Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, HEC-et dhe minierat, sfidat e 2019-ës

Adrian Bylyku, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Burimeve të Natyrës

 

Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës, me fokus te marrëveshjet hidrokarbure, minierat dhe hidrocentralet, duket se do t’i japë një temp të ri 2019-s.

Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, Adrian Bylyku, konfirmon në një intervistë për “Monitor” se ka disa zhvillime specifike, në secilin prej sektorëve që do të ndiqen me kujdes. Së pari, te hidrokarburet vëmendja është te Shell, kompani e cila ka qenë aktive këto vite me investime por edhe me një kontratë të re që bëhet efektive në qershor të këtij viti.

Ndërkohë ka nisur dixhitalizimi i arkivës hidrokarbure të vendit dhe një bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit. Së dyti, nisma për skanimin e koncesioneve të hidrocentraleve do të ketë dy aspekte.

I pari, verifikimi i dokumentacionit për çdo kontratë dhe i dyti, certifikimi i çdo vepre energjetike në funksion të respektimit të projekteve në letër dhe atyre në praktikë. Lidhur me minierat, Bylyku konfirmon se ka një nismë për grupimin e subjekteve në mënyrë që ndikimi mjedisor të jetë sa më i vogël.

 

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka në fokus disa nga sektorët kyç. e lidhur kjo me burimet natyrore. Si u mbyll viti i kaluar për këtë Agjenci dhe cili është fokusi për vitin 2019?

Po, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka në fokus të punës së saj një seri sektorësh, duke nisur nga ai hidrokarbur, minerar, energjia dhe energjitë e rinovueshme. Vëmendja e punës së institucionit ka qenë e fokusuar në të gjithë këta sektorë gjatë gjithë vitit 2018.

Duke u ndalur te nafta, ajo përfaqësohet kryesisht nga kërkim-zbulimi që po bën kompania Shell. Gjatë vitit 2018, u arrit Marrëveshja e re për kërkimin e naftës dhe gazit në Bllokun 4, në tokë me kompaninë Shell Upstream Albania. Kjo marrëveshje është firmosur në datë 20.02.2018 dhe është miratuar nga Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 350, datë 12.06.2018. Interesat e pjesëmarrjes në këtë kontratë janë 100% të kompanisë Royal Dutch Shell. Shell, në zbatim të kësaj marrëveshje është duke sistemuar dhe duke përpunuar të dhënat gjeologjike dhe sizmike ekzistuese. Në muajin   qershor të vitit 2019,Marrëveshja për bllokun 4 bëhet efektive dhe fillon zbatimi i saj.

Gjatë vitit 2018,është zhvilluar një punë intensive për të përfunduar atë çfarë synohej në pusin Shpiragu 3 dhe ka vazhduar më tej me pusin Shpiragu 4. Ky pus është i projektuar gati për t’u shpuar deri në6100 metra dhe ka arritur pothuajse në këto kuota. Për të qenë më të qartë për publikun lidhur me atë se çfarë është bërë dhe si është punuar, kompania SHELL ka filluar një proces, atë që quhet short-test dhe më pas ka vazhduar me atë pjesë të procesit që quhet long-test.

Short-test-i është një test i domosdoshëm për të vlerësuar naftëmbajtjen dhe rezervuarin dhe disa parametra të tjerë teknikë, si komunikimi i puseve me njëri-tjetrin, presioni etj. Ndërsa Long-test-i vjen pas kësaj faze dhe lidhet me disa parametra të tjerë teknikë. Kjo është një punë e kryer tashmë dhe përfundimet janë shumë pozitive sipas pritshmërive.

Por si ka nisur historia e puseve në zonën e Shpiragut?Punimet në pusin Shpiragu 3, 4 dhe 2 kanë nisur me zbulimin e naftës nga një kompani e mëparshme, Petromanas që operonte në këtë zonë. Pasi SHELL filloi të punonte në këtë zonë, ajo vazhdoi punën e më tej, duke bërë shpim në Shpiragu 3 dhe më pas duke bërë shpim në Shpiragu 4. Shpiragu 3 u ndërpre, pasi arriti deri në një fazë të caktuar,ndërkohë që Shpiragu 4 përfundoi dhe pas short test-it dhe long-test-it që përmenda më lart,do të ketë një kthim te Shpiragu 3.

E gjitha kjo strukturë, i gjithë ky rezervuar, kundrejt këtyre puseve që po bëhen, është duke hyrë në atë që quhet vlerësimi i naftëmbajtjes. Dhe gjatë fazës së punimeve shihen parametrat sesi mund të komunikojnë në shtresa puset me njëra-tjetrën, si mund të jenë presionet etj.

