Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tenderi për koncesionin e pompave shkon në Apel

Gjykata Administrative e Tiranës ka vendosur sot anullimin e vendimit të Komisionit të Prokurimeve Publike për tenderin, që ka në objekt dhënien me koncesion te privati të shërbimit të kontrollit të pompave të karburanteve.

Tenderi ndërkohë ishte i pezulluar, pas një ankese nga zviceranët e Penzoil Trading SA, që pretendonin se kushtet për tenderin shfaqnin diskriminim për kompanitë e interesuara sidomos për ato ndërkombëtare.

Gjykata sot ka pranuar ankesën e Penzoil Trading SA kundër Ministrisë së Financave, për anullimin e vendimit të Komisionit të Prokurimeve Publike, duke e anuluar vendimin e saj dhe duke urdhëruar modifikimin e pjesshëm të kritereve të tenderit, për shkak se shkelnin kushtet e konkurrencës së ndershme dhe mosdiskriminimit ndaj operatorëve.

Ndërkohë pala tjetër, që ka fituar bonusin me 10 pikë pas një oferte të pakërkuar, pritet ta ankimojë çështjen në Apel, pasi Gjykata e Shkallës së Parë nuk mund të ndalojë tenderin dhe do të duhet të pritet Apeli për të vendosur për rihapjen e tenderit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në datën 18 shtator të vitit të kaluar, hapi garën për një koncesion 20-vjeçar që lidhet me kontrollin e matësve të karburantit dhe gazit në të gjithë territorin e vendit, konkretisht TENDERIT TË PROCEDURËS SË HAPUR “Për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm”.

Aktualisht, lidhur me koncesionin e kontrollit të pompave ka një ofertë të pakërkuar nga shoqëria “Noa Control” e cila është shpërblyer me një bonus 10% të pikëve në një vendimi të veçantë nga qeveria.

Monitor,  28.05.2019