Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Borxhet qindra milionë euro ndaj njëra-tjetrës, “mbysin” kompanitë publike të energjisë

Kur reforma në sektorin e energjisë do të niste në fund të vitit 2014 së pari me aksionet për uljen e lidhjeve informale dhe arkëtimin me çdo kusht të detyrimeve të papaguara zhargoni që u përdor më shumë ishte risku i kolapsit të sektorit.

Por përveç qytetarëve “borxhlinj”, kompanitë publike të energjisë nga Korporata Elktroenergjetike Shqiptare tek Operator i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit ishin zhytur në borxhe edhe mes njëra-tjetrës.

Lëmshi i krijuar për shkak të shëbrimeve apo produkteve të marra e të papaguara, kamatvonesat apo huamarrjet bënë që të flitej për qindra milionë euro detyrime. Shumica ishte energji e prodhuar e faturuar për shpërndarje dhe e papaguar. Por në vitin 2019 situata e borxheve vazhdon të jetë problematike mes kompanive edhe pse në fuqi janë disa marrëveshje për shlyerjen e tyre.

Situata jo e favorshme hidrike nga njëra anë me importe të lartë në 2017 dhe 2019 si dhe investimet që duhet të realizohen në kuadër të uljeve të humbjeve në një rrjet të amortizuar i kanë lënë pak hapësira kompanive që të përmirësojnë shlyerjen e borxheve.

Enti Rregullator i Energjisë(ERE) raporton se aktualisht po konsultohet disa rekomandime nga një konsulent i kontraktuar nga qeveria për të gjetur një rrugë optimale për zgjidhjen e situatës si dhe mos krijimin e detyrimeve të reja. Por si paraqitet situata e borxheve konkretisht në 2019.

“KESH sh.a. ka bërë me dije se gjatë vitit 2019, marrëdhënia tregtare me OSHEE përsa i përket shlyerjes së detyrimeve korrente për shit-blerje të energjisë elektrike ka qenë korrekte dhe brenda afateve, duke mos krijuar borxh të ri gjatë kësaj periudhe.

Përsa i përket detyrimeve të prapambetuara që OSHEE sh.a ka ndaj KESH sh.a dhe i përkasin viteve 2011-2016, ndërmjet kompanive është nënshkruar tashmë marrëveshja me nr. 208 Rep, datë 06.04.2018 “Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura”. OSHEE sh.a. ka paguar këstin e parë në vitin 2018 sipas skedulit të kësaj marrëveshjeje dhe detyrimi i mbetur ndaj KESH sh.a. për këtë periudhë kohore është në vlerën rreth 50.8 miliardë lekë” thuhet në raportin vjetor të ERE.

Raporti sjell në vëmendje edhe një borxh që KESH ka ndaj OSHEE. Gjenerimi i detyrohet 5.2 miliardë lekë kompanisë së shpërndarjes si kompensim për mosrealizim të kërkesës për energji për vitin 2017.

“Ky detyrim është njohur nga KESH sh.a. në vitin 2019, si rezultat i faturës së prerë nga OSHEE sh.a. në mars të vitit 2018, thotë raporti.

I njëjti sjell në vëmendje edhe marrdhenien e kompanisë së gjenerimit me atë të transmetmit dhe situatën e tyre të borxheve.  Sipas ERE marrëdhënia tregtare mes KESH sh.a. ka me OST sh.a. është përmirësuar gjatë vitit 2019, në drejtimin e pagesave të bëra nga OST sh.a., kryesisht për faturat e shërbimeve ndihmëse dhe energjisë së blerë për humbjet në rrjetin e transmetimit, duke shlyer dhe detyrime të prapambetura të akumuluara deri në dhjetor të vitit 2018 për këto zëra.

“Për energjinë e blerë nga OST për disbalanca dhe për shërbimin e balancimit, detyrime të cilat kanë dhe vlerën më të madhe në totalin e borxhit, nga kjo kompani nuk bëhen pagesa ndaj KESH sh.a., duke akumuluar kështu detyrime për këto dy zëra që nga viti 2016, në vlerën 4.2 miliardë lekë” nënvizon ERE.

Monitor,  20.05.2020