Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tregu i naftës, kompani nga gjithë bota njoftojnë shitje-blerjet e aksioneve në Shqipëri

Autoriteti shqiptar i Konkurrencës ka ftuar të interesuarit të shprehen për një transaksion që fillon në Hungari, vijon në Hollandë dhe përfundon në ishujt e Bermundës në tregun e naftës. Sipas njoftimit është depozituar njoftimi në lidhje me transaksionin e përftimit e kontrollit të shoqërisë Chevron Khazar Ltd nga shoqëria Mol Crossroads B.V .

Pala blerëse, Mol Crossroads B.V është një shoqëri me seli ligjore në Amsterdam, Hollandë, e themeluar sipas legjislacionit holandez, e zotëruar tërësisht nga Mol Hungarian Oil dhe Gas Public Limited Company, korporatë e regjistruar sipas legjislacionit Hungarez, e cila është shoqëria mëmë në Mol Group.

Mol Group ka aktivitet kryesor: eksplorimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës së apërpunuar, furnizimin me produktet e rafinuara të naftës, si me shumicë dhe pakicë, prodhimin dhe tregtimin e lëndëve petrokimike, eksplorimin dhe prodhimin e gazit natyror dhe transmetimin e gazit natyror në Hungari.

Autoriteti Konkurrencës thotë se Mol Group nuk është prezent në Shqipëri nëpërmjet fialeve të tij por sipas sqarimeve të Autoritetit të Konkurrencës për Monitor ka shitje të naftës në Shqipëri dhe plotëson kriteret e xhiros.

Sipas nenit 12 të ligjit shqiptar të konkurrencës, përqendrimet e ndërmarrjeve njoftohen në Autoritet për të marrë autorizim, nëse, në vitin e fundit financiar, para përqendrimit:

a) xhiroja e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku në tregun ndërkombëtar është më shumë se 7 miliardë lekë dhe xhiroja e të paktën një ndërmarrjeje pjesëmarrëse, në tregun e brendshëm, është më shumë se 200 milionë lekë.

b) xhiroja e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku në tregun e brendshëm është më shumë se 400 milionë lekë dhe xhiroja e të paktën një ndërmarrjeje pjesëmarrëse, në tregun e brendshëm, është më shumë se 200 milionë lek

Pala shitëse, Chevron Global Ventures Ltd është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit të ishujve të Bermudës. Shoqëri objekt/target i transaksionit është Chevron Khazar Ltd, është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit të ishujve të Bermudës, e cila zotërohet tërësisht nga Chevron Global Ventures Ltd, pjesë e Chevron Corporation. Aktiviteti i Chevron Khazar Ltd përfshin operacione të naftës në Azerbajxhan.

Autoriteti i Konkurrencës thotë se “nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të Ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros. Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës”.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Monitor,  17.01.2019