të vetë energjisë dhe reduktimit të konsumit të saj në territorin e Republikës së Shqipërisë. Është një proces, i cili nuk ndikon vetëm tek energjia, por ka të bëjë me banesat, industrinë dhe transportin. Është një agjenci e re, jemi në ristrukturim dhe me mbështetjen e madhe të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, po punojmë fort për të arritur qëllimin tonë që është eficenca dhe në këtë rast eficenca e agjencisë tonë”, nënvizoi Berberi.

Drejtori i Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, saktësoi se sipas studimeve Shqipëria ka nevojë për 300 deri në 400 auditues, por ky nuk është një numër i kufizuar, pasi mjafton që aplikanti të ketë përfunduar kursin pas universitar dhe më pas të marrë pikët e nevojshme në provim për t’u pajisur me certifikatë.  Berberi theksoi gjithashtu se pritet që Kuvendi të miratojë edhe aktet nënligjore, sa i takon kushteve minimale dhe metodologjisë, duke e vënë kështu Agjencinë në efiçencë të plotë.

Monitor,  23.05.2020