Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Orientimi drejt makinave elektrike po rrit kostot e industrisë së automobilave

Me nxjerrjen në Frankfurt të Id.3, Volkswagen i jep drejtimin sektorit auto: e ardhmja është tek bateria. Por revolucioni ka kosto të mëdha që do të ndikojnë në rënien e fitimeve. Sektori italian i automobilave është gjithashtu në rrezik. 

Prodhuesve të makinave do tu duhet të investojnë 225 miliardë dollarë deri në vitin 2023, 20 përqind më shumë sesa kostot që kanë tani. Dhe investimet peshojnë mbi fitimet: sipas Alixpartners, fitimet bruto të prodhuesve të makinave mund të bien me 60 miliardë dollarë deri në vitin 2023. 

Bashkë me prodhuesit po e pësojnë edhe blerësit, veçanërisht ata që përdorin katër rrotat për të shkuar punë. Nuk është rastësi që protesta e “jelekëve të verdhë” në Francë shpërtheu pikërisht pas propozimit për rritjen e çmimit të karburanteve.

Edhe pse i reduktuar në vetëm katër pavione në vend të tetë që ka zakonisht, Motor Show i Frankfurtit, që u mbyll më 22 shtator, prapëseprapë do të hyjë në histori: aty u ekspozua Volkswagen Id.3, një makinë e vogël, plotësisht elektrike, me autonomi mbi 330 kilometra dhe që do të ofrohet me çmim afër 30 mijë euro.

Nuk është e vetmja veturë me bateri të paraqitur në panairin gjerman: duke shëtitur në pavione mund të gjesh me dhjetëra, nga modeli i ri hibrid me zero emision i Audi deri tek Porshi i parë plotësisht elektrike. Por Id.3 ka më shumë rëndësi sepse ajo do të jetë “makina e re” e Volkswagenit, trashëgimtari i Golf-it, i krijuar për të vijuar epokën e makinave elektrike. 30,000 njerëz e kanë porositur tashmë një Id.3 të re, edhe pse nuk e kanë parë.

Dhe kur Volkswagen i madh ndjek një linjë, të jeni të sigurtë se e gjithë industria do të lëvizë në atë drejtim, dhe se revolucioni vërtet sapo ka filluar. Kompania gjermane që është grupi më i rëndësishëm automobilistik në botë do të investojë 80 miliardë euro në veturat me bateri në vitet e ardhshme, dy herë më shumë sesa Daimler, apo dhjetë herë më shumë se parashikimi i kostove nga General Motors.

Deri në vitin 2025, prodhimi vjetor i makinave elektrike të markës Volkswagen planifikohet të rritet në 3 milion vetura, kundrejt 40 mijë që është aktualisht.

“Ne sapo kemi filluar ti shohim efektet e këtij revolucioni, më i madhi në industrinë e automobilave që  vjen në një kohë që sektori duket se është në një rënie ciklike. Për ti kaluar me sukses këto kohë të turbullta, operatorëve u duhet të jenë proaktivë dhe të guximshëm”, paralajmëron Dario Duse, drejtori i AlixPartners, një kompani konsulente që kryen një studim të thelluar për makinat për çdo vit. Kjo në fakt nuk është një kohë e lehtë për sektorin: vitin e kaluar prodhuesit gjermanë panë rënien e tyre me 500 mijë makina, duke shkaktuar një seri efektesh zinxhir edhe për furnitorët e tyre, madje edhe për ato italianë. Midis 2017 dhe 2018, shitjet në tregun më të madh në planet, atë kinez ranë nga 28 në 27 milion automjete të vogla dhe pritet të bien në më pak se 25 milion këtë vit. Dhe deri në vitin 2026 tregu global i makinave do të rritet me një normë vjetore prej vetëm 1.6 përqind.

Revolucioni i makinave elektrike është interesant, por ka një problem: nuk vjen si ndonjë zhvillim  teknologjik, siç ndodhi me telefonat celularë apo internetin. Nxitja për ndryshim vjen nga politika.

Dhe në veçanti nga vendosja e kufinjvë për emetimin e dioksidit të karbonit: në Evropë që nga viti 2015 objektivi për cdo prodhues të makinave ka qenë që veturat e shitura të kishin një mesatare të emetimit 130 gram për kilometër. Për më pak se dy vjet emetimi do të duhet të bjerë në 95 gram për të shkuar në 59 gram në vitin 2030, pra me një ulje prej 5.1 përqind në vit.

Aktualisht emetimi mesatar i automjeteve në treg është ende 118 gram: një rezultat i mirë por 20 për qind më lart se kufiri i caktuar për vitin 2021. Dhe, kjo sepse ulja e emetimeve u ndalua për shkak se pas kryqëzatës të nisur nga aq shumë qytete evropiane kundër naftës: konsumatorët blenë më shumë makina benzine por kjo e ka rritur emetimin e Co2. Paradokse të luftës kundër ndotjes.

Për të qenë në gjendje të respektohen kufinjtë e vendosur nga Evropa dhe për të mos paguar gjoba të mëdha, mënyra më e shkurtër është të prodhohen dhe të shiten sa më shumë makina elektrike që të jetë e mundur.

