Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Katërfishohet prodhimi i energjisë në tremujorin e tretë, rritet konsumi

Zhvillimet në tregun e energjisë elektrike ishin pozitive në tremujorin e tretë të vitit, teksa prodhimi i energjisë është rritur ndjeshëm, humbjet në rrjet janë ulur, ndërsa ka një rritje të konsumit, sidomos nga bizneset, në një tregues të gjallërimit të aktivitetit të tyre.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 3,1 %, sipas INSTAT, i cili ka publikuar bilancin e energjisw elektrike pwr Tremujorin e tretw 2018.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë pothuajse u katërfishua, duke arritur vlerën 1.630 GWh nga 418 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2017.

Në totalin e energjisë elektrike të prodhuar, hidrocentralet publike kontribuan në masën 80,0 %, ndërsa hidrocentralet private dhe koncensionare realizuan vetëm 20,0 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Rritja e prodhimit të energjisë elektrike, në tremujorin e tretë të vitit 2018, ka ndikuar në uljen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me rreth 2,9 herë dhe rritjen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me rreth 69,7 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tremujorin e tretë të vitit 2018, hidrocentralet publike prodhuan 1.304 GWh energji elektrike nga 300 GWh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2017, duke shënuan kështu një rritje të prodhimit me rreth 4,4 herë. Ndërsa, hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 326 GWh energji elektrike nga 118 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuan një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me rreth 2,7 herë.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) në tremujorin e tretë të vitit 2018, rezultoi me ulje duke arritur vlerën 470 GWh nga 1345 GWh në tremujorin e tretë të vitit 2017.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) në tremujorin e tretë të vitit 2018, rezultoi me rritje duke arritur vlerën 287 GWh nga 4 GWh në tremujorin e tretë të vitit 2017.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018, humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 360 GWh nga 386 GWh që ishin në tremujorin e tretë të vitit 2017, duke shënuar kështu një rënie me 6,8 %. Ndikim në këtë rënie ka patur ulja e humbjeve në shpërndarje e cila përbën 87,5 % të humbjeve gjithsej në rrjet.

Sipas të dhënave të INSTAT, humbjet në rrjet zbritën në 19.8% të totalit të energjisë së konsumuar, nga 21.9% në të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Humbjet në shpërndarje janë ulur me 9,8 %, ku impaktin më të madh e ka dhënë ulja e humbjeve teknike në shpërndarje me 19,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e tretë të vitit 2018, u rrit me 5,8 % duke arritur vlerën 1.453 GWh nga 1.373 GWh që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2017 .

Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë të cilët kontribuan me +5,3 pikë përqindje, përkundrejt kontributit prej +0,5 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

Monitor,  22.11.2018