Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Problemi me kabinat, 51.3% nuk janë në pronësi të OSHEE

Jo të pakta janë rastet kur defektet në kabina elektrike private duan kohë për të marrë zgjidhje duke lënë pa energji për një kohë të gjatë konsumatorët. Kjo lidhet me një ngërç të përgjithshëm në sistemin tonë energjetik, ku pjesa më e madhe e kabinave si për ironi nuk janë në pronësi të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Një çështje e tillë u ngrit edhe gjatë diskutimit të raportit të Entit Rregullator të Energjisë në Kuvend dhe kjo tashmë është reflektuar edhe tek detyrat që i janë lënë këtij institucioni për zbatim në vitin aktual.

Edhe pse ERE nuk është drejtpërdrejt e përfshirë në këtë hallkë, kërkesa e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave është që të nxitet OSHEE dhe institucionet e tjera të gjejnë zgjidhje.

“Në bashkëpunim me OSHEE dhe institucionet përgjegjëse të marrë masa për zgjidhjen e problemit të pronësisë të kabinave elektrike, 51,3% e të cilave nuk janë në pronësi të OSHEE, duke krijuar kështu pengesa për të drejtën e ndërhyrjes dhe kryerjen e shpenzimeve financiare nga ana e OSHEE në rastet e nevojshme, si dhe të propozojë ndryshimet e nevojshme në legjislacion për zgjidhjen e këtij problemi në të ardhmen” thuhet në rezolutën e miratuar për këtë institucion.

Në rastet e kabinave private, të cilat kanë pësuar defekte OSHEE ka ndjekur një procedurë standard, ku janë mbledhur firmat e atyre që konsiderohen pronarë, të cilët kalojnë të drejtën e kabinës në pronësi të kompanisë duke bërë kështu të mundur më pas edhe ndërhyrjet. Dukuria e kabinave private është evidente, sidomos në zonat me ndërtime të reja informale, ku lidhjet janë bërë në mënyrë të jashtëligjshme dhe blerja e instalimi i kabinave gjithashtu.

Kuvendi ka lënë gjithashtu ERE-s detyrë që të nxisë OSHEE-në për vënien sa më shpejt në punë të sistemit të ri të faturimit i cili matjen e energjisë dhe krijon mundësi dhe opsione të reja të nevojshme, duke përshirë edhe matjen periodike disamujore, si dhe përfshirjen në kontratën tip për vitin 2019 të kësaj mënyre matje.

Revista Monitor,  16.06.2018