Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rastet kur OSHEE mund të ndërpresë energjinë pa lajmëruar furnizuesin

Ndërprerjet e energjisë në situata problematike të sistemit do të bëhen nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) pa lajmëruar Furnizuesin. Por në raste të veçanta vetë OSHEE do të duhet të japë argumente pranë palës tjetër duke treguar se nuk kishte mënyrë tjetër veprimi. Ndryshimet që janë bërë me një vendim të veçantë të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në një vendim më të hershëm të vitit 2017 “Për miratimin e marrëveshjes së shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike ndërmjet OSHEE sh.a dhe furnizuesit të energjisë elektrike”.

Referuar ndryshimeve tre janë pikat që janë rishikuar. E para lidhet me pjesën e penaliteteve.

“Në të gjitha rastet e ndërprerjeve sipas kërkesës së OSHEE., pavarësisht aplikimit të të drejtave të Furnizuesit të përcaktuara në këtë Marrëveshjeje, OSHEE do t’i paguajë Furnizuesit penalitetet automatike të përllogaritura në përputhje me dispozitat përkatëse të ‘Rregullores për kushtet minimale të cilësisë së shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike’” thuhet në vendim.

Pika e dytë saktëson se OSHEE duhet të provojë se ndërprerja ishte e vetmja mënyrë për të garantuar sigurinë në punë të Sistemit të Shpërndarjes dhe se furnizimi i Klientit Fundor (KF)nuk ishte më i mundur.

“Në rast se Furnizuesi ka pretendime, do të ndiqen procedurat e përcaktuara në Nenin 8 të kësaj Marrëveshjeje. OSHEE në përputhje me Kodet e Industrisë, Rregullat dhe Marrëveshjet, do të bëjë përpjekjet më të mira të mundshme në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt kryerjen e punimeve dhe minimizojë shqetësimet/problemet për Furnizuesin. OSHEE do të njoftojë Furnizuesin menjëherë pas marrjes dijeni për ngjarjen e ndërprerjes. OSHEE, brenda gjashtë ditëve pune, me anë të një akti teknik do të informojë zyrtarisht Furnizuesin në lidhje me rastin e ndërprerjes” nënvizohet në ndryshimet e bëra në vendim.

Së treti është përcaktuar qartë se kur mund të bëhet një ndërprerje energjie pa lajmëruar Furnizuesin e cila parashikon urgjencat apo zjarret. “OSHEE mund të veprojë për të ndërprerë pikën e furnizimit të Konsumatorit Fundor pa njoftuar ose u konsultuar me Furnizuesin në rastet kur ndërprerja është urgjente, ose kur OSHEE ndërpret ndonjë linje të sipërme private të energjisë elektrike si rezultat i ndalimit të zjarrit ose veprimeve të tjera lehtësuese. Në zbatim të Kodit të Shpërndarjes pika III.11 “Për sigurinë e furnizimit dhe standardeve të performances për shërbimin e shpërndarjes së energjisë elektrike”, ndërprerja do të bëhet e menjëhershme për të ruajtur sigurinë e jetës së njerëzve, sigurinë e pajisjeve, ndërprerjen e ndërhyrjeve abuzive nga konsumatorët fundor në rrjet”.

Sipas modelit të tregut OSHEE përveçse kryen funksionin e furnizuesit publik, jep për përdorim kundrejt tarifës rrjetin e saj të shpërndarjes për furnizues të tjerë privatë. Në rastet ndërprerjeve furnizuesit privatë kanë dëm ekonomik dhe pikërisht këtë është përpjekur të rregullojë ndryshimi në vendimin e ERE duke qartësuar se kur bëhen ndërprerjet e jashtëzakonshme, si argumentohen dhe çfarë ndodh me penalitetet.

Monitor,  26.04.2019