Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers, “Të detyruar të ulim prodhimin”

Flet Drejtori i Përgjithshëm i Bankers, Xingyun Sun

“Kriza ka vënë Bankers në vështirësi për shitjen e produktit dhe depozitimin e tij”

Kompania më e madhe e prodhimit në vend të naftës, Bankers, për shkak të pandemisë botërore, këto ditë ka ulur prodhimin. Drejtori i Përgjithshëm i Bankers, Xingyun Sun, në intervistën për “Monitor”, flet mbi sfidat e tregut për shkak të koronavirusit.

Zoti Sun thotë se në kushtet e Forcës Madhore e cila po zbatohet nga qeveria e Spanjës, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, situata aktuale është ende shumë dinamike dhe rrethanat ndryshojnë shpejt. Por përfaqësuesi i kompanisë shprehet se për shkak të krizës globale, sot Bankers është në vështirësi për shitjen e produktit dhe depozitimit të tij.

Cili është ndikimi i situatës pandemike në kompaninë tuaj?

Përhapja e virusit Covid-19, dhe si pasojë shpallja e pandemisë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është një krizë e jashtëzakonshme globale që na prek të gjithëve ne.

Përhapja e shpejtë e këtij virusi ka sjellë përkeqësim të perspektivës ekonomike, çmime të ulëta të naftës dhe trazira në tregjet financiare në të gjithë botën. Çmimi i naftës ka rënë në nivelet më të ulëta që nga 2002, pasi kërkesa për naftë është në kolaps, si pasojë e pandemisë. Çmimi i Brent ka rënë deri në 20 dollarë për fuçi, në muajin e kaluar çmimet e naftës janë më shumë se përgjysmuar, ndërsa kompanitë e naftës ndërprenë ose ulën prodhimin. Përveç rënies së kërkesës, ndikoi negativisht edhe konflikti në fillim të këtij muaji midis Arabisë Saudite dhe Rusisë.

Nga ana tjetër, rafineritë kanë vendosur të ulin prodhimin. Vendimi erdhi ndërsa rafineritë në të gjithë botën po përpunojnë me pak naftë të papërpunuar. Kërkesa për transport është bllokuar nga linjat ajrore dhe më pak makina në rrugë, ndërsa vendet kanë marrë masa më të ashpra për të luftuar shpërthimin e koronavirusit.

Prandaj, kërkesa për naftë bruto ka ndikuar negativisht në Bankers, e cila varet edhe nga kërkesa e tregut dhe çmimi i naftës.

Me çfarë problemesh po përballet kompania Bankers në këtë situatë?

Bankers është informuar nga blerësi ynë kryesor i naftës së papërpunuar për shpalljen e Forcës Madhore, për shkak të zbatimit nga Qeveria e Spanjës e një gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Prandaj kjo kompani aktualisht nuk është në gjendje të parashikojë se sa do të zgjasë kjo situatë e Forcës Madhore, ose të parashikojë efektet e saj të plota, pasi situata aktuale është ende shumë dinamike, që do të thotë se rrethanat po ndryshojnë shpejt.

Kjo e ka vënë Bankers në një situatë shumë të vështirë, për shitjen e produktit dhe çka është më e rëndësishme, për depozitimin e tij.

Bankers Petroleum po përpiqet të bëjë më të mirën për të zbutur ndikimin Covid-19 dhe të ruajë aktivitetet e prodhimit sa më shumë që të jetë e mundur. Terminali ynë i eksportit në Vlorë, PIA, ka mundësuar depozita shtesë për naftën tonë dhe aktualisht ne po përdorim të gjithë inventarët (depozitat) e disponueshëm në fushën e naftës Patos-Marinza. Por edhe këto përpjekje, me siguri nuk do të jenë të mjaftueshme për të lejuar kompaninë të vazhdojë prodhimin në nivelet tona maksimale, dhe për këtë arsye, Bankers nuk ka zgjidhje tjetër përveç që të zvogëlojë vëllimet ditore të prodhimit në një përpjekje për të shmangur situatën, duke qenë se të gjitha depozitat janë plot.

Çfarë masash po merrni, duke qenë se jeni në kushte të vështira për shitjen e produktit dhe depozitimit të tij?

Bankers është duke kërkuar mundësi të tjera për tërheqjen e prodhimit në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, por për shkak të rritjes së inventarëve në të gjithë botën, gjetja e një blerësi është shumë e vështirë nëse jo e pamundur.

Monitor 07.05.2020