Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Motori përplasi depozitën, shpërthen karburanti në Kombinat

Një motor humbi kontrollin dhe përplasi depozitën e gazit duke çarë tubin që shkaktoi më pas rrjedhje dhe shpërthimin e flakëve në një pikë karburanti. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e sotme rreth orës 18:46 në rrugën “Llazi Miho” në hyrje të Kombinatit. Report Tv siguroi pamjet nga vendi i ngjarjes, të flakëve që pushtuan për pak minuta karburantin ‘Braka’ duke shkaktuar panik në zonën e Kombinatit, ku fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar, pasi punonjësit dolën me shpejtësi.

Sipas policisë ngjarja ishte aksidentale ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit te bombola që shërbente për furnizimin e automjeteve, por Report Tv zbuloi si qëndronte e vërteta. Burime për Report Tv pohuan se shkak për shpërthimin e zjarrit u bë përplasja e një motori shumë pranë depozitës së gazit. Drejtuesi i një motori pasi humbi kontrollin, rrëshqiti duke u përplasur me depozitën e gazit duke çarë tubin. Motoristi sipas banorëve u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas zjarrit, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për të zbuluar identitetin e tij.

Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie dhe të zjarrfikëses bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur rrezikun e përfshirjes së mëtejshëm të tij te banesat e tjera që ndodhen pranë. Efektivët vendosën perimetrin e sigurisë dhe larguan të gjithë qytetarët duke bllokuar aksin rrugor për disa minuta. Për arsye siguri në zonën e Kombinatit ku ndodhi ngjarja u ndërpre edhe energjia elektrike.

Drejtori i zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj ka shkuar në vendin e ngjarjes ku në flakë u përfshi një depozitë gazi në zonën e Kombinatit. Ai ka thënë se nuk ka patur shpërthim pasi zjarrfikësit ndërhynë me shpejtësi, ndërkohë është shprehur se ende nuk dihet gjendja e depozitës së gazit që sipas tij mban 2000 litra gaz.

Ndër të tjera Goxhaj ka thënë se marrja flakë e gazit ka ardhur pas një përplasje të një motori me depozitën.

“Ka patur rrjedhje gazi, bombola mban 2000 litra nuk dimë se sa ishte gjendja aktuale. Karburanti nuk është dëmtuar. Do te flas per menyren e fikjes se zjarrit. Është bërë në mënyrë të përsosur. Nuk kemi patur shpërthim ka pasur vetëm flakë. Ka qenë shumë e vështirë. Fikja me sukses e këtij zjarri është sukses i sotëm. Kemi informacion që një motor ka kaluar mbi të, ky është edhe shkaku i rrjedhjes së gazit.” tha  Shkëlqim Goxhaj.

Shqiptarja.com  27.12.2019