Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OPEC ul prodhimin e naftës

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), Rusia dhe vendet e tjera prodhuese të naftës kanë rënë dakord për të ulur më tej prodhimin e hidrokarbureve, si një tjetër përpjekje për të rritur çmimin e naftës së papërpunuar, i cili për shkak të lulëzimit të prodhimit amerikan duket se prej muajsh po luhatet në kuota shumë të ulëta.

Kështu, pas një takimi në Vjenë, OPEC ka bërë me dije se grupi i prodhuesve do të zvogëlojë prodhimin me rreth 500 mijë fuçi në ditë, duke bërë që në total niveli i përbashkët i prodhimit të të gjitha vendeve të përfshira në marrëveshje të arrijë në 1.7 milion fuçi më pak në ditë.

Të udhëhequr nga Arabia Saudite, OPEC dhe aleatët e saj e kanë mbajtur prodhimin në nivele të kufizuara që nga viti 2017. Rregullimet në fjalë kanë arritur disi të mbajnë çmimet të qëndrueshme, megjithëse ato mbeten shumë poshtë nivelit 70 dollarë për fuçi, si vlera më e lartë e arritur në tetor 2018.

Megjithatë problemi është që vendet jo-OPEC, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të rritin prodhimin dhe çmimet luhaten me rënie të herëpashershme.

Prodhimi i naftës nga vendet jo-OPEC pritet të rritet me 2.3 milionë fuçi në ditë në vitin 2020, sipas firmës Rystad Energy dhe kjo do thyente edhe rekordin e mëparshëm për nivelin më të lartë të prodhimit, prej 1.96 milion vendosur në 1978.

Telegrafi,  10.12.2019