Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Moti i keq shkakton ndërprerje energjie në vend

Ulja e temperaturave ka bërë që rrugët të kenë më shumë ngrica sot në veri dhe juglindje të vendit

ARRSH bën me dije se kontraktorët janë në terren dhe po hapin dhe kriposin akset më problematike, ndërkohë që i bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të kenë kujdes dhe të pajisen me zinxhirë.

Në fshatrat e Dukagjinit dhe në Kelmend, dëbora ka arritur deri në 15 centimetër, ku si pasojë banorët prej disa ditësh janë pa energji elektrike dhe i bëjnë apel OSHEE-së që të ndërhyjë.

Mungesë energjie ka edhe ne fshatrat e Bulqizës, por në zonat ku dëbora ka arritur 40 cm lartësi, banorët janë izoluar.  Në portet e vendit ndërkohë situata paraqitet disi më e përmirësuar në Durrës. Në mbrëmje dy tragetet e radhës që do të niseshin drejt Barit pezulluan lundrimet në pritje të përmirësimit të situatës detare në brigjet perëndimore të Adriatikut, në Bari.

Të gjithë udhëtarët u njoftuan për këtë pezullim, ndërkohë që me hapjen e portit italian pritet që lundrimet nga Durrësi të rinisin rreth orës 22.30 të së enjtes. Nga ana tjetër e Adriatikut, porti italian i Barit ka hapur dyert, duke zhbllokuar situatën e 357 udhëtarëve që mbetën të bllokuar në tragete prej më shumë se 24 orësh në dalje të këtij porti, që u mbyll si pasojë e motit të keq të mërkurën.

Vijon të jetë i përkeqësuar moti në Vlorë. Deti me dallgë  deri me pesë ballë ndaj edhe sot lundrimi është  pezulluar për shkak të detit të trazuar. Burime nga kapiteneria e Vlorës bëjnë me dije se edhe ditën e sotme moti do vijojë të jetë i përkeqësuar, ku në mbrëmje pritet të ulet fuqia e detit. Ndërkohë tragetet e linjës Vlorë-Brindisi ende nuk kanë njoftim për të kryer itinerarin e tyre drejt Italisë.

Top Channel, 06.02.2020