Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

SHBA, rriten rezervat dhe prodhimi i naftës

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të konsiderueshme në sesionin e sotëm, pasi prodhimi rekord në SHBA ka bërë që edhe rezervat të rriten ndjeshëm.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 71.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63 dollarë për fuçi. Sipas të dhënave të administratës amerikane, rezervat e naftës gjatë javës së kaluar në SHBA u rritën me 9.9 milionë fuçi, në totalin e 470.6 milionë fuçive, niveli më i lartë që nga shtatori i vitit 2017. Gjithashtu, edhe prodhimi u rrit në nivelin rekord prej 12.3 milionë fuçi në ditë.

Megjithatë, humbjet janë kufizuar nga kriza politike dhe trazirat në Venezuelë dhe nga sanksionet shtesë të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit. Gjithashtu, edhe ministri i energjisë në Oman deklaroi se, objektivi i OPEC është të shtyjë marrëveshjen për uljen e prodhimit deri në fund të vitit, gjatë takimit që do të zhvillohet në qershor. Këto komente vijnë pavarësisht thirrjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të rritur prodhimin.

Në anën tjetër, Rusia ka sinjalizuar se dëshiron të rrisë prodhimin. Gjatë muajit prill, prodhimi i këtij vendi ra në 11.23 milionë fuçi në ditë, rreth 1 milionë fuçi më pak se Shtetet e Bashkuara. Analistët kanë paralajmëruar se përveç Venezuelës, një rrezik tjetër për tregun e naftës e përbën Libia, ku lufta civile kërcënon të ndalojë prodhimin në rafineritë më të mëdha të vendit.

Scan,  02.05.2019