Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Klientët e lidhur në 20 kilovolt, në treg të lirë në 2019

Flet Entela Çipa, Këshilltare për Energjinë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Klientët e lidhur në tension 20 kilovolt do të njoftohen me shumë gjasa në mes të vitit 2019 për të dalë në treg të lirë dhe për të siguruar të vetëm energjinë. Këshilltarja për Energjinë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Entela Çipa, shprehet se gjasat janë që kjo kategori të avancojë më shpejt me procesin e liberalizimit, për shkak të një sërë karakteristikash që e përkufizojnë, siç është sasia e konsiderueshme e konsumit, si dhe profili i biznesit.

Ajo nënvizon se aktualisht është duke u përfunduar pjesa e instalimeve teknike që kërkon procesi, ndërkohë që nënvizon se ndarja e OSHEE-së sjell në tryezë një tjetër opsion që favorizon liberalizimin. Ndarja e llogarive mes tre kompanive të reja mundëson që furnizuesi i tregut të lirë të marrë përsipër detyrën e furnizimit të klientëve në tregun e parregulluar, duke mos ngarkuar kështu furnizuesin universal.

 

Si ka qenë ecuria e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë nisur me bizneset e lidhura në 35 kilovolt në janar të këtij viti?

 Procesi mund të themi që ka avancuar. Për konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt, kemi sinjale pozitive, sepse tregu në çdo rast të jep efektet e veta, i ndikuar sidomos nga çmimi. Gjithsesi pjesa më e madhe vijojnë të furnizohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në rolin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, sepse kanë deklaruar që nuk kanë gjetur furnizues tjetër. Ligji e ka parashikuar këtë situatë dhe normalisht nuk mund t’i lëmë pa energji, ndaj u është lënë dy vjet kohë që të furnizohen nga OSHEE, por me çmim tregu.

Sipas metodologjisë së miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë, subjektet që kanë detyrimin e daljes në tregun e lirë furnizohen me çmimin e importit të energjisë plus marzhin administrativ, të përcaktuar nga ERE. Thashë edhe më parë që së fundmi kemi disa sinjale pozitive të subjekteve për të dalë në këtë treg të vetëm dhe kjo si rezultat i zhvillimeve që kanë vënë re.

Gjatë fillimit të vitit, duke qenë se koniunktura e çmimit në treg ka qenë e ulët, ata kanë përfituar nga çmimi më i ulët me të cilin u është dhënë energjia, ndërsa në gusht, shtator dhe sipas informacioneve që unë kam, ata kanë pasur çmim shumë të lartë 12.86 lekë/kwh dhe pritet që tetori të jetë ende më i lartë.

Ky çmim ka qenë si efekt i rritjes së çmimit në bursë si në pik, edhe në bandë, çka ka bërë që bizneset të vihen në lëvizje për të gjetur furnizues të rinj. Në total, numri i subjekteve që kanë dalë në treg të lirë është 12-15, disa janë në proces, ndaj shifra është e luhatshme. Kemi disa lëvizje këto javët e fundit, konsumatorë të tjerë që po kërkojnë të ndryshojnë furnizuesin dhe mendojmë se tregu do t’i japë efektet e veta dhe do të gjejnë furnizues.

Ky është një proces në vijim dhe duhet pak kohë të mësohesh me një treg të lirë kur më herët ishte i rregulluar. Vendet e tjera nuk e kanë bërë menjëherë. Këto biznese të lidhura në 35 kilovolt kanë edhe një vit kohë për t’u furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit. Ata janë njoftuar në janar 2018 dhe kanë kohë deri në dhjetor 2020 për të dalë në treg me një furnizues tjetër që nuk është OSHEE.

Pjesë e liberalizimit është edhe grupi i subjekteve të lidhura në tensionin 20 kilovolt. A është gati infrastruktura e nevojshme për të vijuar me këtë grup dhe si e shihni procesin, duke e krahasuar me atë të grupit 35 kilovolt?

Sipas informacioneve më të fundit nga OST, projekti po ecën me shumë prioritet. Projekti i Bankës Botërore ka nisur në fillim të këtij vit. Kontrata është lidhur në shtator dhe është bërë efektive. Ka nisur lëvrimi i materialeve. Po flasim për gjithë tensionin e mesëm, pasi po fillohet me shkallë. Ka përfunduar dërgimi i sistemit të matjes dhe ka ardhur sasia e planifikuar për matësit.

