Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhet drafti i parë i udhëzimit për tepricat e impianteve fotovoltaike

Impiantet fotovoltaike të instaluar nga bizneset apo konsumatorët familjarë për vetëkonsum ndodhen prej kohësh në një ngërç ligjor që i pengon ata në funksionimin normal dhe kjo lidhet me tepricat në rrjet. Problematika ka të bëjë me mungesën e udhëzimit që bën të zbatueshëm ligjin e miratuar në vitin 2017 për burimet e rinovueshme të energjisë dhe specifikisht nenin 15 të tij që lidhet me skemën e matjes neto.

Burime pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë thanë për “Monitor” se drafti i parë i udhëzimit tashmë është finalizuar dhe ka hyrë në një proces diskutimi me grupet e interesit që janë kryesisht kompani që ushtrojnë aktivitetin në këtë sektor.

Por çfarë sanksionon në vetvete udhëzimi i ri.

Drafti fillestar së pari përcakton se kush mund të instalojë një impiant për vetëkonsum dhe kufiri i sipërm që ka lidhur me kapacitetin e instaluar. Konkretisht ky kufi është 500 kW dhe se shoqëri e vogël ose e mesme apo klient familjar është çdo konsumator i energjisë elektrike i lidhur vetëm me një pikë matjeje te energjisë elektrike në sistemin e Shpërndarjes.

Në pikën dy udhëzimi përcakton se ku duhet të vendoset paneli që instalohet për prodhim energjie dhe kuadrin ligjor që duhet të respektojë lidhur me zhvillimin e territorit.

“Sasia e energjisë elektrike që vetëprodhuesi do të prodhojë për vetëkonsum, do të llogaritet mbi bazën konsumit të tyre përgjatë një viti, të ndarë në muaj sipas historikut dy vjeçar profilit të konsumit, duke e injektuar në rrjetin e shpërndarjes energjinë e tepërt të prodhuar. Kjo energji e tepërt do ti kthehet konsumatorit sipas çmimit të caktuar nga ERE, bazuar në metodologjinë që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit” thuhet në pikën 4 të udhëzimit paraprak të MIE që disponon “Monitor”.

I njëjti nënvizon se fuqia e instaluar e impiantit për prodhimin e energjisë elektrike nga dielli (PV) për çdo konsumator duhet të mos jetë më e madhe se 500 kW në pik. Kjo fuqi e impiantit PV llogaritet mbi bazën e konsumit vjetor të energjisë elektrike e cila, në asnjë rast, nuk duhet të tejkalojë sasinë e energjisë të konsumuar nga klienti qe aplikon për lidhjen ne rrjet të këtij impianti.

Lidhur me marrëdhënien që do të mbahet me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike udhëzimi sqaron dokumentacionin që duhet të dorëzohet për t’u lidhur në rrjet.

Aktualisht udhëzimi është ende në formën e tij paraprake dhe sipas burimeve pranë MIE mund të pësojë ndryshime në funksion të përmirësimit dhe zgjidhjes së ngërçit.  Afati që MIE ka parashikuar në draftudhëzim që klientët të lidhen në rrjetin e OSHEE është 1 maji i këtij viti.

Monitor,  03.04.2019