Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bursa e Energjisë, kapitali fillestar 250 milionë lekë

Bursa e Energjisë do të regjistrohet me një kapital fillestar jo më pak se 250 milionë lekë. Vendimi i miratuar nga qeveria pak ditë më parë nga qeveria dhe që i hap rrugë konkretizimit të projektit më të rëndësishëm në sektor qysh nga miratimi i modelit të tregut tashmë ka hyrë në fuqi. I njëjti saktëson palët që mund të bëhen pjesëtare të bursës përmes blerjes së aksioneve. Pjesëtarë në strukturën e pronësisë së kapitalit të Operatorit të Tregut mund të bëhen edhe persona të tjerë juridikë. Të tillë mund të jetë operatorë të tjerë të sistemit të transmetimit (më poshtë referuar si “TSO”) të themeluar dhe që   operojnë   në   Bashkimin   Evropian   ose   në vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë.

Po kështu operatorë  me  aktivitet  ndërkombëtar,  me eksperiencë  në  operimin/menaxhimin  e  tregjeve të shkëmbimit të energjisë elektrike të themeluar dhe  që  operojnë  në  Bashkimin  Evropian  ose  në vendet  anëtare  të  Komunitetit  të  Energjisë,  në përputhje  me  rregullat  dhe  modelin  e  tregut  të energjisë   elektrike   në   Shqipëri   (më   poshtë referuar si  “Operatorët  me  Eksperiencë Ndërkombëtare” ose “OEN”).

Mund të bëhen pjesë e bursës edhe subjekte pjesëmarrëse në tregun e energjisë elektrike,  me  përvojë  në  tregtimin  e  energjisë elektrike  në  Bashkimin  Evropian  ose  në  vendet anëtare  të  Komunitetit  të  Energjisë  (më  poshtë referuar  si “Pjesëmarrësit e tregut të energjisë” ose “PTE”) por edhe  institucione  financiare  ndërkombëtare  (më poshtë referuar si “IFN”).

Aksionet që mund të ketë secila palë

Vendimi i qeverisë saktëson se pavarësisht se kush bëhet pjesë e strukturës aksionare që zotëron kapitalin në Bursën e Energjisë Operatori i Sistemit të Transmetimit do të ketë dominimin me 55.5 për qind të kapitalit.

Operatorët me Eksperiencë Ndërkombëtare mund të kenë jo më shumë se 24.5 për qind të kapitalit, Pjesëmarrësit e Tregut të Energjisë jo më shumë se 10 për qind të kapitalit dhe institucionet financiare ndërkombëtare jo më shumë se 10 për qind të kapitalit.

Bursa e Energjisë është parashikuar në modelin e tregut i cili po zbatohet hap pas hapi qysh nga miratimi i ligjit “Për sektorin e energjisë” në vitin 2015. Bursa do të ndjekë parimin day ahead (ditë më parë) dhe operatorët që regjistrohen pranë saj mund të tregtojnë lirshëm energji. Sipas ligjit për krijimin e Bursës duhet që të piqen kushtet normale të tregut të cilat lidhen me ofertën dhe kërkesën dhe në këtë aspekt merr kuptim procesi i liberalizmit. Ky proces që duhet të kishte avancuar tashmë tek një grup më i madh subjektesh ka mbetur ende tek ato të lidhur në tension 35 kilovolt nga të cilët vetëm 18 sigurojnë energjinë në mënyrë të pavarur.

Pas këtij grupi pritet që në tregun e lirë të dalin edhe bizneset e lidhura në 20 kilovolt dhe që janë në një numër më të konsiderueshëm. Në vitin 2018 nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë u konfirmua se vetëm 10 për qind e sasisë së energjisë tregohej lirshëm ndërkohë që një sasi e tillë cilësohet modeste për të bërë funksionale një bursë.

Monitor,  23.05.2019