Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Situata hidrike, KESH blen 500 mijë euro energji për korrikun

Korporata Elektronenergjetike Shqiptare që është prodhuesi më i madh i energjisë në vend përmes kaskadës së Drinit, në korrik është detyruar që të blejë edhe vetë energji nga tregu i lirë. Në një njoftim të bërë më herët gjatë këtij muaji KESH kërkonte që të blinte deri në 10 800 MWh energji për një profil furnizimi që përfshinte orët 00:00 deri në 06:00.

Nga rezultatet e publikuara nga vetë Korporata në faqen e saj thuhet se KESH si blerës ka arritur të sigurojë një sasi prej 10 200 MWh ku çmimi më i lartë me të cilin është blerë një megavat/orë ishte 55.7 euro ndërsa çmimi minimal 46.4 euro. Sasia totale e energjisë së blerë llogaritur me çmimin e ponderuar rezulton ti ketë kushtuar KESH-it 537 mijë euro. Situata hidrike e vështirë duket se ka detyruar këtë vit kompanitë e sektorit energjetik kryesisht ato publike të marin masa drastike sa i përket investimeve nga njëra siç është rasti i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nga njëra anë por edhe gjetjes së mënyrave të ndryshme për të krijuar të ardhura me hapësirat e pakta siç është rasti i optimizimeve nga ana e KESH.

Vetë kompanitë kanë pranuar se viti 2019 pritet të jetë një vit i vështirë i ngjashëm me atë 2017 kur në blerjen e energjisë në tregun e lirë për shkak të mungesës së prodhimit në vend u angazhuan edhe fondet nga kredia me Bankën Botërore për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë.

Vetë Banka Botërore në dokumentin e fundit që rishikonte ecurinë e projektit nënvizonte pikërisht situatën e vështirë që pritet të kalojë këtë vit sektori i energjisë për shkak të situatës hidrike. “Qëndrueshmëria financiare e sektorit të energjisë: ndërsa ka pasur progres në tre vitet e fundit, duke pozicionuar KESH dhe OST në një kuadër disi më të sigurt financiar, OSHEE vijon të përballet me një hendek financiar sidomos gjatë viteve me thatësira siç ishte viti 2017 dhe siç pritet sërish viti 2019. Me disa vonesa, një Plan i Rishikuar Financiar u miratua nga Këshilli i Ministrave në prill 2019 dhe ofron një orientim për elementët kyçë financiarë për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve financiare të OSHEE, në veçanti lidhur me trajektoren e uljes së humbjeve 2018-2021 dhe një prioritarizim të investimeve me fokus uljen e humbjeve” do të nënvizonte BB.

Monitor,  19.07.2019