Po sa u përket objektivave në fushën e hidrokarbure për vitin 2019?

Sa u përket synimeve të vitit 2019, kompania do të vazhdojë investimet dhe konkretisht jemi në atë që quhet fazë e vlerësimit naftëmbajtës në pusin e Shpiragu 4 dhe pas vlerësimit, kompania do të rikthehet te pusi Shpiragu 3 që është ndërprerë për qëllime teknike. Në këtë drejtim do të vijohet dhe për vitin 2019, me një pus tjetër, por ndoshta nga fundi ivitit2019 ose fillimi i vitit 2020, pasi çdo fazë e çdo proces studimi kërkon kohën e vet. Deri më tani, kompania ka investuar deri në 500 milionë USD dhe do të vazhdojë me ritme të larta dhe për vitin 2019. Kjo është pjesa konkrete interesante për kërkim-zbulimin.

Ajo që dua të theksoj si mjaft të rëndësishme është fakti që prania e kompanisë Shell në Shqipëri është mjaft pozitive, pasi Shell është një ndër shtatë kompanitë më të mëdha në botë, për kërkimin dhe nxjerrjen e naftës.

Në fund të vitit të shkuar u njoftua fillimi i dixhitalizimit të arkivës hidrokarbure të vendit dhe asistenca e Departamentit Amerikan të Shtetit për AKBN. Mund të kemi disa detaje më shumë se çfarë parashikojnë këto dy projekte dhe cila është vlera e shtuar që do të sjellin?

AKBN ka arritur të konkretizojë dy projekte shumë të rëndësishme për sektorin hidrokarbur që lidhen pikërisht me këto dy aspekte. Projekti i parë ka të bëjë me arkivën hidrokarbure që u përurua para pak kohësh. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka të drejtën ekskluzive të menaxhimit të të gjithë të dhënave gjeologo-gjeofizike të grumbulluara në vite në Shqipëri për sektorin hidrokarbur.

Kjo është një pasuri e jashtëzakonshme e krijuar në 100 vjet të aktivitetit hidrokarbur në Shqipëri. Aty ndodhen mjaft materiale, si të dhënat e puseve të shpuar, të puseve të prodhimit, studime gjeologjike, studime gjeofizike, shiritat sizmikë të punimeve sizmike të kryera nga kompania Albpetrol dhe kompanitë e huaja, pas vitit 1990.

Vlera e këtyre materialeve që ndodhen në Arkiv është shumë e madhe dhe shumë e rëndësishme, prandaj edhe AKBN në bashkëpunim me Shell do të realizojë dixhitalizimin. Dixhitalizimi është më i domosdoshëm për shiritat sizmikë, pasi ato amortizohen dhe dëmtohen me kalimin e kohës. Ky dixhitalizim bën të mundur që kjo pasuri të ruhet dhe t’u trashëgohet brezave, si pasuri e papërsëritshme. Realizimi i projektit të dixhitalizimit do të vlejë për të bërë të mundur promocionin e të gjitha pasurive hidrokarbure që Shqipëria zotëron, si në pjesën e detare ashtu edhe në tokë.

Pas këtij hapi, qeveria ka një tjetër objektiv, që të kalohet në një tjetër plan që lidhet me Multi Client Data Process. Kjo do të thotë që të dhënat e dixhitalizuara kalojnë në fazë tjetër, ku kompani lider në botë që punojnë sot në këtë lloj industrie ofrojnë ekspertizën, teknikën, investimet e tyre për t’i çuar këto në nivel më të lartë. Konkretisht, këto kompani marrin të dhënat kundrejt procedurave të tenderimit dhe kompanitë marrin përsipër jo vetëm të plotësojnë një pjesë të të dhënave me investimet e tyre, por nga ana tjetër t’i promovojnë këto blloqe të lira tek investitorët e huaj.

Po projekti për asistencën teknike ku konsiston?

Në lidhje me projektin tjetër, atë të promovimit të blloqeve të lira në Shqipëri, AKBN po asistohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet kompanisë Deloitte. Kontraktuesi do të ofrojë shërbime këshillimore teknike për të ndihmuar Qeverinë Shqiptare në praktikat kryesore ndërkombëtare, për organizimin e tenderëve konkurrues, në mënyrë që Shqipëria të tërheqë investime ndërkombëtare nga firma të kualifikuara me përvojë dhe me metoda të avancuara të zhvillimit. Momentalisht ka nisur zbatimi i këtij projekti.

