Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Janari, rekord çmimi i energjisë për të liberalizuarit

Çmimi i energjisë për bizneset që furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (OSHEE) arriti në janar një rekord të ri. Në vendimin e miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë ky çmim ishte 18.73 lekë, çmimi më i lartë i regjistruar për kategorinë e të liberalizuarve që nga nisja e procesit një vit më parë kur këto biznese merrnin energjinë me një tarifë të rregulluar 9.5 lekë/kwh. I ndarë në zëra rezulton se çmimi fillestar për sigurimin e energjisë ishte 14.33 lekë/kwh. Mbi këtë janë shtuar elementë të tjerë të parashikuar nga metodologjia duke nisur nga kthimi për riskun që ishte 0.43 lekë, kostot administative të furnizuesit të mundësisë së fundit1.80 lekë , tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit 0.75 lekë, tarifa e përdorimit të rrjetit të shpërndarjes 1.5 lekë/kwh.

“Vërehet se, në këtë aplikim për çmimin FMF për muajin Janar 2019, OSHEE sh.a. ka zbatuar me korrektësi përcaktimet e nenit 8 të Metodologjisë së përcaktimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga furnizuesi i mundësisë së fundit për sa i përket çmimit maksimal të blerjes. OSHEE sh.a. me e-mailin e datës 07.02.2019 protokolluar në ERE me nr. 132, informon se, do të vazhdojë të aplikojë koston administrative si në vitin 2018 (1.79 lekë/kWh), për llogaritjen e çmimit FMF-35 kV” thuhet në vendimin e ERE.

Në dhjetor bizneset e lidhura në 35 kilovolt paguan një tarifë 15.22 lekë/kwh ndërkohë që në tetor dhe nëntor të njëjtat biznese paguan 16 lekë/kwh. Këto të fundit ishin edhe dy muajt më të shtrenjtë me të cilin bizneset blenë energjinë. Përgjatë korrik, gusht dhe shtator, çmimi i energjisë për këtë kategori u caktua 12.86 lekë kwh ndërsa nga janari në qershor u luhat mes 9.5 dhe 9.82 lekë kwh

Në fillim të vitit të shkuar ishin 90 biznese të lidhur në 35 kilovot, të cilët u detyruan të dalin në treg të lirë për të siguruar energjinë në mënyrë të pavarur. Vetëm një pakicë e tyre arritën të gjejnë furnizues, ndërkohë që pjesa tjetër vijojnë të mbeten nën OSHEE sipas periudhës tranzitore të caktuar, e cila zgjat deri në fund të 2019-s. Në mes të këtij viti, pritet që të dalë në tregun e lirë një numër i madh biznesesh, por këtë herë të lidhur në tension 20 kilovolt.

Monitor,  26.02.2019