Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndryshon metodologjia për çmimin e energjisë në treg të lirë

Binzeset në treg të lirë do të paguajnë energjinë që kanë marrë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (pjesë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elekrike-OSHEE) me 12.75 lekë/kwh. Vendimi i fundit i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) ka lënë në fuqi tarifën që ka propozuar vetë OSHEE duke ndarë zë për zë të gjithë elementët përbërës të saj. Referuar dokumenteve,OSHEE për muajin korrik 2019, ka zhvilluar një procedurë për blerjen e energjisë nga tregu i parregulluar, ku çmimi maksimal i blerjes ka qenë 63.5 Eur/MWh realizuar në datën 26.06.2019 për sasinë totale prej 66,960 MWh me një vlerë prej 4,251,960 Euro ose 518,739,120 lekë.

Kjo do të thotë që çmimi realizuar nga blerja të ishte 7.75 lekë/kwh por duke qenë se ai nuk mund të jetë më i ulët sesa çmimi më të cilin OSHEE ble energjinë nga prodhuesit me përparësi llogaritja është bërë me 8.4 lekë.kwh. Mbi këtë kosto janë shtuar më pas tarifat e transmetimit, shpërndarjes si dhe kostot administrative të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit për këtë procedurë.

Por ndryshe nga vendimet e mëparshme ERE ka miratuar përveç çmimit final me të cilin do të tarifohetenergjia e korrikut për bizneset edhe korrektimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit final. Pika dy thotë se Bordi i ERE vendosi “korrektimin në zbatim të Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga furnizuesi i mundësisë së fundit”, miratuar me Vendimin e Bordit të ERE-s nr. 201, datë 04.12.2017, të faturave për energjinë e faturuar në pik për klientët FMF, për të gjithë faturimet e kryera në pik për gjatë të gjithë periudhës që OSHEE sh.a. ka ushtruar funksionet si Furnizues i Mundësisë së Fundit për klientët e lidhur në 35 kV”.

Më herët ishte ERE që kërkoi nga OSHEE që të bënte evidentim të kostove të disbalancave si dhe faturimit në pik nga ana e OSHEE sh.a. për klientët që furnizohen nga FMF duke kërkuar që OSHEE të respektojë në faturim kërkesat që vendoste metodologjia.

“OSHEE sh.a. me shkresën nr.14962, datë 26.07.2019 bën me dije se, përsa i përket faturimit të konsumit në tarifën Aktiv pik të klientëve në cilësinë e FMF-së, dhe në lidhje me evidentimin e kostove të administrimit dhe të disbalancave për klientët e FMF, OSHEE sh.a e ka informuar ERE mbi arsyet e faturimit në tarifën Aktive pik dhe si duhet të trajtohen (faturohen) konsumatorët të cilët kanë sistem matje të tillë që kanë sistem leximi Aktiv dhe Pik dhe jo total indeks leximi Aktiv (kWh).

Ky argumentim i OSHEE sh.a. nuk mund të mbështesë e të legjitimojë faturime të kryera në kundërshtim me sa parashikuar në vendimmarrjet e ERE për përcaktimin e çmimit të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, që nga hyrja në fuqi e metodologjisë përkatëse” vlerëson ERE.

Nga ana tjetër për sa i përket evidentimit të kostove të disbalancave në lidhje me FMF, OSHEE sh.a. informon se, i është drejtuar të gjithë klientëve të energjisë elektrike të lidhur në rrjetin 35 kV me anë të shkresës nr. 10155 Prot, datë 07.05.2019, duke kërkuar nga ky grup klientësh ngarkesën e energjisë (konsumin e energjisë elektrike në njësi/kWh që u nevojitet) në profilin ditor/orar cdo ditë për ditën pasardhëse të parashikuar, i cili duhet të dërgohet nëpërmjet e-mailit duke bashkëngjitur dhe formatin e kërkuar për t’u plotësuar nga këta klientë deri në fund të vitit 2019, në mënyrë që OSHEE sh.a. të vijojë me blerjen e energjisë elektrike sipas kërkesës dhe nevojave që ka secili konsumator dhe për të analizuar kostot e disbalancave të krijuara nga blerja e energjisë në treg të parregulluar.

Në janar të vitit 2018 ishin të paktën 90 biznese të lidhura në 35 kilovolt të cilat u detyruan të dilnin në treg të lirë për të siguruar të vetme energjinë. Vetëm 18 prej tyre kanë arritur të gjejnë furnizues ndërkohë që pjesa tjetër funrizohen  nga kompania publike sipas parashikimeve ligjore, një periudhë tranzicioni kjo që pritet të zgjasë dy vjet nga nisja e liberalizimit.

Monitor,  16.08.2019