Është instaluar data center dhe pjesa e hardware. Javën tjetër fillon dhe software. Janë instaluar deri tani 11 matës. Këto janë shifrat e fundit nga OST për konsumatorët në 20 KV dhe, deri nga fundi i javës tjetër, parashikohen që të instalohen edhe 10 matës të tjerë. Mund të themi që konsumatorët e parë në 20 kilovolt, rreth 350 të tillë, do të përfundojnë brenda 4-6 muajsh sipas programit. Edhe në këtë rast, po ndiqet një logjikë, duke instaluar fillimisht pajisjet tek ata që kanë më shumë mundësi që të realizojnë fazën e parë të instalimit të sistemit të matjes dhe më pas, me procedurat e tjera.

Nga situata që kemi sot, kur parashikoni të nisë dalja në tregun e lirë e konsumatorëve të lidhur në tension 20 kilovolt?

 Nga momenti që OST dhe OSHEE njofton se ka përfunduar sistemi dhe gjithë ana teknike, si dhe të jetë kolauduar projekti, mund të bëhet njoftimi për subjektet të cilave u lihet dy muaj kohë për procedurat dhe gjetjen e furnizuesit. Nëse ata nuk ia dalin, nis pjesa e dytë ku ata furnizohen nga OSHEE si Furnizues i Mundësisë së Fundit për një periudhë tranzitore dyvjeçare.

Ne mendojmë që brenda 6-mujorit të parë të 2019-s të bëhet njoftimi për konsumatorët në 20 kv për të dalë në treg të lirë, sigurisht nëse do të kemi ecuri të mirë të zbatimit të projektit. Nëse ka probleme të tjera teknike, pasi janë gjëra të reja, për ne sigurisht mund të ketë ndonjë vonesë. Pjesë e procesit do të jenë edhe takimet me këtë grup interesi, duke ndjekur të njëjtën formulë që u ndoq edhe me 35 kilovoltëshin. Do të ketë fushatë sensibilizuese dhe të qartësohet kjo kategori, pasi duhet të kemi parasysh që subjektet e lidhur në 20 kilovolt janë hallka kryesore e gjithë këtij sistemi. Janë konsumatorë vërtetë të mëdhenj dhe të rëndësishëm për ekonominë.

Kryesisht, në çfarë sektorësh operojnë kompanitë e lidhura në 20 kilovolt?

Janë të gjithë prodhues dhe të fokusuar kryesisht tek autostrada Tiranë-Durrës. Të gjithë bizneset e mëdha, pjesa më e madhe e tyre janë të lidhur në këtë nivel tensioni, pra 20 kv. Janë konsumatorë seriozë dhe që përbëjnë nga pikëpamja ekonomike kontribuuesit më të mëdhenj dhe kjo është arsyeja që duhet që t’i sensibilizojmë dhe qartësojmë përmes organizimit të takimeve pasi projekti po avancon teknikisht. Këta konsumatorë duhet të dinë për mundësitë që kanë në treg, për mënyrën sesi do të vijojë procesi që kur të vijë koha, ata të jenë të përgatitur.

Po nëse kalojmë në kahun tjetër, atë të furnizuesve, si shfaqet kjo situatë, a e përkrahin ata idenë e liberalizimit, a ka mjaftueshëm mundësi në treg për të përballuar fluksin që do të vijë me daljen e subjekteve në 20 kv?

 Furnizuesit janë më të avancuar në treg, sidomos një pjesë e tyre sepse të licencuar ka mbi 80, sot aktualisht si furnizues, por të paktën 10 prej atyre që operojnë në treg janë vërtet furnizues me përvojë të materializuar dhe që kanë vite në tregun shqiptar. Janë me partner kompani ndërkombëtare të njohura për rajonin dhe avangardë për sa i takon organizimit. Problemi në këtë proces nuk është me furnizuesit por me konsumatorët. Te konsumatorët 35 kilovolt u shfaq një situatë që lidhet përveçse me pjesën e mungesës së informacionit, edhe me sasinë e pakët që konsumojnë ata. Kjo vetvetiu i bën të painteresuar furnizuesit, pasi sasitë janë të ulëta.

