Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

2019, Albpetrol planifikon të prodhojë më pak naftë

Albpetrol parashikon një rënie të prodhimit të naftës për vitin 2019. Sipas kompanisë shtetërore, për këtë vit prodhimi i naftës është programuar në rreth 129,000 Ton apo rreth 4000 ton më pak, krahasuar me prodhimin e pritshëm të vitit 2018. Referuar sasisë së parashikuar për vitin 2019, rreth 83 mijë ton do të prodhohen nga vetë kompania, ndërsa 46 mijë ton nga marrëveshjet hidrokarbure.

Kompania shtetërore e naftës parashikon që pjesën më të madhe të prodhimit ta ketë nga 1176 puse ekzistues, ndërkohë që pjesa tjetër do të nxirret nga rivënia në punë e puseve të fondit të ndaluar, ku përfshihet edhe Amonica. Ndërkaq, sa i takon pozitës financiare, Albpetrol parashikon që të ardhurat e kompanisë të arrijnë në rreth 5.5 mld lekë, ndërsa parashikon ta mbyllë vitin me bilanc pozitiv prej 29 mln lekësh. Nga ana tjetër, kompania shtetërore thekson se edhe në vitin 2019 do të vijojë procesi i ristrukturimit, që ka nisur rreth një vit më parë, si një proces i nevojshëm për shëndoshjen ekonomike.

Alpetrol e mbylli vitin 2018 me 1746 punonjës, ndërsa në tetor të vitit të kaluar, ristrukturimi u bë pjesë e një debati me Partinë Demokratike, e cila hodhi akuza për largime të profesionistëve dhe zëvendësimin e tyre me militantë partiakë. Në atë kohë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hodhi poshtë akuzat, ndërkohë që për vitin 2019 kompania parashikon rritjen dhe kualifikimin profesional të stafit në disa nivele, testimin dhe kategorizimin tekniko-profesional të punonjësve si dhe aplikimin e sistemit të menaxhimit të performancës.

Scan,  16.02.2019