Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE i kërkon Entit të shtyjë afatin e pagesës në 180 ditë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka kërkuar pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) që të ndryshojë termin “afatet e pagesës” tek rregullorja që sanksionon procedurat e blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve në rrjet dhe përmbushjen e detyrimit të furnizuesit publik. Me një shkresë drejtuar ERE-s në fund të janarit OSHEE nënvizon se afati 30 ditë që i lihet në dispozicion kompanisë publike e vë atë në vështirësi likuiditeti.

“OSHEE duke vlerësuar risqet dhe dëmet që do të shkaktoheshin nga kjo situatë pamundësie likuiditeti siç janë: a. Penalitetet që do të aplikoheshin nga Shoqëritë Tregtare të energjisë. b. Risku i pamundësisë së blerjes së energjisë gjate muajve Shkurt, Mars, etj. 2019, si rezultat i debive të krijuara. c. Përkeqësimi i reputacionit të shoqërisë “OSHEE” sh.a. si pasojë e mos respektimit të Kontratave ndaj Shoqërive Tregtare të Energjisë. Kujtojmë që reputacioni i OSHEE është përmirësuar me shumë përpjekje gjatë 4 viteve të fundit dhe përkeqësimi i tij do të sillte menjëherë çmime me të larta energjie për periudhat në vijim.

OSHEE vlerëson si të arsyeshme dhe shumë imediate, marrjen në konsideratë të ndryshimit të afatit të pagesës së faturave deri në 180 ditë. Pagesat me terma disa mujore të faturave aplikohet gjerë në treg dhe nuk është një koncept që OSHEE po e fut për herë të parë “thuhet në shkresën që i ka drejtuar kompania e shpërndarjes Entit.

Por Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e OSHEE duke argumentuar se vetë kompania nuk ka arritur të sjellë prova për dëmin që i shkaktohet me cenimin e imazhit që vjen si rrjedhojë e vonesave në pagesa, po kështu nuk ka arritur të analizojë rrethanat e reja me të cilat u njoh pas kësaj vendimmarrje. Po kështu Enti ka vlerësuar se në asnjë treg  të lirë të shitjes së energjisë elektrike, në rajon apo dhe më gjerë, nuk ekzistojnë praktika të tilla për termat e pagesës së energjisë elektrike, si ato që propozon OSHEE sh.a. Në fund ERE thekson se vetë OSHEE ka përcaktuar si afat 30 ditëshin në lidhje me marrëdhënien që ka me klientët fundorë për pagesën e faturave.

Kërkesa e OSHEE në fund të janarit nuk duket të jetë e rastësishme po të kemi parasysh që vetëm në këtë muaj kompania u përballe me sasi të mëdha importi që shkuan mbi 30 milionë euro.

Monitor,  06.03.2019