Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Devoll Hydropower, zgjerim edhe te fotovoltaikët

Flet Tom Kristian Larsen, Drejtori Menaxherial i Devoll Hydropower

Hidrocentrali i dytë mbi lumin Devoll, ai i Moglicës, ka përfunduar duke i hapur rrugë mbushjes së rezervuarit dhe nisjes së testimeve. Tom Kristian Larsen, Drejtori Menaxherial i Devoll Hydropower, kompania shqiptare e norvegjezëve të Statkraft, thotë se aktivitetet ndërtuese në këtë vepër janë në fazat finale.

Në intervistën për “Monitor”, ai nënvizon objektivin e kompanisë mëmë për t’u zgjeruar te burimet e rinovueshme të energjisë, si dielli dhe era, një objektiv që praktikisht në doza modeste si fillim do ta zbatojë edhe në Shqipëri. Lidhur me tregun e energjisë në Shqipëri, Larsen nënvizon se ka ende shumë gjëra për t’u bërë, që janë hedhur në letër dhe kanë mbetur aty siç është Bursa e Energjisë apo ndarja faktike e tre kompanive të reja të OSHEE.

A mund të bëjmë një përmbledhje për sektorin e energjisë në përgjithësi, duke iu referuar zhvillimeve të vitit 2018?

Për ne si kompani, gjërat kanë ecur mirë. Kemi në operim hidrocentralin e Banjës dhe një licencë për të eksportuar. Klima e eksporteve të energjisë jashtë Shqipërisë po ecën shumë mirë dhe mendoj që ndryshimet në ligjin e vitit 2015 ishin shumë të rëndësishme dhe kanë krijuar mundësinë që të eksportojmë lirisht. Gjithashtu, ua shesim një pjesë të energjisë institucioneve publike në vend siç është OSHEE. Mendojmë se procesi që ndiqet gjatë ankandeve të OSHEE është një proces i mirë.

Sigurisht jo gjithçka është e përkryer. Për shembull, ndryshimi i fundit i prezantuar nga OSHEE për termat e pagesave që kaluan nga 3 muaj në 6 muaj, duke rritur kohën e pritjes për ekzekutimin erdhi papritur. Edhe pse OSHEE i ka përmbushur deri më tani detyrimet për pagesat, periudhat e gjata të pritjes për kompletimin e transaksioneve financiare mund të pengojnë likuiditetin e kompanisë.

Për më tepër, kishte pritshmëri për më shumë progres lidhur me hapjen e tregut shqiptar të energjisë, diçka që nuk u materializua. Ndryshimet e bëra në legjislacionin primar dhe sekondar kanë hapur rrugën për ngritjen e Bursës së Energjisë, por aktet nënligjore të lidhura me të, si krijimi i APEX, apo koha e ngritjes së saj nuk u miratuan nga qeveria. Kemi shpresë se procesi do të avancojë më shpejt tani. Gjithsesi, ne e pranojmë që me vendosjen e Bursës së Energjisë, duhet të ketë një periudhë paraprake testimi, që do të thotë se do të duhen disa vite përpara se Bursa e Energjisë të jetë plotësisht operacionale.

Si e ndikon Bursa e Energjisë sektorin e energjisë në vend dhe çfarë përfitimesh sjell?

E bën tregun më transparent dhe më të hapur dhe përmes kësaj, nxit më shumë investime. Gjithashtu mundëson zbatimin e skemave rregullatore të caktuara në legjislacionin sekondar, si për shembull kontratat për diferencë, që ende nuk po funksionojnë siç duhet. Aktualisht tregtimi i energjisë bazohet te Bursa e Energjisë e Hungarisë, kurse ngritja e Bursës Shqiptare të Energjisë do të mundësojë avancimin e Shqipërisë brenda rajonit.

Po kështu, nga ajo që kemi kuptuar ne, ndarja e OSHEE-së në tre kompani të reja është kryer në letër, por operimi faktik i këtyre entiteteve është ende pezull. Duhet të kuptohet që ecja para drejt operimit funksional e këtyre tre entiteteve është një kërkesë e vendosur nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe në përputhje me modelin e tregut të energjisë.

Është komentuar gjatë edhe procesi i liberalizimit që nisi vitin e shkuar. Ju si e shihni këtë proces dhe avancimin e tij?

