Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Parku më i madh fotovoltaik i Ballkanit në Akërni, MIE takim me investitorët potencialë

Në fillim të gushtit, Ministria për Infrastukturën dhe Energjinë njoftoi hapjen e garës për parkun më të madh fotovoltaik në vend me një kapacitet gjenerues të instaluar prej 50 MW. Por kur kanë mbetur rreth tre javë nga afati i fundit për paraqitjen e ofertës nga investitorët potencialë, Ministria ka njoftuar për një takim paraprak dhe vizitë në terren në zonën e Akërnisë Vlorë, ku është planfikuar ndërtimi i këtij parku. Në një njoftim zyrtar, Ministria bëri me dije se investitorët potencialë mund të marrin pjesë në këtë vizitë në terren ku do tju jepen edhe detaje shtesë për projektin.

“Është parashikuar një takim para-ofertës dhe vizitë në terren, e cila do të zhvillohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim informimin e ofertuesve mbi disa detaje konkrete të projekt-idesë, objekt i Procesit Konkurrues në fjalë. MIE informon të gjithë ofertuesit e mundshëm, që kanë bërë pagesën e pjesëmarrjes në Procesin Konkurrues, që takimi i para-ofertës dhe nisja për në terren do të bëhet nga MIE (godina qendrore, me adresë Rr. “Abdi Toptani”, Nr.1), në datën 27 Gusht 2018. Nga ora 10.00 (a.m) – 10:30 (a.m) do të bëhet takimi dhe regjistrimi i pjesëmarrësve, dhe në orën 10:30 (a.m) nisja për në terren sipas përcaktimit të mëposhtëm” njoftoi ministria.

Ofertat nga ana e investitorëve të interesuar duhet të paraqiten pranë MIE jo më vonë se data 17 shtator. Parku fotovoltaik në Akërni është ndër më të mëdhenjtë edhe në rajon për nga kapaciteti i parashikuar dhe llogaritet të ketë një kosto prej 70 milionë eurosh. Kjo është procedura e parë e kësaj natyre, që mbahet nga ana e qeverisë, ndërkohë që përgjatë gjithë procesin kjo e fundit u asistua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Parku fotovoltaik në Akërni nuk pritet të jetë pjesë e politikave mbështetëse të qeverisë e zbatuar kjo në disa raste për impiante më të vogla deri në 2 MW ku është parashikuar çmim preferencial prej 100 euro MW. Ky impiant do të trajtohet si një aktor normal në tregun e energjisë që mund të tregojë lirshëm sasinë që prodhon dhe që çmimin do ta vendosë oferta dhe kërkesa.

Revista Monitor,  24.08.2018