Në muajin janar, specialistë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore u trajnuan nga stafi i kompanisë Deloitte, duke marrë njohuri më të gjera si: Organizimi i raundeve të licencimit për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit, mbikëqyrje teknike në sektorin hidrokarbur, trajnime specifike teknike, etj. Ky është një projekt që do të zgjasë 18 muaj dhe qëllimi kryesor i tij është që Shqipëria të përfitojë një përvojë më të madhe në fushën juridike, ekonomike etj., për të promovuar sa më mirë pasuritë natyrore të vendit dhe për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj.

Deloitte, e cila gëzon mbështetjen e plotë të Departamentit Amerikan të Shtetit është një kompani lider në botë që punon me vendet më të mëdha në sektorin hidrokarbur dhe është një praktikë shumë e njohur për të qenë i suksesshëm. Gjithë këto nisma me zhvillimet që ka Shqipëria janë të lidhura me gazsjellësin TAP,lëvizjet dhe gjeopolitikën, diplomacinë e rajonit,tendencën që ka vendi ynë për t’u zhvilluar dhe për të qenë lider në rajon për sektorin hidrokarbur. Janë mundësi që duhen mbështetur dhe zhvilluar.

Si është interesi i kompanive të huaja për Blloqet e lira në vend, duke qenë se vetëm pak kohë më parë u bë nxjerrja për interes e njërit prej tyre? A e favorizon situata aktuale në tregjet globale rritjen e interesit për Shqipërinë?

Në lidhje me blloqet e detit, ashtu siç kemi dhënë detaje edhe më herët, pritet shumë shpejt të shpallen zona të lira dhe të promovohen për të arritur marrëveshje të reja. Projektet që përmenda më lart janë përpjekje serioze të qeverisë shqiptare që të tërheqë sa më shumë investitorë të huaj të interesuar.

Si ka qenë ecuria e prodhimit të naftës në vend gjatë vitit 2018 dhe si e prisni në vijim?

 Sa i përket prodhimit, sasisë së naftës,pjesa tradicionale, pra puset naftëmbajtëse nga të cilat prodhohet naftë, vazhdon të përfaqësohet nga Bankers Petroleum. Kjo kompani prodhon gati 87% të prodhimit total në Shqipëri. Po të përfshijmë edhe kompaninë Albpetrol,të dyja bashkë shkojnë në gati 97% të prodhimit, që sigurohet nga të gjitha kompanitë që janë në Marrëveshje Hidrokarbure.

Aktualisht,jemi në fazën e miratimit për këtë vit të programit vjetor dhe buxhetet(për vitin 2019) në të cilën përfshihen edhe prodhimi i naftës dhe investimet respektive të këtyre kompanive.

Natyrisht, kërkojmë gjithmonë e më shumë nga Bankersqëtë rrisë investimet. Rritja e investimit lidhet me rritjen e prodhimit dhe kjo për rrjedhojë do të thotë shtim të rentës minerare për shtetin.

Meqë, sapo është ndryshuar drejtimi i Bankers, në vitin 2018 dhe aty nga fundi i vitit 2017,investimet nuk kanë rezultuar aty ku duhet, prandaj jemi në diskutime që të ketë rritje në planin e radhës dhe investimet të jenë konkrete.

Sa u përket shifrave,në vitin 2014 kompania arriti të prodhonte gati 1.2 milionë tonë, ndërsa për vitin 2018 diku tek 850 mijë tonë.

Sikurse deri tani, rritja e prodhimit të naftës do të kushtëzohet edhe nga koniunktura e tregut ndërkombëtar të shitjes së naftës bruto. Mbështetur në ecurinë e kuotimit të naftës (Bursa => Kuotimi “BRENT”) gjatë viteve 2015-2018 çmimi i tregtimit të naftës në eksport ka qenë respektivisht sipas viteve 53.9, 45.1, 54.7 dhe 71.2 dollar/fuçi. Një çmim i ulët, i cili përkthehet në të ardhura më të ulëta, zbeh interesin e kompanisë për të kryer investime, pasi rikthimi i tyre (investimeve) është më i ngadaltë.

Në këto raste, investimet e kompanisë, ndonëse në vlera më të ulëta, shkojnë pothuaj për të ruajtur dhe për të frenuar nivelin e rënies natyrale të prodhimit. Kjo ndodh pasi, investimet për shpimin e puseve të rinj, të cilët kanë potencial të lartë prodhimi, janë të larta dhe të papërballueshme për të ruajtur një balancë në raportin Të ardhura/Shpenzime.