Ne mirëpresim zhvillime të tilla, por sërish duhet një bursë energjie që ta mbështesë, sepse në fund të fundit, ku do ta gjejnë energjinë dhe tregun e parregulluar ata që dalin nga tregu i rregulluar? Kjo është një arsye tjetër pse një Bursë Energjie është kaq e rëndësishme. Mendojmë që është e rëndësishme për të gjithë tregun. Është e rëndësishme për Shqipërinë, për transparencën dhe bëhet edhe më e rëndësishme për tregtimin e energjisë në Shqipëri, si dhe për mekanizma të tjerë mbështetës që lidhen me Kontratat për Diferencë.

Cilat janë disa nga objektivat që Statkraft ka për 2019 dhe flasim këtu sidomos për Moglicën, që është në një fazë finale tashmë?

Hidrocentrali i Moglicës është në vitin e fundit të aktiviteteve ndërtuese. Objektivi ynë është që të nisim mbushjen e rezervuarit në prill të këtij viti. Ndaj, na ndajnë vetëm disa javë nga ky moment i rëndësishëm për projektin. Krijimi i rezervuarit të Moglicës do të marrë njëfarë kohe dhe do të varet shumë në elemente të tjerë si koha, reshjet. Me krijimin e rezervuarit, ne do të procedojmë me fazën e testimit të turbinave që, me gjasa, do të jetë diku nga tremujori i tretë i këtij viti. Më pas, me kompletimin e suksesshëm të të gjithë testeve, do të nisim operimin e hidrocentralit të Moglicës.

Statkraft aplikoi për një impiant fotovoltaik lundrues mbi Banjë. Në çfarë faze ndodheni lidhur me këtë projekt?

Ne kemi marrë autorizimin paraprak nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës për të vijuar me projektin, një autorizim që na jep një sërë të drejtash. Kjo do të thotë që ne tashmë jemi në procesin e përzgjedhjes së kontraktorëve të ndryshëm për pjesë të ndryshme të këtij projekti, si instalimi i paneleve, projekti i fizibilitetit apo kërkesa të tjera të lidhura me aplikimin final.

Kur të kemi edhe autorizimin final, do të nisim edhe me porositjen e materialeve. Kemi nënshkruar një kontratë me një kompani norvegjeze, Ocean Sun. Është një projekt 2 MW jo shumë i madh dhe vlera e investimit është 2.5 milionë euro. Ajo që po përpiqemi të arrijmë në këtë projekt është mjaft e rëndësishme për objektivat e kompanisë. Së pari, tregu i impianteve fotovoltaike lundruese po rritet shpejt, por kostoja është shumë më e lartë se impiantet fotovoltaike në tokë, ndaj nuk janë ende konkurrues. Aktualisht, kompanitë përdorin kuti plastike dhe mbi to, vendosin panele diellore në një pjesë të konsiderueshme mbi liqen.

Kjo funksionon mirë, por ka edhe disa dizavantazhe, duke nisur së pari me faktin që ka shumë plastikë dhe prodhimi i këtyre moduleve brenda vendit nuk do të ishte fizibël, ndaj duhet të importohen. Shumë kontejnerë dhe aksesorë ajri nuk janë shumë miqësore me mjedisin.

Po shohim me interes një kompani dhe një tjetër teknologji, që do ta bëjë në një mënyrë tjetër këtë projekt. Shpresojmë të përdorim formatin e një ferme peshku, që është goxha i përdorur në Norvegji dhe vende të tjera. Ideja është të vendosim membranën brenda një formati që përdoret për rezervuarët e peshkut dhe mbi të të vendosim panelin. Kjo teknologji është testuar dhe duket se po funksionon.

Nëse do të rezultojë e suksesshme, me kalimin e kohës ne presim që kjo teknologji të jetë më konkurruese në raport me teknologjinë ekzistuese për panelet lundruese. Synojmë gjetjen e alternativave që na japin avantazh konkurrues. Kemi shpresë që nëse teknologjia që kemi përzgjedhur do të rezultojë e suksesshme, të mund ta aplikojmë në shkallë më të gjerë në vende të ndryshme. Në vende ku ka potencial për energjinë diellore, kompanitë po gjejnë mënyra për t’i kombinuar hidron dhe diellin, për një menaxhim më të mirë të energjisë.

Normalisht hidrocentralet nuk operojnë me kapacitet maksimal gjatë muajve të thatë, kur nuk ka shumë ujë në dispozicion. Në vend të kësaj, për ta kompensuar, mund të përdorësh infrastrukturën e nevojshme dhe lidhjet me rrjetin dhe të përdorësh burimet e prodhimit nga dielli për prodhimin e energjisë. Presim që kostoja e kësaj teknologjie të re të ulet në mënyrë domethënëse në vitet e ardhshme, ndaj impiantet fotovoltaikë lundrues janë një pjesë tjetër me interes që po sheh Statkraft.

Monitor,  13.04.2019