Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Saudi Aramco, Fitimet e gjigandit të naftës sa dyfishi i Apple

Saudi Aramco,  prodhuesi më i madh në botë i naftës,  ka marrë vlerësimin e parë të kreditit.   Fitch Ratings i dha një vlerësim prej A+, ndërsa Moody’s, në A1, përpara se gjiganti i naftës të ndërmarrë shitjen e parë të obligacioneve. Aramco do të nisë takimet me investitorët ndërkombëtarë të obligacioneve këtë javë për emetimin e parë,  duke i hapur librat financiarë investitorëve për herë të parë.   Saudi Aramco është tërësisht i zotëruar nga shteti dhe vlerësimet janë në linjë me kreditin e Arabisë Saudite.

Të ardhurat përpara interesit, taksimit, zhvlerësimit  dhe amortizimit, (EBITDA) rezultuan në 223 miliardë dollarë në vitin 2018, sipas Fitch Ratings, duke kaluar lehtësisht ExxonMobil, që është kompania më e madhe e naftës në botë e listuar në bursë. Fitimi neto i Saudi Aramco arriti në 111.1 miliardë dollarë në vitin 2018, që është sa fitimi i Apple ($59.5 mld), Google ($30.7 mld) dhe Exxon ($20.8 mld) mbledhur së bashku. Aramco synon të emetojë obligacionin e parë të denominuar në dollar, që pritet të arrijë në të paktën 10 miliardë dollarë.

Kompania do të takojë investitorë nga Azia, Europa dhe Shtetet e Bashkuara deri ditën e Premte. Fitch bëri të ditur se Aramco ka një pozicion të fortë të likuiditetit,  me 48.8 miliardë dollarë në cash, kundrejt 27 miliardë dollarë të borxhit të raportuar.  Aramco synonte që të përputhej me vlerësimet e Exxon dhe Royal Dutch Shell. Exxon ka vlerësimin më të lartë prej AAA nga Moody’s, në linjë me vlerësimin e kreditit të Shteteve të Bashkuara. Si biznes i pavarur, Aramco do t’i tejkalonte homologët ndërkombëtarë, por aktivet e kompanisë janë të lidhura ngushtë me politikat ekonomike të Arabisë Saudite.

Scan,  01.04.2019