Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pas Akërnisë, park fotovoltaik 50 MW në Fier

Qarku i Fierit ka parë një interes të lartë për impiante fotovolatikë me kapacitet deri në 2 MW por duket se së fundmi ka marrë vëmendjen për një investim potencial që shkon në dhjetëra milionë euro . Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije se pranë saj është paraqitur një aplikim nga kompania “LM Energy Corporate” e cila ka shprehur interesin për të ndërtuar një impiant fotovoltaik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme me kapacitet 50MW në zonën Sheq Marinas, Topojë, Qarku Fier.

Interesi për një park të këtyre përmasave vjen në një kohë kur Shqipëria ka shpallur tashmë një fitues për parkun fotovoltaik të Akërnisë me një kapacitet të instaluar 50MW ndërkohë që ka pezulluar aplikimet për impiantet deri në 2MW. Këto impiante nuk cilësohen si koncesione tipike dhe mund të miratohen vetëm me firmën e ministrit përgjegjës për Energjinë. Pezullimi i tyre u bë deri në një moment kur do të analizohet situata pasi numri i aplikimeve tejkalonte kapacitetet e parashikuara në planin për energjinë.

Kush është kompania “LM Energy Corporate”

Referuar të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit kompania që ka aplikuar për impiantin fotovoltaik është regjistruar në datë 6 shtator 2017 me një kapital 3.5 milionë lekë. Kompania ka në objekt të aktivitetit të saj “projektim, zbatim, ndërtim të impjanteve të prodhimit të energjisë me panele djellore, shitja e energjise elektrike për kliente të ndryshëm, shtet ose privat, të vendit ose të huaj, shfrytezim dhe mirëmbajtje të pajisjeve të paneleve diellore. projektim, ndertim dhe montim të pajisjeve dhe linjave te transmetimit të energjise elektrike”

LM Energy Corporate zotërohet nga disa aksionerë ndër të cilët Genci Anastasi me 18 për qind, Fabio Signorelli  25 për qind, po kaq kanë edhe Manolo D’Amico dhe Wah Meng Gan dhe GIGAENERGY S.R.L. me 7 për qind të aksioneve.

Akërnia 50 MW dhe kosto 70 milionë euro

Nëse miratohet aplikimi i kompanisë ky do të ishte projekti i dytë më i madh i një impianti fotovoltaik në vendin tonë pas atij të Akërnisë që është ende në procedurë negocimi me kompaninë e shpallur fituese  India Power Coporation LTd ndëkrohë që projekti parashikohet që të kushtojë reth 70 milionë euro. Sipas ofertës që u shpall fituese çmimi i siguruar i energjisë për 50 MW ka një vlerë prej 59.9 euro/MW për 15 vite dhe një kapacitet shtesë prej 50 MW (100 MW në total) pa mbështetje për blerje energjie. Afati i zbatimit të investimit është 18 muaj. Energjia që do të prodhohet nga impianti do të tregtohet lirisht në tregun e energjisë. Akërnia nuk është i vetmi projekt në fushën e energjisë diellore. Lojtarë të tjerë të rëndësishëm kanë shprehur interesin e tyre për të investuar në këtë sektor. Statkraft që aktualisht ka investuar në projekte të rëndësishëm hidro në vend ka aplikuar së fundmi për mundësinë e një impianti fotovoltaik lundrues në liqenin e hidrocentralit të Banjës dhe po kështu edhe KESH.

Monitor,  05.02.2019