Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Miratohet rregullorja për administrimin e mbetjeve nga shpimi i puseve të naftës

UDHËZIM
Nr. 811, datë 20.11.2018
MBI MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ADMINISTRIMIN E MBETJEVE NGA SHPIMI I PUSEVE PËR KËRKIMIN DHE PRODHIMIN E HIDROKARBUREVE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 102, pika 4 e Kushtetutës, si dhe të nenit 9, germat “c” dhe v“f”, të ligjit nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, i ndryshuar,

UDHËZOJ:

1. Miratimin e rregullores “Për administrimin e mbetjeve nga shpimi i puseve për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në Shqipëri”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij udhëzimi.
2. Për ndjekjen e zbatimit të këtij udhëzimi ngarkohen strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
3. Ky udhëzim u njoftohet shoqërive të kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbure, që kryejnë aktivitetin e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbure, në bazë të marrëveshjeve hidrokarbure, të cilat ngarkohen për zbatimin e tij.
Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË
Damian Gjiknuri

RREGULLORE PËR ADMINISTRIMIN E MBETJEVE NGA SHPIMI I PUSEVE PËR KËRKIMIN DHE PRODHIMIN E HIDROKARBUREVE NË SHQIPËRI

1. Shpimi i puseve të kërkimit, vlerësimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në territorin e Republikës së  Shqipërisë, në tokë dhe det, kryhet nga dhe për llogari të shoqërive të kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve, të cilat kanë marrëveshje hidrokarbure në fuqi, në përputhje me nenin 13, të ligjit nr. 7746, datë 28.7.1993,“Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar.
2. Procesi i shpimit të puseve kryhet në përputhje me “Standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në industrinë e hidrokarbureve”, të përcaktuar në çdo marrëveshje hidrokarbure, si dhe në respekt të kushteve dhe normave teknike në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
3. Procesi i trajtimit të mbetjeve nga procesi i shpimit në sheshin e shpimit, transportimi i tyre dhe procedurat e tjetërsimit të tyre në kuptimin e kësaj rregulloreje quhet “Administrimi i mbetje të shpimit”.
4. Administrimi i mbetjeve që rezultojnë gjatë proceseve të shpimit të puseve në sheshin e shpimit bëhet në përputhje me projektin teknik dhe teknologjik të shpimit, si dhe të lejes së ndërtimit për sheshin e shpimit.
5. Administrimi i mbetjeve, i përcaktuar në pikën 3 të kësaj rregulloreje, bëhet vetëm nga subjekte juridike tregtare, të kontraktuara nga shoqëritë e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve, të cilat kanë marrëveshje hidrokarbure.
6. Subjektet që administrojnë mbetjet hidrokarbure të shpimit, kujdesen që në çdo rast, gjatë aktivitetit të tyre të marrin masa për sigurinë, shëndetin, mbrojtjen e mjedisit dhe shmangien e rrjedhjeve, mbetjeve, ndotjes dhe aksidenteve.
7. Çdo subjekt juridik i interesuar për kryerjen e administrimit të mbetjeve hidrokarbure shpreh interesin në ministrinë përgjegjëse për hidrokarburet. Ministria vlerëson plotësimin e kushteve të parashikuara në këtë rregullore dhe bën miratimin e kërkesës. Miratimi i ministrisë kërkohet me qëllim zbatimin e kushteve të
përcaktuara në nenin 9, germat “c” dhe “f”, të ligjit nr. 7746/1993, “Për hidrokarburet”, i ndryshuar, dhe shërben si kusht për njohjen nga AKBN-ja e kostove hidrokarbure të administrimit të mbetjeve.
8. Miratimi i këtyre subjekteve nga ministria bëhet pasi ato kanë paraqitur në ministri një kërkesë të shoqëruar me dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Emri i aplikuesit;
b) Adresa e selisë së aplikuesit;
c) Administratori i shoqërisë;
ç) Përfaqësuesi ose i deleguari përgjegjës (nëse ka);
d) Struktura organizative e shoqërisë;
dh) Përshkrimi i kapaciteteve teknike, organizative dhe profesionale të shoqërisë;
f) Numri i telefonit, faksit ose adresa e e-mailit;
g) Vërtetime për shlyerjen e detyrimeve tatimore, pagesën e sigurimeve shoqërore, pagesën e detyrimeve të energjisë elektrike dhe që shoqëria nuk është në proces falimentimi;
gj) Vërtetim që subjekti ka një marrëveshje paraprake për tjetërsimin e mbetjeve hidrokarbure me subjektet që operojnë landfille, inceneratore apo infrastruktura të ngjashme që mund të tjetërsojnë mbetjet hidrokarbure, si dhe paraqitja e kësaj marrëveshje në ministri;
h) Subjekti i interesuar duhet të ketë pajisjet teknike-teknologjike të nevojshme për kryerjen e proceseve të punës.
9. Ministria shqyrton nëse dokumentet e depozituara nga aplikuesi janë në përputhje me kërkesat e kësaj rregullore. Ministria nëse e vlerëson të arsyeshme mund të verifikojë besueshmërinë dhe saktësinë e të dhënave të dokumenteve.
10. Ministria i komunikon aplikuesit ose të deleguarit përgjegjës të tij, brenda 20 ditëve kalendarike, nga data e paraqitjes së aplikimit, pranimin e tij, nëse dokumentet dhe informacioni i paraqitur nga aplikuesi janë të plota dhe në përputhje me kërkesat.
11. Shoqëritë e kërkimit dhe prodhimit duhet që trajtimin e mbetjeve në sheshin e shpimit ashtu si edhe transportimin e tyre në destinacionin e tjetërsim të tyre ta bëjnë nëpërmjet subjekteve që i është miratuar kërkesa nga ministria për këto aktivitete.
12. AKBN-ja, në procedurat e njohjes së kostove si të mbulueshme për marrëveshjet hidrokarbure, duhet të kërkojë nga shoqëritë e kërkimit dhe prodhimit edhe kontratat për proceset e administrimit të mbetjeve të shpimit, nëse shoqëritë kanë kryer operacione të shpimit të puseve. Mospajisja me këto kontrata përbën shkelje dhe çon në mosnjohjen e kostove si kosto hidrokarbure.

energjia.al  17.01.2019