Në listën e botërore të shitjeve sot ekzistojnë 139 modele me emetim zero, nga të cilët 104 në Kinë dhe 32 në Evropë, dhe numri i tyre do të rritet në 328 në 2021, nga të cilat 128 në Kontinentin e Vjetër. Për të projektuar dhe prodhuar këto automjete me sukses të pasigurt dhe kufinj të  zvogëluar fitimi (një bateri për 500 kilometra kushton rreth 20,000 dollarë, një motor benzine kushton vetëm 5,000 dollarë), prodhuesve të makinave do t’u duhet të investojnë 225 miliardë dollarë deri në vitin 2023.

Një shifër shumë e madhe, praktikisht atyre u duhet të hedhin 20 përqind më shumë sesa kostot që kanë tani. Dhe investimet peshojnë mbi fitimet: sipas Alixpartners, fitimet bruto të prodhuesve të makinave mund të bien me 60 miliardë dollarë deri në vitin 2023.

Me pak fjalë, një kalim i tmerrshëm nëpër shkretëtirën e fitimeve, për të marrë një rezultat modest  mjedisor, duke pasur parasysh që sektori i automobilave prodhon 9 përqind të emetimit global të gazrave serë, siç thotë Greenpeace.

Në vitin 2025 makinat hibride me plug-in (me furnizim të dyfishtë me energji elektrike me bateri dhe karburante) dhe makinat thjeshtë elektrike duhet të kapin rreth 20 përqind të tregut evropian dhe 13 përqind në tregun italian. Deri më tani, vetëm 1 përqind e makinave të reja të shitura në Evropë janë elektrike.

Ndërkohë prodhuesit e makinave po mbrojnë edhe motorët tradicionalë, duke pretenduar se ato ndotin gjithnjë e më pak. Por kufijtë e vendosur nga shumë qytete evropiane në qarkullimin e mjeteve me motor me naftë krijuan probleme të mëtejshme për industrinë: në vitin 2018, 51 përqind e makinave të shitura në Itali kishin motor nafte, në fillim të vitit 2019, pjesa e tyre ra për herë të parë nën 45 përqind dhe në 2025 do të jetë 36 përqind. Për vuajtjen dhe efektet e kësaj beteje, qoftë e drejtë apo e gabuar, nuk e kanë vetëm prodhuesit e motorit dizel.

Njëkohësisht po e pësojnë edhe blerësit e mjeteve, veçanërisht ata që përdorin katër rrotat për të shkuar punë dhe që janë të ndjeshëm ndaj kostos së karburantit. Nuk është rastësi që protesta e “jelekëve të verdhë” në Francë shpërtheu pikërisht pas propozimit për rritjen e çmimit të karburanteve: “Motorët dizel konsumojnë më pak dhe demonizimi i tyre është një çmenduri”, thotë Gian Primo Quagliano, president i Qendrës Studimore “Promotor”. “Sepse nëse duan të luftojnë ndotjen, nuk është e drejtë t’i detyrojnë njerëzit të shpenzojnë më shumë për karburant, patjetër duhet të gjejnë një mënyrë për t’i kompensuar ato”.

Të gjitha këto vlera të mëdha që po investohen në industrinë e automjeteve rrezikojnë të kenë një ndikim shkatërrues në Itali, tashmë e mbetur pas Evropës për linjat e prodhimit të makinave elektrike: grupi FIAT ka investuar 5 miliardë euro për elektrifikimin e gamës së tij, një shifër e vogël në krahasim me atë që ka hedhur Volkswagen. Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi me Renault ose Peugeot është thelbësor.

Por edhe shteti duhet të bëjë pjesën e vet. Siç thekson Qendra e Studimit e Fondacionit Ergo në Varese, “FIAT mund të bëjë pa Italinë por Italia nuk mund të bëjë pa FIAT”: në Itali industria e automobilave

përfaqëson 5.6 përqind të PBB-së, xhiroja e aktiviteteve të prodhimit (direkte dhe indirekte) e këtij sektori kap vlerën 93 miliardë euro, e barabartë me 10.5 përqind të xhiros së industrisë prodhuese, dhe ka mbi 250 mijë të punësuar direkt.

Përveç nxitjeve për instalimin e posteve të karikimit për makinat elektrike, një zgjidhje në mbështetje të industrisë dhe për të rinovuar flotën prej mbi 37 milion makinash (një e treta e të cilave me motorë të vjetër para Euro 4) duhet kërkuar.

Qendra e Studimit  “Promotor” propozon një bonus prej 2 mijë euro plus një zbritje në taksa prej 2 mijë të tjera për të gjithë ata që blejnë një makinë të re, duke hequr një makinë të përdorur për më shumë se 10 vjet. Në 1997 rritja e faturave të TVSH-së dhe taksave të regjistrimit për makinat e shitura sjellin 723 milion euro shtesë, të mjaftueshme për të mbuluar kostot e bonueseve. Qeveria duhet ta mendojë këtë.

Scan,  28.10.2019