Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OPEC dhe sanksionet amerikane rrisin çmimet e naftës

Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm në sesionin e sotëm, për shkak të uljes së prodhimit nga OPEC dhe sanksioneve amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës. Por, fitimet po kufizohen nga rritje e prodhimit dhe rezervave në SHBA. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 56.2 dollarë për fuçi. OPEC+, që përfshin vendet anëtare të orgaanizatës dhe disa shtete të tjera, me në krye Rusinë, kanë rënë dakord të ulin prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë.

Marrëveshja ka filluar zbatimin në 1 janar dhe do të jetë në fuqi deri në qershor. Këtë javë, kompania shtetërore e naftës në Venezuelë shpalli emergjencën detare, duke përmendur vështirësitë për të pasur akses në tankera, për shkak të sanksioneve. Por, pavarësisht këtyre faktorëve, tregu vijon të jetë i furnizuar mirë, falë rritjes së prodhimit në SHBA. Gjatë javës së kaluar, rezervat e naftës u rritën me 7.1 milionë fuçi, në totalin e 452.93 milionë fuçive, referuar të dhënave të publikuara nga Administrata amerikane për Informimin mbi Energjinë.

Gjithashtu, prodhimi qendroi në nivelin rekord prej 12.1 milionë fuçi në ditë, në rritje me rreth 2 milionë fuçi në ditë, që nga fillimi i vitit 2018. Tashmë, Amerika është i vetmi vend në botë që prodhon mbi 12 milionë fuçi, duke lënë pas Rusinë dhe Arabinë Saudite. Një ditë më parë, ndërkohë, OECD deklaroi se ekonomia globale do të rritet me 3.3% gjatë këtij viti, në rënie me 0.2%, krahasuar me vlerësimin e mëparshëm.

Scan,  08.03.2019