Ky raport është treguesi i vetëm që përdoret për llogaritjen e Faktorit R, i cili në rastin kur merr një vlerë të barabartë me 1, siguron ndarjen e fitimit të kompanisë 50% / 50% me shtetin. Aktualisht për kompaninë Bankers, kjo vlerë është 0.9477. Një rritje e madhe e shpenzimeve (investimeve), të cilat për efekt të çmimit të ulët, do të sigurojnë të ardhura më të ulëta, do të bëjë që ky tregues të pësojë rënie.

Gjatë muajit janar 2019, përsëri ka filluar një tendencë rënie, e tillë që nga data 16/01/2019, ky çmim është 60.54 dollarë/fuçi.

Po lidhur me hidrocentralet mund të kemi disa detaje për ecurinë e tyre, pra sa janë përfunduar, sa janë në proces, si ka qenë ecuria e investimeve?

Janë nënshkruar gjithsej 201 kontrata koncesionare, nga të cilat 3 janë zgjidhur që do të thotë kemi 198 kontrata koncesionare për ndërtimin e 556 hidrocentraleve. Ky numër nuk është ai përfundimtar, pasi lidhet kontrata koncesionare, shoqëritë përkatëse bëjnë projektin e zbatimit për të maksimalizuar shfrytëzimin e këtyre rrjedhave ujore dhe për të garantuar skemën më të mirë hidroenergjetike.

Gjithashtu, ministria ka në proces për zgjidhje të njëanshme 23 kontrata koncesionare.

Duke hequr dhe shifrën 23 shkojmë në 175 kontrata koncesionare për ndërtimin e 405 hidrocentraleve me koncesion.

Në lidhje me HEC-et që nuk janë objekt koncesioni, kemi 153 shoqëri që kanë miratimin paraprak për ndërtimin e 171 HEC-eve që nuk janë objekt koncesioni.

AKBN, sipas urdhrit të z. ministër, ka filluar procesin e skanimit të dokumentacionit ligjor-ekonomik-teknik të çdo hidrocentrali. Janë 4 grupe pune duke punuar intensivisht, për të pasur një pasqyrë edhe më të qartë të situatës. Grupet janë ndarë në terren dhe në zyrë, për të monitoruar përkatësisht HEC-et që janë në ndërtim dhe ato që nuk kanë filluar punë. Monitorimi/inspektimi nuk është vetëm për të parë përmbushjen e detyrimeve kontraktuale, por edhe zonat e mbrojtura, ankesa të ndryshme që ka pasur nga qytetarët e problematika të tjera të këtij lloji.

Puna në fushën e HEC-eve është duke ecur në mënyrë normale, por gjëja më e rëndësishme që kemi për HEC-et është që Ministria përmes autoritetit kontraktor, bashkë me AKBN, ka nisur procesin e certifikimit të HEC-eve që është pak a shumë i njëjtë si procesi që ndërmerret kur legalizohet një ndërtim. Nga ana tjetër, po synojmë që të ketë, jo vetëm planifikim, por edhe monitorim kundrejt gjithë parametrave të prodhimit, mënyrave të linjave dhe produktit përfundimtar.

Pra, në njëfarë mënyre, ne po synojmë që çdo HEC i ndërtuar, edhe pse nga pikëpamja mjedisore ka ndikim, por nga ana tjetër është një energji e rinovueshme që duhet shfrytëzuar. Këtu nis edhe pjesa e matjeve. Pra, çfarë synojmë nga ana e prodhueshmërisë, në çfarë rezultati duhet të arrijmë dhe çfarë ndikimi mjedisor ka. Menaxhimi i këtyre dy elementeve do të orientojë qartë edhe pjesën e perspektivës, duke marrë në konsideratë këtu edhe zonat e mbrojtura që përbëjnë potencial turistik. Pra, të ketë monitorim kundrejt nevojës dhe perspektivës.

Për shembull, ka disa pellgje ujëmbledhës që lidhen me linjat e interkonjeksionit dhe natyrisht që kërkojnë edhe investime për nënstacione apo elemente të tjera. Duhet të dimë potencialet që kanë këto pellgje ujëmbledhëse, sa do të ndërtojmë, në çfarë kapaciteti,koha që duhet dhe të gjithë elementet e tjera. E gjithë kjo, është kundrejt përgjegjshmërisë së vlerësimit të pasurisë kombëtare. Institucionet duhet të jenë të përgjegjshme dhe të vëmendshme për shfrytëzim racional, sepse na duhet dhe mjedisi dhe energjia dhe këto duhet të shkojnë në parametra optimalë.

Industria e minierave është një tjetër sektor në monitorim, si është situata aktuale, çfarë keni arritur për vitin që kaloi?

