Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BB: Plani i Rimëkëmbjes Energjitike do zgjatet edhe me një vit

Banka Botërore ka bërë rishikimin e fundit të projektit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë miratuar në vitin 2015 dhe mbështetur me një kredi 150 milionë dollarë. Referuar dokumentit nuk ka ndryshuar asnjë vlerësim në raport me rishikimin e kaluar ku ecuria cilësohet si e kënaqshme në mënyrë të moderuar ndërkohë që zbatimi i përgjithshëm cilësohet si jo i kënaqshëm në mënyrë të moderuar dhe risku i përgjithshëm ka mbetur i lartë. Sipas Bankës Botërore gjasat janë që projekti që parashikohej të mbyllej në nëntor 2019 të zgjatet me një vit.

“Zbatimi i projektit është përshpejtuar që nga rishikim i fundit. Projekti ka kontribuar në uljen e humbjeve të energjisë në shpërndarje në Shqipëri dhe në rritjen e sigurisë së rrjetit të tensionit të mesëm në zonën e Tiranës matur me përqindjen e kapacitetit të përdorimit të nënstacioneve. Bazuar në statusin e fundit, projekti tashmë është gati për një ristrukturim përfshirë zgjatjen me një vit të kohës së mbylljes së tij” thuhet në dokumentin e Bankës Botërore.

Ky i fundit sjell në vëmendje ecurinë e tre operatorëve kryesore në sektor nisur nga Korporata Elektronenergjetike Shqiptare tek Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe në fund edhe tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

“Qëndrueshmëria financiare e sektorit të energjisë: ndërsa ka pasur progres në tre vitet e fundit6 duke pozicionuar KESH dhe OST në një kuadër disi më të sigurt financiar, OSHEE vijon të përballet me një hendek financiar sidomos gjatë viteve me thatësira siç ishte viti 2017 dhe siç pritet sërish viti 2019. Me disa vonesa një Plan i Rishikuar Financiar u aprovua nga Këshilli i Ministrave në prill 2019 dhe ofron një orientim për elementët kyçë financiarë për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve financiare të OSHEE në veçanti lidhur me trajektoren e uljes së humbjeve 2018-2021 dhe një prioritarizim të investimeve me fokus uljen e humbjeve” nënvizon BB.

Projekti për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike nisi në vitin 2015 dhe përfshin katër komponentë në totalin e tij. Në komponentin e parë parashikoheshin 30 milionë dollarë si mbështetje për importe të shpejta një shumë që u përdor në vitin 2017. Përmirësimi i infrastrukturës së shpërndarjes është komponenti i dytë me 93 milionë dollarë dhe dy komponentët e tjerë me 20 dhe 7 milionë dollarë përfshijnë përmirësimin e sistemit të transmetimit si dhe mbështetjen për zbatimin me sukses të projektit.

Monitor,  26.06.2019