Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, ndërtimi dhe hoteleria zgjerojnë fondin e pagave

Sektori i prodhimit të energjisë, ai i hotelerisë dhe ndërtimit zgjeruan fondin  e pagave për punonjësit me ritme dyshifrore në dallim me sektorët e tjerë të ekonomisë në tremujorin e dytë.

Sipas të dhënave të INSTAT, fondi i pagave në sektorin e prodhimit të energjisë shënoi rritje vjetore me 18.9% në tremujorin e dytë të vitit.

Fondi i pagave u rrit gjithashtu me 14.2% në sektorin e hotelerisë dhe 13.7% në sektorin e ndërtimit.

Në të kundërt, fondi i pagave pësoi rënie në krahasim me një vit më parë, në sektorët e tregtisë dhe aktiviteteve  inxhinierike.

Ecuria e fondit të pagave sipas sektorëve duket se ka ecur në linjë të drejtë me rritjen e këtyre sektorëve. Reshjet e bollshme dhe rritja me ritme dyshifrore e turistëve kanë ndikuar pozitivisht në aktivitetin e prodhuesve të energjisë dhe të hoteleve.

Sektori i ndërtimit gjithashtu është futur në një epokë lulëzimi prej rritjes së numrit të lejeve me rreth 62% në të gjithë vendin dhe kryesisht në Tiranë, duke bërë që fondi i pagave të vijë në rritje edhe për këtë sektor.

Pagat kanë ndjekur gjithashtu edhe zhvillimet në sektorin e tregtisë. Fondi i rrogave në bizneset që merren me tregti ra me 0.2% në prill-qershor. Rënia e konsumit dhe konkurrenca e ashpër e qendrave tregtare ka sjellë vështirësi sidomos për bizneset e vogla të sektorit të tregtisë. Vetëm vitin e kaluar u numëruan 10 mijë kontribuues më pak në skemën e pensioneve nga sektori i biznesit të vogël. Tregtia vijon të jetë një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend pas bujqësisë dhe shërbimeve me rreth 24% të totalit të punësimeve në vend.

Mirëpo rritja e fondit të pagave sipas sektorëve, jo domosdoshmërisht është përkthyer në rritje individuale të pagave për punonjësit e sektorit të energjisë, hotelerisë dhe ndërtimit. Në një masë të madhe, shpenzimet për paga në sektor erdhën si pasojë e rritjes së numrit të punonjësve në këto aktivitete.

Sipas të dhënave më të fundit paga mesatare në ekonomi i u ul në janar-mars 2018 me 3% ose 1468 lekë më pak.

Kështu pagesa mesatare mujore për një të punësuar në Shqipëri arriti në 49,145 lekë nga 50,614 lekë që ishte në fund të vitit 2018.

Punësimi në Shqipëri po përmirësohet, por vendet e reja të punës janë me produktivitet të ulët. Banka e Botërore zhvilloi një anketë për shpërndarjen e vendeve të reja të punës në periudhën 2014-2016 dhe gjeti se rritja e punësimit ishte e shoqëruar me një ofertë punë që kërkon kualifikim shumë të ulët.

Revista Monitor,  02.10.2018