Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investimet e Bankers do arrijnë 255 milionë dollarë deri në fund të vitit

Intervistë me CEO-n dhe Presidentin e “Bankers Petroleum Albania”, Xingyun Sun

“Bankers Petroleum Albania”, kompania që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, atë të Patos- Marinzës, planifikon që të ketë një nivel prodhimi nafte prej 870 mijë tonësh në vitin 2019-n dhe të shpojë rreth 88 puse të reja nafte deri në fund të këtij viti. CEO dhe Presidenti i “Bankers Petroleum Albania”, Xingyun Sun, pohon se kompania vijon të rrisë investimet në fushën naftëmbajtëse së Patos-Marinzës dhe, gjithashtu, pagesat për qeverinë qendrore dhe lokale

Si ka qenë ecuria e “Bankers Petroleum” në vitin 2018 dhe në gjysmën e parë të viti 2019?

Ecuria e “Bankers Petroleum Albania” ka qenë pozitive në vitin 2018, ndërsa gjatë 2019-s ne arritëm të përmirësojmë objektivat tanë. Kompania ka qenë e etur për të investuar dhe për të rritur shpenzimet, pavarësisht çmimeve të ulëta të naftës në tregjet ndërkombëtare. Ne besojmë se Patos-Marinza është një aset shumë i rëndësishëm jo vetëm për aksionerët e tij, por për të gjithë të punësuarit, nënkontraktorët, qeverinë shqiptare dhe gjithashtu për vendin. Për shkak të rritjes së shpenzimeve, ne ishim në gjendje të rrisnim prodhimin, të ardhurat dhe taksat e paguara për shtetin.

Në vitin 2018, prodhimi i naftës ishte 792,000 tonë dhe shpenzimet e përgjithshme të “Bankers Petroleum Albania” rreth 195 milionë dollarë. Gjatë gjysmës së parë 2019, “Bankers” arriti një mesatare prodhimi prej 15.059 fuçi nafte në ditë, 18% më shumë në krahasim me mesataren e gjysmës së parë 2018, prej 12.746 fuçi në ditë. Siç thashë më lart, kompania vazhdoi të rrisë investimet në fushën naftëmbajtëse së Patos-Marinzës dhe gjithashtu, pagesat për qeverinë qendrore dhe lokale. Për gjysmën e parë të vitit 2019, të ardhurat ishin 146 milionë dollarë, krahasuar me 122.8 milionë dollarë në gjysmën e parë të 2018.

Renta minerare dhe taksat e tjera të paguara për Qeverinë shqiptare dhe subjektet përkatëse gjatë gjysmës së parë të 2019 ishin 27 milionë dollarë. Shpenzimet totale të kompanisë në gjysmën e parë të vitit 2019 ishin 126 milionë dollarë, nga të cilat 80% janë taksat e paguara për qeveritë qendrore dhe lokale dhe pagesa për furnitorët vendorë. Një aspekt i rëndësishëm është se taksat totale të sigurimeve shoqërore dhe të ardhurat personale të paguara arritën në 4 milionë dollarë, pasi kompania rriti punësimin me 12% gjatë gjysmës së parë të 2019;

Si e prisni ecurinë deri në fund të vitit?

Kemi plane ambicioze për të ardhmen dhe në vitin 2019, për rritjen e mëtejshme të investimeve. Për vitin 2019, ne presim të arrijmë një vlerë totale të shpenzimeve mbi 255 milionë dollarë, me fokus në zhvillimin e fushës së naftës, e cila është aseti kryesor i Shqipërisë.
Sa i përket prodhimit të përgjithshëm të naftës nga fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinzës, ne presim një nivel prej rreth 870 mijë tonë, pasi planifikojmë të shpojmë rreth 88 puse të reja nafte deri në fund të vitit 2019. Programi ynë i operacioneve është përqendruar në metodat parësore dhe dytësore ku krahas polimerit dhe injektimit me ujë, kemi prezantuar rigjenerimin termik, një teknologji unike e përdorur edhe nga kompani të rëndësishme ndërkombëtare të fokusuara në naftën e rëndë.

Në lidhje me investimet në komunitet, cilat janë rezultatet dhe planet tuaja deri në fund të vitit?

“Bankers Petroleum Albania” është gjithnjë e përqendruar në përmirësimin e jetës së banorëve që jetojnë rreth zonës ku operon kompania. Prandaj, edhe këtë vit, kompania ka vazhduar të investojë në projekte që janë në dobi të komuniteteve.
Në bashkëpunim me qeveritë vendore kemi investuar në Parqet e Fierit, mbjelljen e pemëve dhe ndërtimin më të rëndësishëm të disa rrugëve, si Sheqishta, Kallm i Madh, Frashër dhe Mbrostar. Një projekt i madh i infrastrukturës është rruga Kallm i Madh dhe Kallm i Vogël, i cili ka qenë një segment rrugor shumë i degraduar dhe ka shkaktuar për shumë vite vështirësi në jetën e përditshme për banorët e këtyre zonave.
Ndërkohë, ekzistojnë edhe projekte të rëndësishme ku po investojmë, siç është rehabilitimi i shkollës “Belina” dhe Ujësjellësi i Belinës.

Si e vlerësoni mjedisin për të bërë biznes në Shqipëri?

Vendi është i hapur për investitorët e huaj. Shqipëria ka bërë ndryshime shumë pozitive vitet e fundit dhe ka ndërmarrë reforma të rëndësishme, që ndihmojnë në tërheqjen e investitorëve të huaj. Një nga reformat më pozitive që besoj se do të ndikojë te të gjithë bizneset që operojnë në Shqipëri, është ajo gjyqësore. Ne kemi plane ambicioze për investimet tona këtu në Shqipëri dhe për këtë arsye, e shohim qeverinë shqiptare si një nga partnerët më të afërt, për të zhvilluar strategjinë dhe biznesin tonë.

Monitor,  28.09.2019