Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Balancohen financat e energjisë, OST paguan për mbulimin e humbjeve

Rreth 575 mijë euro i ka kushtuar Operatorit të Sistemit të Transmetimit mbulimi i humbjeve në rrjet për muajin gusht. Shuma totale i takon rezultateve zyrtare të tenderit, të publikuar nga OST për 4 javët e fundit e më konkretisht nga data 30 korrik, deri në datën 26 gusht. Vlerën më të madhe e ka përfituar Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, ndërkohë që përfitues janë edhe disa nga operatorët e tjerë të regjistruar si palë ofruese e shërbimeve balancuese.

Sipas rregullores në fuqi, pjesëmarrësit e tregut që veprojnë si ofrues të shërbimeve të balancimit ose palë përgjegjëse për balancim, duhet të paguajnë ose të pranojnë pagesat që rezultojnë nga përllogaritjet e mekanizmit balancues. Ndërkohë që, është përgjegjësi e OST-së të mirëmbajë sistemin në balancë. Sistemi i OST konsiderohet në disbalancë kur OST ka tepricë apo mungesë të energjisë elektrike dhe është pikërisht ai që ndërmerr masat që sistemi të operojë në balancë.

Këto masa mund të përfshijnë rregullimin për ulje, përfshirë: uljen e prodhimit të gjeneratorit ose ngritjen e konsumit apo të shkëmbejë balancim ndërkufitar kur sistemi ka teprica apo është i gjatë. Masa tjetër parashikon rregullimin për ngritje, përfshirë: ngritjen e prodhimit të gjeneratorit ose uljen e konsumit apo shkëmbimin e balancimit ndërkufitar kur sistemi ka mungesa apo është i shkurtër. Disbalancat llogariten nga OST për çdo periudhë llogaritëse, për çdo palë përgjegjëse të balancimit.

Scan Tv,  24.08.2018