Si e prisni reagimin e atyre që janë të lidhur në 20 kilovolt në raport me ata në 35 kilovolt. A keni pritshmëri më pozitive apo më negative për të dalë më shpejt në treg dhe për të siguruar energji përmes një furnizuesi privat dhe jo përmes OSHEE?

Mendoj se do të jetë më i avancuar 20 kilovolt, sepse rritet dhe sasia që kërkohet, çka bën që të ketë më shumë interes nga furnizuesit. Gjasat për t’u grupuar disa subjekte bashkë janë më të mëdha për disa arsye. Te grupi i konsumatorëve të lidhur në 35 kilovolt, numri i atyre në treg të lirë është i vogël, janë të shpërndarë jo vetëm gjeografikisht, por edhe natyra e biznesit është shumë e ndryshme, për të mos folur pastaj që një pjesë e këtyre subjekteve janë buxhetorë me problematika të shumta. Mendoj që grupi i lidhur në 20 kilovolt do të ketë më shumë mundësi grupimi, sepse baza dhe grafiku i konsumit, si dhe ngarkesa është e ngjashme. Po kështu do të kuptojnë që kur bëhen shumë, rritet sasia që kërkohet, çka mund t’ju sigurojë edhe një çmim më të mirë.

Po e shohim me përparësi këtë proces, por stepja e parë ka qenë e qartë në çdo vend që e ka marrë si reformë. Nëse del edhe 20 kilovoltëshi, na mbetet vetëm grupi i lidhur në 10 dhe 6 kilovolt, që edhe atë do ta zbatojmë. Të gjithë do të ketë afatin tranzitor dy vjet nga koha kur marrin njoftimin. Ne e kemi ditur që faza e parë është ajo e hezitimit, çka po ezaurohet me grupin e parë 35 kilovolt, ajo që presim është një reagim më i mirë nga grupet e tjera që do t’i bashkohen procesit të liberalizimit.

Sekretariati i Energjisë, në raportet e tij periodike për rajonin e Ballkanit Perëndimor, në pjesën për Shqipërinë ka nënvizuar vazhdimisht pjesën e liberalizimit dhe ndarjen e OSHEE. Cila është përshtypja e fundit që keni marrë nga ky institucion lidhur me sektorin dhe reformën?

Sekretariati në këtë pjesë është treguar i mirëkuptueshëm, madje ata kanë shkuar edhe më tej me propozimin, duke u shprehur se nëse ti i siguron furnizim përmes një furnizuesi tjetër, që nuk është OSHEE, s’ka problem nëse ai është shtetëror. Për ata, problemi në proces është që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të mos jetë furnizues universal.

Te struktura e re e ndarjes së OSHEE, është një kompani që quhet furnizues i tregut të lirë dhe sipas Sekretariatit, nuk ka asnjë problem që të deklarohet që kategoria e klientëve të nxjerrë në tregun e parregulluar, furnizohet nga furnizuesi i tregut të lirë, pra nuk rëndohet furnizuesi universal që është i ngarkuar për detyrimin e shërbimit publik si furnizues i mundësisë së fundit. Në rast se realizohet ndarja efektive që klientët e lidhur në 35 apo 20 kilovolt, ata të furnizohen nga furnizuesi i lirë, paçka se aksionet i zotëron shteti, por llogaritë janë të ndara, pra kemi një shoqëri më vete gjithçka është në rregull. Por për të pasur këto shoqëri me vete duhet të bëhet ndarja fizike e tyre, që bën dhe ndarjen e bilanceve dhe vlerësimit ekonomik të aseteve.

Për këtë është marrë një konsulent, por është një proces shumë i vështirë, që as çekët në kohën e CEZ nuk e bënë dot. Pjesa më e vështirë është vlerësimi i aseteve, pasi ka nevojë edhe për identifikim në terren dhe ka më shumë se 10 vjet që nuk bëhet diçka e tillë. Nëse krijohet dhe bëhet efektive kjo ndarje, krijohet edhe njësia që automatikisht e bën liberalizimin një hallkë të kryer. Modele ku kompanitë shtetërore bëjnë rolin edhe të furnizuesit për klientët në tregun e parregulluar ka plot, siç është ENEL për shembull. Sigurisht, qeverisja e korporatave në këto kompani është në nivele shumë të larta.

Monitor,  17.11.2018