Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Të liberalizuarëve” u shtrenjtohet energjia për shkak të metodologjisë

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar tarifën e energjisë për muajin qershor, për grupin e atyre që kishin detyrimin e daljes në tregun e parregulluar dhe që, për shkak të mosgjetjes së furnizuesit, po e marrin këtë shërbim ende nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Bëhet fjalë për të gjithë bizneset e lidhura në 35 kilovolt që, sipas ndryshimeve ligjore të shkurtit, do të vijojnë të furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit deri në dy vjet nga data kur janë njoftuar për detyrimin e daljes në tregun e parregulluar. Aktualisht, numri i subjekteve që kishin këtë detyrim është mes 75-80 dhe vetëm 7 prej tyre kanë gjetur sot furnizues, pjesa tjetër e marrin energjinë nga OSHEE.

Sipas metodologjisë së vjetër, e cila përfshinte përllogaritjen deri në qershor, kompania e shpërndarjes duhet të aplikonte çmimin me të cilin ble energjinë, plus 10% që i shërben asaj për të përballuar kostot e shërbimit që po ofron. Në aplikimin e qershorit, OSHEE ka kërkuar që çdo kilovat të tarifohej me 9.82 lekë.

Shtrenjtohet çmimi në qershor

Ashtu sikurse pritej, muaji i parë i verës rezulton me një çmim më të kripur për “të liberalizuarit” sesa periudha shkurt-maj. ERE miratoi çmimin për qershorin, sipas kërkesës së OSHEE, në 9.82 lekë/kwh ndërkohë që për shkurt-maj, ERE vendosi një çmim dysheme prej 9.5 lekësh, edhe pse aplikimet e kompanisë së shpërndarjes ishin nën këtë nivel.

Pasi ka miratuar çmimin e ri në vendimin e 28 qershorit, Enti, ka theksuar edhe një herë se nga ana e kompanisë së shpërndarjes nuk është bërë ende ndarja e kostove që ka Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për këtë pjesë shërbimi, çka mund të bëjë që kostot t’i mbajnë konsumatorët fundorë.

“Kjo praktikë mund të rezultojë në favorizim të klientëve të FMF nëpërmjet transferimit të kostove të tyre te kostot e shitjes me pakicë të energjisë elektrike, për klientët e tjerë fundorë që furnizohen nga FSHU. Rrjedhimisht, u konstatua se, me përjashtim të muajit janar 2018, kostot e raportuara nga OSHE/FMF gjatë periudhës janar – maj rezultuan më të ulëta se sa çmimet me pakicë për klientët fundorë të furnizuar në atë nivel tensioni nga FSHU, kur këto çmime me pakicë, kanë përfaqësuar kostot reale të shërbimit të Shoqërisë”, thuhet në vendimin e ERE-s.

Furnizuesi i Mundësisë së Fundit nxori për disa muaj çmime të ndryshme në varësi të blerjeve që bënte në treg, ku për janarin u llogarit dhe aplikua një tarifë 11.6 lekë/kwh, për shkurtin 8.86 lekë/kwh, për marsin 7.74 lekë/kwh, për prillin 7.67 lekë/kwh dhe majin 7.86 lekë/kwh.

Me përjashtim të janarit që u la 11.6 lekë/kwh, muajt e tjerë shkurt-maj patën një tarifë 9.5 lekë që ERE e konsideroi të përshtatshme dhe njëkohësisht paralajmëroi për ndryshim të metodologjisë sesi bëhet llogaritja, e cila u miratua po në fund të qershorit.

Në korrik, çmimi 11-12 lekë/kwh, hyn në fuqi metodologjia e re

Deri në qershor, përllogaritja e çmimit me të cilin Furnizuesi i Mundësisë së Fundit e shiste energjinë te kompanitë bëhej sipas formulës që përfshinte koston direkte të furnizimit me pakicë, shtuar 10% të çmimit maksimal të blerjes së energjisë për periudhën e furnizimit plus tarifën e transmetimit dhe shpërndarjes, si dhe disa elemente të tjera të lidhura me kthimin e riskut.

Me metodologjinë e re, e cila ka hyrë në fuqi, për korrikun, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën një përllogaritje të përafërt që tarifa të jetë diku mes 11-12 lekëve, për shkak të mënyrës sesi është konceptuar formula e re nga Enti.

Tashmë nga kjo formulë është hequr pjesa e 10 përqindëshit të çmimit final të furnizimit dhe janë shtuar specifikime të tjera si çmimi maksimal i blerjes së energjisë për periudhën e furnizimit nga tregu i parregulluar, ose blerja nga prodhuesit me përparësi (BRE), si dhe pjesa e kthimit për riskun që për dy vitet e para do të pranohet 3%.

Liberalizimi “dështoi” në fazën e parë, tani dy vite fazë tranzitore

Bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt u njoftuan nga OSHEE më 1 janar 2018, se duhet të siguronin të vetëm energjinë, pasi ky ishte një detyrim ligjor që e përcaktonte modeli i ri i tregut. Por dy muajt e parë, OSHEE mund të bënte furnizimin përmes opsionit të mundësisë së fundit, duke ju shitur atyre energjinë me çmimin e tregut, plus marzhin e riskut. Në fakt, liberalizimi dështoi, pasi bizneset që gjetën një furnizues, numërohen me gishtat e dorës. Duke parë këtë situatë, MIE vendosi që të shtynte afatin tranzitor, ku OSHEE do të sigurojë energjinë për këto biznese.

Me afatin e ri, bizneset e lidhura në 35 kilovolt kanë tashmë kohë deri më 31 dhjetor 2019 për të dalë në treg të lirë. Kjo do të thotë që deri në këtë datë do të furnizohen me energji nga OSHEE, me çmime tregu plus një tarifë shtesë prej 10%. Cilido prej tyre që ndihet i gatshëm për të dalë në çdo moment, gjatë kësaj periudhe, mund ta bëjë pa problem, por ata nuk rrezikojnë me ndërprerjen e energjisë, nëse nuk gjejnë furnitor alternativ.

Për bizneset e lidhura në tension 20 kilovolt është duke u përpunuar pjesa e instalimeve teknike dhe investimeve që mundësojnë daljen në tregun e lirë. Këto investime pritet që të përfundojnë në fund të 2018-s, çka bën që më 1 janar 2019 me shumë gjasa ato të marrin njoftimin nga ana e OSHEE-së për shkëputje dhe për të siguruar vetë energjinë. Për këto biznese, OSHEE do të sigurojë furnizim me çmim tregu plus 10% deri më 31 dhjetor 2020. E njëjta situatë do të vlejë edhe për bizneset e lidhura në 10 dhe 6 kilovolt.

Revista Monitor,  12.07.2018