Sektori minerar ndahet në minerale metalorë dhe jometalorë. Sa i përket metalorëve,synohet që industria e kromit, bakrit dhe hekur-nikelit të ketë shfrytëzimin optimal. Natyrisht, ne nisemi nga monitorimet që kemi, nga elementet e sigurisë që janë shumë të rëndësishme dhe më pas vazhdojmë me elementet e tjera teknike.

Disa muaj më parë në AKBN u miratua rruga e re në zonën e Bulqizës, pikërisht për çështjen e sigurisë. U thirrën të gjithë subjektet që të binin dakord për një rrugë, e cila shmangte një fenomen që është i pranishëm në zonën e Bulqizës. Ky fenomen njihet si fenomeni i hinkave. Me kalimin e kohës në pjesën sipërfaqësore të rrugëve apo infrastrukturës në tërësi, krijohen hinka nga galeritë që shfrytëzohen. U bënë projekt-studime bashkë me konsulentët dhe u paraqit projekti i një rruge të re.

Roli i AKBN-së sa i përket pjesës së minierave është shumë i rëndësishëm, sepse monitorimi i subjekteve dy herë në vit garanton vjeljen e rentës minerare. Industria minerare për vitin 2018 pati një ecuri me një trend të lehtë rritje krahasuar me vitin2017. Për të dhënë një panoramë sa më të qartë për shfrytëzimin e minierave sot: Numri i lejeve minerare aktive është604 leje minerare,sipas mineraleve respektivisht: krom 248 leje, bakër 14 leje, qymyr 1 leje, hekur-nikel 18 leje, bitum, qymyr bituminoz, rërë bituminoze 14 leje, argjile 18 leje, gur gëlqeror për çimento 4 leje, inerte ndërtimi165 leje, ku përfshihet gur gëlqeror, konglomerate, brekcie, basalt, zure etj., gur dekorativ 140 leje,ku përfshihen gëlqeror Bllok, Gabro, Traktolite, etj,.

Ndërsa sa u përket investimeve të realizuara për vitin2017shkojnë26’015’493,për 9-mujorin e vitit 2018 investimet janë 18.700’000 $.

Po objektivat për 2019 të institucionit që ju drejtoni, cilat janë?

Për mineralet jo metalorë dy janë synimet kryesore. Fillon me një nismë të qeverisë në lidhje me shpalljen e zonave të mbrojtura, mbylljen e strukturave abuzive apo ndotëse në zonat e banuara, siç filloi në Urën Vajgurore dhe më pas vazhdoi në Novaj të Skraparit. Por është një nismë tjetër e AKBNe mbështetur nga qeveria lidhur me rehabilitimin e zonës së Fushë-Krujës.

Kjo zonë është shpallur zonë e mbrojtur në një hapësirë 150 hektarë. AKBN ka nisur të diskutojë me 22 subjekte që ushtrojnë aktivitetin në këtë pjesë për zhvendosjen e tyre në pjesën lindore që nuk është e ekspozuar, duke siguruar kështu dhe mbrojtjen nga ndotja, jo vetëm për zonën e Fushë-Krujës, por edhe gjithë lugina e Prezës që përfshin Rinasin dhe e çon deri në Tiranë këtë ndotje.

Me këtë, i kthejmë Krujës atë pjesë të rëndësishme që ka, peizazhin bashkë me historinë. Paralelisht u japim mundësi subjekteve të vazhdojnë aktivitetin e tyre në një zonë pothuajse të afërt. Ne si AKBN, kemi si qëllim që veçanërisht për pjesën e guroreve të nisë grupimi që të ketë sa më pak ndikim, qoftë për pjesën e zonave të banuara, ashtu edhe për mjedisin.

Një punë e rëndësishme është ajo e dixhitalizimit të punimeve të minierave të mëdha të kromit(Bulqizë, Batër, Thekën, Krastë) në të cilat ka shumë leje minerare në të njëjtën minierë. Qëllimi është për të shmangur efektet negative të mbivendosjeve dhe saktësimi real i sasisë dhe cilësisë së rezervave, duke kontrolluar dhe duke marrë kampione direkt në terren.

Një tjetër objektiv është promovimi i shfrytëzimit të gurëve dekorativë, për të bërë të mundur rritjen e investimeve në këto miniera dhe për rrjedhojë, rritjen e prodhimit dhe eksporteve të këtyre materialeve. Fokusi ynë është edhe krijimi i një baze të dhënash (DATA ROOM)në përputhje me “standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri”, mbështetur në Direktivën Inspire të EU 2007/2KE.

Monitor,  20.02.2019