Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Për herë të parë në Kosovë mbahet dita e energjisë së rinovueshme

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) organizojn shënimin e Ditës së Energjisë së Ripërtëritshme e cila organizohet për herë të parë në Kosovë.

Kjo ditë do të shënohet me aktivitete të shumta duke filluar nga Sheshi Zahir Pajaziti ku Shkolla e Gjelbër bashkë me nxënësit e saj do të demonstrojë se si prodhohet energjia elektrike nga burimet e ripërtëritshme si energjia kinetike (biçikleta), energjia e erës (turbina) dhe energjia solare (rrezet e diellit).

Gjithashtu, zyra e Koordinatores për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara do të ketë një kënd për fëmijë ku do të mund të mësohet më shumë për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Ndërsa në mbremje, gjithashtu në Sheshin Zahir Pajaziti, DokuFest do të ju mundësojë një eksperiencë unike e të shikuarit të filmave në ambient të hapur.

Me ndihmën e Kinemasë Solare, e cili do të përdorë energji elektrike vetëm nga rrezet e diellit, ju do të mund të shihni filmin Rafea: Solar Mama.

Synimi ynë është që të rrisim vetëdijen mbi rëndësinë e shfrytëzimit të burimeve të energjisë së ripërtëritshme dhe të nxisim përdorimin e teknologjive dhe ideve të reja për prodhimin e energjisë elektrike nga vetë këto burime.

Kujdesi më i madh ndaj ambientit që na rrethon na ndihmon të sigurojmë një zhvillim të qendrueshëm në Kosovë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  14.06.2019