Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rriten eksportet e naftës vendase, 80% rritje në 3-mujor

Eksportet e naftës u rriten me ritme të shpejta këtë vit sipas të dhënave mbi tregtinë e jashtme të raportuara nga INSTAT. Për 11 mujorin 2018  eksporti i lëndëve djegëse që përfaqësohet kryesisht nga nafta që prodhohet në vend u rrit me 80 për qind. Vlera e eksporteve në periudhën janar-nëntor arriti në 39 miliardë lekë nga 21.7 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Burimet nga tregu pohuan se janë dy arsye që lidhen më këtë rritje.

E para, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare këtë vit ka qenë më i lartë, duke bërë që kompanitë që eksportojnë naftë jashtë vendit të arkëtojnë vlera më të larta. Sipas të dhënave nga tregu ndërkombëtar çmimi mesatar i naftës në tregjet ndërkombëtare në vitin 2018 ishte 71.4 dollarë për fuçi, ndërsa në vitin 2017 një fuçi naftë u shit me rreth 54.1 dollarë.

Një fuçi naftë në tregjet ndërkombëtare ka kushtuar 32 % më shumë se vitin e kaluar duke u shndërruar kështu një faktor themelor për rritjen e vlerës së naftës së eksportuar. Gjithashtu eksporti i naftës u rrit edhe si rrjedhojë e përfshirjes  në prodhim të rafinerisë së përpunimit të naftës ARMO, i cila vitin e kaluar punoi me periudha të shkëputura. Eksporti i naftës u nxit së fundmi edhe nga kërkesa më e lartë në tregjet e Kosovës. Si rrjedhojë e rritjes së tarifave doganore 100% me Serbinë një pjesë e naftës që më parë importohej nga tregjet e Serbisë ka nisur te importohet nga Shqipëria.

Eksporti i naftës dhe nënprodukteve të saj në Kosovë u rrit me 29% këtë vit. Ky është grupi i dytë, me vlerën më të madhe të eksportit në Kosovë dhe dominohet kryesisht nga shitjet e naftës. Ekspertë të ekonomisë dhe biznesit në Kosovë pohuan se Shqipëria mund të bëhet zëvendësuese  e Serbisë në tregjet e Kosovës për hekurin dhe naftën.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se nga Shqipëria mund të zëvendësoje lehtësisht disa nënprodukte të naftës dhe hekurit që me pare importoheshin nga Serbia.

Monitor,  24.12.2018