Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndotja e ajrit vret 600 mijë fëmijë në vit

Në një raport, Organizata Botërore e Shëndetësisë sinjalizon këtë rrezik për shëndetin dhe për zhvillimin e fëmijëve.

“Ndotja e ajrit ka një ndikim shkatërrues në shëndetin e fëmijëve”. Sinjali erdhi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të pabotuar më parë.

Ai u bë publik më 29 tetor, në vigjilje të hapjes së konferencës së parë botërore mbi ndotjen e ajrit, e mbajtur në Gjenevë, nën kujdesin e institucioneve të Kombeve të Bashkuara. “Ajri i ndotur është duke helmuar miliona fëmijë dhe duke shkatërruar jetën e tyre”, ngre zërin drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Në një dokument prej 180 faqesh, organizata mbledh për herë të parë, njohuri shkencore rreth një “rreziku të madh” por “shpesh i anashkaluar”: dobësia e veçantë e fëmijëve ndaj efekteve të dëmshme të ndotjes së ajrit”.
Një shifër jep masën e rrezikut. Rreth 600,000 fëmijë më të vegjël se 15 vjeç – ndër të cilët 543,000 më të vegjël se 5 vjeç – vdesin çdo vit në botë nga një infeksion respirator, pasi jetojnë në një mjedis të ngopur me grimca të ndotura ajri (PM10).

Ndotja e brendshme

Për shkak të ajrit të jashtëm të ndotur nga gazi toksik, i lëshuar nga trafiku i rënduar, aktiviteti industrial, praktikat bujqësore, djegia e mbeturinave (në Indi) apo edhe nga pluhuri i stuhive të rërës (në Lindjen e Mesme) dhe gjithashtu, për shkak të një ajri “tmerrësisht të ndotur” brenda banesave, sidomos në Afrikë, rreth 3 milionë njerëz në botë, përdorin lëndë të djegshme si qymyr apo kerosen, për të gatuar, për t’u ngrohur apo për të ndriçuar. Gratë dhe fëmijët janë më të ekspozuar ndaj ajrit toksik.

Thuajse totali i këtyre vdekjeve janë numëruar në vende më pak të zhvilluara. “Në mënyrë të qartë, varfëria është e lidhur me ekspozimin më të madh ndaj rreziqeve të mjedisit dhe shëndetësore, thekson OBSH, përfshirë këtu dhe vendet e industrializuara.

Përtej bilancit tmerrësisht të rëndë, në mënyrë të përgjithshme “çdo ditë, afërsisht 93% e fëmijëve thithin një ajër kaq të ndotur, sa i bën të kalojnë rreziqe të mëdha për shëndetin dhe zhvillimin e tyre” , thekson institucioni i Kombeve të Bashkuara. Këta fëmijë, midis të cilëve 650 milionë janë më pak se 5 vjeç, u nënshtrohen niveleve të ndotjes që kalojnë kufijtë mbrojtës të përcaktuar nga OBSH. Për grimcat ndotëse PM 2.5 (me diametër më të vogël se 2.5μg), që janë dhe më të rrezikshmet, pasi depërtojnë thellë në rrugët e frymëmarrjes, OBSH rekomandon një prag prej 10μg/m3 në vit.

Përballë këtij rreziku, edhe në këtë rast, jo të gjithë fëmijët janë të barabartë. Këto nivele shkojnë në 100% të fëmijëve me moshë më të vogël se 5 vjeç në rajonet më të varfra (Afrikë, Lindje e Mesme dhe Azinë e Juglindjes) ndërkohë që kufizohet në 52% në vendet me të ardhura më të larta.

Fëmijët janë shumë herë më të ndjeshëm ndaj ndotjes se të rriturit për tre arsye kryesore: ata marrin më shumë frymë, ndaj përthithin më shumë ndotës; për nga gjatësia e tyre, ata janë më afër tokës ku përqendrimi i ndotësve (shkarkimi i gazrave për shembull) është më i lartë; ata qëndrojnë më shpesh në shtëpi gjatë viteve të para të jetës, në mjedise potencialisht të ndotura. Përveç pasojave të konsiderueshme në termat e vdekshmërisë (përfshirë dhe foshnjat nën 1 vjeç), studimet në raport tregojnë se ndotja e ajrit ka një numër të madh pasojash fatale në shëndetin e fëmijëve që të vegjël e derisa rriten.

Pasojat e para duken që nga “periudha e madhe e ndjeshmërisë” që përfaqëson periudhën e shtatzënisë. Ekspozimi ndaj grimcave ndotëse (PM2.5/PM10), oksidit të azotit (të çliruar kryesisht nga motorët me djegie nafte) dhe dioksidit të sulfurit është i lidhur me rritjen e rreziqeve të lindjeve të parakohshme, të lindjeve të foshnjave të vdekura apo foshnjave me peshë të vogël. Ai ndryshon zhvillimin e fetusit dhe mund të jetë shkaku i çrregullimeve psikomotore apo nervore.

“Prova të forta” që lidhen me autizmin apo mangësitë në përqendrim.
Publikime po aq të forta kanë treguar se, madje edhe në “nivele të ulëta të ekspozimit”, ndotja e ajrit pengon funksionet pulmonare dhe rritjen e tyre, shkakton astma respiratore akute dhe infeksion, duke përfshirë edhe pneumoni.

