Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MIE: Situata energjitike është e stabilizuar

Lidhur me ndryshimet klimatike të dy ditëve të fundit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe institucionet që janë në varësi të saj bëjnë me dije, se kanë qenë në gatishmëri të plotë për të përballuar dhe eliminuar pasojat e motit të keq që përfshiu vendin tonë mbrëmjen e datës 28 korrik 2019 dhe orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, 29 korrik 2019.

Nga raportimet e institucioneve kryesore të infrastrukturës dhe energjisë rezulton se:

Situata në akset rrugore

• Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur rënie materialesh nga skarpatat në zonën Skuraj- Ulëz të cilat janë pastruar nga punonjësit. Gjithashtu janë dëmtuar ( gërryer) një pjese e shtresës së stabilizantit në Dalje Burrel -Ura e Mati, por në të dyja akset nuk ka probleme në qarkullimin e automjeteve.

• Në akset rrugore Han i Hotit – Tamarë, Shkodër- Muriqan dhe Ura e Kirit – Mjedë ka pasur rënie të inerteve në rrugë, ku problemet më të mëdha janë shfaqur në Murriqan ku prurjet e materialeve kanë qenë tepër të larta dhe për pasojë ka pasur edhe bllokime të përkohshme dhe të pjesshme të rrugës. Është punuar gjatë natës për t’i mbajtur këto segmente të hapura, ndërsa vijon puna për pastrimin dhe kthimin në normalitet të tyre. Nuk ka bllokim të qarkullimit.

• Në aksin Krujë – Sari Salltik, ka pasur rrëshqitje të masivëve shkëmbor, pa pasoja për qytetarët. Po punohet nga kontraktorët për lirimin e rrugës.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike

• OSHEE ka ndjekur me përparësi situatën e furnizimit me energji elektrike në gjithë territorin e vendit dy ditët e fundit. Reparti i Likuidimet të avarive ka filluar menjëherë nga punimet në terren, duke operuar fillimisht në qarqet me risqet më të mëdha. Nga OSHEE janë rreth 2200 punonjës dhe 310 automjete në dispozicion të operimit dhe likuidimit të avarive, të organizuar në gatishmëri të plotë 24 orë.

• Më 28 korrik u dëmtuan 54 fidra që furnizojnë rreth 57279 abonentë, por brenda 2-3 orësh, edhe në kushtet e motit të keq, u bë e mundur riparimi i 39 fiderave ku një pjese e tyre u stakuan për masë sigurie. Rreth 60% e defekteve janë në linja ajrore, ku një pjesë e mirë e tyre u dëmtuan nga moti i keq.

• Pogradec/ Në orën 21:05 u stakua për 10 minuta energjia elektrike me kërkesë të Policisë Pogradec për shkak të rënies se zjarrit tek një banese, deri në sqarimin e rrethanave të incidentit dhe për të parandaluar përshkallëzimin e përhapjes së vatrës së zjarrit. Fideri në fjalë furnizon me energji elektrike të gjithë zonën turistike bregu i liqenit Pogradec.

• Himarë/ Në zonën e Himarës në orën 21:45 për shkak të defektit në kabinën Private Lefter Kumi u provokua stakimi i Fiderit 1 Himare. Grupet e gatishmërisë së OSHEE-së lokalizuan defektin me shkëputjen nga rrjeti të kësaj kabine dhe rikthimin e energjisë pas 27 minuta. Grupet punuan për riparimin e defektit në linjën TM që furnizon kabinat private Vasillaq Strakosha, Fotiadhi dhe Sofie Bishe. Kjo pjesë linje TM u dëmtua për shkak të zjarrit dhe lidhjes së shkurtër tek kabulli TU i kabinës Private Lefter Kumi. Edhe në këtë segment u rikthye energjia në orën 23:45.

• Falë masave të mara, pavarësisht kushteve të motit, u garantua furnizimi tek te gjithë hidrovorët në rang vendi. Grupet e OSHEE punuan në kushtet e motit të keq për riparimin e dëmtimit të fiderit 11 Biçukas për shkak të rënies së një peme mbi linjë.

Operatori i Sistemit të Transmetimit OST, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare si dhe Autoritet Portuale raportojnë se nuk ka pasur probleme pavarësisht motit me reshje të dendura dhe erëra të fuqishme që përfshiu vendin.

Monitor,  30.07.2019