Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, rriten importet nga Kina

Çmimet e naftës kanë zgjeruar humbjet në sesionin e sotëm, por rënia po kufizohet nga sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës dhe nga rritja e importeve të naftës bruto në Kinë, gjatë prillit. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 61.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 70 dollarë për fuçi.

Importet e naftës nga Kina u rritën në një rekord prej 10.64 milionë fuçi në ditë, gjatë prillit, në rritje me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, për katër-mujorin Kina importoi rreth 10 milionë fuçi në ditë, në rritje me 8.9%, krahasuar me vitin 2018. Rritja e kërkesës nga Kina vjen në një kohë që furnizimi i tregut po tkurret. Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje blerësve kryesorë të naftës iraniane, duke përfshirë edhe Kinë, të ndalojnë blejet nga Irani, duke filluar nga 1 maji.

Por, Teherani zyrtar ka deklaruar se do të injorojë sanksionet dhe do të vazhdojë të eksportojë naftë. Gjithashtu, Irani nuk do ti përmbahet angazhimeve të vitit 2015, si pjesë e marrëveshjes bërthamore me fuqitë e mëdha. Shumica e analistëve parashikojnë se, eksportet e naftës  së Iranit do të bien   në rreth 500 mijë fuçi, nga rreth 1 milionë që ishin në prill.

Sanksionet vijnë në një kohë që OPEC po zbaton marrëveshjen për uljen e prodhimit me 1.2 milionë fuçi në ditë, e cila është në fuqi deri në qershor. Sekretari amerikan i Energjisë, Rick Perry, deklaroi të martën se Arabia Saudite, që është de facto lider i OPEC, duhet të rrisë prodhimin për të plotësuar mungesën e shkaktuar nga Irani. Në fokus të investitorëve janë edhe bisedimet SHBA-Kinë mbi tregtinë, të cilat janë tensionuar në ditët e fundit.

Scan,  08.09.2019