Marrja e “masave të rrepta”

Sa u tha nuk është e gjitha. Shumë studime të bëra te gratë shtatzëna, të cilat jetojnë afër akseve rrugore të mëdha, tregojnë rrezikun e lartë të leucemisë për fëmijët e tyre. Edhe pse studimet janë më të pakta në fushën e hetimit, ndotja është e lidhur me fenomenin e obezitetit apo të rezistencës ndaj insulinës. Këto ndikime mund të zhvillohen më vonë në forma të ndryshme patologjike, siç është diabeti i tipit 2.

Ky i fundit është një nga përfundimet e rëndësishme të raportit të OBSH: ekspozimi i fëmijëve ndaj ajrit të keq përgjatë periudhës së paralindjes dhe viteve të para të jetës “i bën më të predispozuar” që të zhvillojnë sëmundje pulmonare apo kardiovaskulare, në moshë madhore. Prandaj lind nevoja për të vepruar në kufizimin e ekspozimit ndaj grimcave të ndotura dhe ndotësve të tjerë gjatë kësaj “faze kritike”.

Duke u nisur edhe nga pohimi i Maria Neira, drejtore e departamentit të shëndetit publik dhe mjedisit, OBSH nuk priste ta gjente veten përpara këtyre rezultateve alarmante. “Numri i madh i sëmundjeve dhe i vdekjeve të shkaktuara nga këto zhvillime të reja duhet të përkthehet në një thirrje urgjente për veprim për komunitetin botëror dhe, veçanërisht, për të gjithë ata që punojnë në sektorin e shëndetësisë”. OBSH gjithashtu nxit qeveritë të marrin masa të rrepta për të luftuar ndotjen e ajrit, duke investuar në alternativa ndaj lëndëve djegëse fosile në sektorët më çlirues: industria, transporti ose energjia.

OBSH këshillon që autoritetet publike të ngrenë shkolla dhe fusha sportive larg nga burimet kryesore të ndotjes që janë rrugët e rënduara nga trafiku ose fabrikat. Mesazhi u përsërit gjatë tri ditëve të konferencës botërore, që u hap të martën, më 30 tetor, në selinë e institucionit, në Gjenevë.

“Ndotja atmosferike është një vrasës i padukshëm” në të gjithë Europën.

Përqendrimi i grimcave ndotëse ka shkaktuar rreth 422,000 vdekje të parakohshme në vitin 2015
Agjencia Europiane për Mjedisin (AEE) publikoi më 29 tetor raportin e saj të 2018 mbi cilësinë e ajrit në Europë. Ashtu si ajo e mëparshmja, nuk është fort e sigurt. “Ndotja atmosferike është tepër e lartë në gjithë Europën”, thotë AEE. Dhe europianët e paguajnë me jetën e tyre.

Sipas të dhënave të fundit të mbledhura nga agjencia, përqendrimi i grimcave ndotëse (PM 2,5, me diametër më të vogël se 2,5 mikrometër) janë përgjegjëse për 422000 vdekje të parakohshme (përpara moshës mesatare të jetëgjatësisë) në 41 shtete europiane në vitin 2015, ndër të cilët 391,000 në 28 vende të Bashkimit Europian. Një rënie e lehtë nëse e krahasojmë me 2014-n, ku bilanci i tmerrshëm arriti 399,000 në shkallë Bashkimi Europian. Gjermania po paguan çmimin më të lartë (62300) se Polonia (44,500) dhe Franca (35,800).

“Ndotja atmosferike është një vrasës i padukshëm dhe duhet të përpiqemi shumë fort për të vepruar mbi këtë problematikë”, komenton Hans Bruyninckx, drejtor ekzekutiv i AEE. Z. Bruyninckx i bën thirrje Europës që të “përpiqet dyfish” për të ulur çlirimin e lëshuar nga transporti”, duke i kujtuar se kjo ndotje është më e dëmshme se ajo nga burime të tjera, sepse prodhohen në nivel me tokën dhe shpesh në qytete, në afërsi të popullsisë.

Raporti i AEE është krijuar në bazë të të dhënave të mbledhura nga më shumë se 2500 stacione monitorimi të cilësisë së ajrit nëpër Europë. Analiza e rezultateve të të gjithë vitit 2016 tregon që “pavarësisht përmirësimeve të ngadalta, ndotja atmosferike vazhdon të tejkalojë limitet e vendosura nga Bashkimi Europian dhe Organizata e Botërore e Shëndetit (OBSH), limite të cilat janë vendosur në nivele më pak kërkuese se ato të përcaktuara nga OBSH.

Vlerë “e tejkaluar”

Kështu, për PM 2.5, përqindja e popullsisë urbane të BE-së e ekspozuar ndaj një përqendrimi më të lartë se mesatarja në kufijtë europianë (20 mikrogramë/kub) mesatarisht ishte 6% në 2016, krahasuar me 7% vitin e kaluar. Përqindja rritet në 74% nëse u referohemi normave të OBSH-së, dy herë më shumë mbrojtëse. Vlera vjetore limit vazhdon “të rritet në të gjithë Europën”, për dioksidin e azotit, gaz i cili çlirohet nga motorët me djegie nafte, shkruhet në raport. Ky konstatim vlen edhe për Francën. Ministri i Ekologjisë publikoi, më 26 tetor, bilancin e tij kombëtar të cilësisë së ajrit për 2017.

Ashtu si raporti i AEE, mbi trendin e përmirësimit të përgjithshëm që nga viti 2000, viti 2017 shënon kapërcimin e normave europiane. Bëhet fjalë për 12 aglomerate duke përfshirë Parisin, Lionin dhe Marsejën për NO2 dhe 27 aglomerate për ozonin. Këto tejkalime i kushtojnë Francës një vizitë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian.

Le Monde,  17.11.2018