Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prodhimi i naftës në SHBA rritet me 12 mln fuçi në ditë

Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje të lehtë në sesionin e fundit të kësaj jave, për shkak të shpresave se Uashingtoni dhe Pekini do të arrijnë një marrëveshje mbi tregtinë. Në këtë mënyrë, nafta vijon të tregtohet pranë nivelit më të lartë për këtë vit. Në anën tjetër, rritja e prodhimit në SHBA në 12 milionë fuçi në ditë po ushtron presion mbi çmimet. Kjo do të thotë se, prodhimi në këtë vend është rritur me rreth 2.5 milionë fuçi në ditë, që nga fillimi i vitit 2018 dhe me 5 milionë fuçi që nga viti 2013.

Amerika është i vetmi vend në botë, që prodhon 12 milionë fuçi naftë në ditë, duke lënë pas Rusinë dhe Arabinë Saudite. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 57.1 dollarë për fuçi. Investitorët po tregohen të kujdesshëm, në pritje të përfundimit të bisedimeve mbi tregtinë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, përpara datës 1 mars.

Ndërkohë, nafta po gjen një mbështetje konstante nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë. Banka Goldman Sachs, deklaroi në një shënim për klientët e saj se, parashikon që prodhimi nga OPEC të arrijë një mesatare prej 31.1 milionë fuçi në ditë, gjatë 2019, nga 31.9 milionë që vlerësohej më parë. Në anën tjetër, Goldman parashikon se, prodhimi do të rritet me 1.9 milionë fuçi në ditë, gjatë këtij viti, nga vendet që nuk janë pjesë e OPEC.

Scan,  23.02.2019