Rritja e prodhimit ka ardhur nga QPN Kuçovë ku është tejkaluar plani me 16 ton naftë si dhe në QPN Fier ku për herë të parë pas katër muajve me bilanc negativ, është realizuar prodhimi i programuar

Qendra e Prodhimit të Naftës Fier dhe ajo e prodhimit të Naftës Kuçovë kanë rritur prodhimin e naftës nga vetë shoqëria Albpetrol sh.a, duke krijuar më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit shqiptar. Në sajë të mirë administrimit si dhe rivendosjes në punë të disa puseve, këto qendra prodhimi kanë arritur prodhimin e programuar, madje edhe të prodhojnë më shumë naftë se sa ishte planifikuar.

QPN Kuçovë, në sajë të ndërhyrjeve emergjente ka stabilizuar prodhimin e naftës sipas programit dhe për muajin Maj 2019 ka tejkaluar programin me 16 ton. Ndryshimi ka ardhur si pasojë e rivendosjes në punë të disa puseve të fondit të ndalur, të cilët i janë nënshtruar remonteve thelbësore. Përmes përdorimit të mjeteve të specializuara, këto puse i janë nënshtruar pastrimeve nga rëra dhe argjila duke i kthyer nga puse të fondit të ndalur, në puse aktive. Një tjetër ndërhyrje që ka ndikuar në rritjen e prodhimit të naftës në këtë vendburim ishte edhe shtimi i kontrolleve të regjimit orar i puseve.

Ndërhyje të tilla të rëndësishme janë parashikuar që të kryhen edhe gjatë muajit Qershor në vendburimin e Kuçovës. Duke u përdorur e njëjta metodikë si dhe duke rivënë në punë puse të tjera të fondit të ndalur, prodhimi i QPN Kuçovë pritet që të rritet sërish në muajt në vazhdim.

Ndërkohë, Qendra e Prodhimit të Naftës Fier ka arritur të stabilizojë prodhimin pas një periudhe prej katër muajsh problematikë. Prej datës 1 Qershor 2019, QPN Fier ka arritur nivelet e programuara të 39.5 ton naftë në ditë. Ky rezultat pozitiv ka ardhur si pasojë e mirë administrimit të vendburimit përmes përgjigjes në kohë të problematikave të hasura, rritjes së disiplinës në punë dhe rivendosjes në punë të disa puseve të fondit të ndalur. Gjatë katër muajve të parë të vitit kjo qendër prodhimi ka pasur rezultat negativ, por duke u nisur nga shifrat e muajit Maj prodhimi i naftës nga QPN Fier mund të rritet edhe më tej.

Rritja e prodhimit të naftës është kryefjala e Administratorit të ri të shoqërisë Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu, i cili i ka fokusuar të gjitha veprimet e shoqërisë pikërisht në arritjen e këtij rezultati. Duke filluar nga muaji Mars 2019 të gjitha qendrat e prodhimit i janë përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese duke përmirësuar situatën.

energjia.al  13.06.2019