Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia për të liberalizuarit: 9.5 lekë edhe për prillin

Ashtu siç pritej Enti Rregullator i Energjisë edhe për muajin prill vendosi që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) të tarifojë bizneset e lidhura në 35 kilovolt, me një çmim fiks 9.5 lekë/kwh. Ky çmim është 39 për qind më i lartë se çmimi me të cilën OSHEE si Furnizues i Mundësisë së Fundit siguroi energjinë nga tregu i lirë. Në argumentin e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) ashtu si më herët thuhet se kompania e shpërndarjes nuk ka mundur të argumentojë se kostot e saj reale janë ato.

“Të dhënat e paraqitura nga OSHEE sh.a. në këtë aplikim u krahasuan me raportimet e OSHEE sh.a. mbi blerjen e energjisë në treg të parregulluar për muajin Prill 2018 të dërguar në ERE paraprakisht këtij aplikimi. Çmimi maksimal i blerjes së energjisë në treg të parregulluar për muajin Prill 2018 rezulton 31.79 Euro/MWh. OSHEE sh.a, me gjithë komunikimet e vazhdueshme të zhvilluara në kuadër të procesit të nisur mbi miratimin e çmimit të shitjes për klientët e FMF për periudhën Janar – Mars 2018 nuk ka mundur të paraqesë informacion mbi koston e disbalancave për njësi të energjisë së furnizuar në rolin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit edhe për muajin Prill 2018” thuhet në vendimin e Bordit të Komisionerëve pranë ERE”.

Ky institucion ka këmbëngulur se aplikimi i OSHEE ku çmimi i furnizimit me energji elektrike nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit rezulton 6.85 lek/kWh  nuk është i plotë.

OSHEE argumenton tarifat janar-prill

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bëri me dije për “Monitor” se në bazë të detyrimit që ka si Furnizues i Mundësisë së Fundit ka bërë blerjen e energjisë për periudhën janar-prill 2018 dhe muaj pas muaji tarifat kanë rezultuar në nivel të ndryshëm. Kështu për janarin OSHEE ka llogaritur një tarifë 11.6 lekë.këh, për shkurtin 8.86 lekë.kwh për marsin 7.74 lekë/kwh dhe prillin 7.67lekë/kwh dhe maji 7.86 lekë. (Për majin ERE ende s’ka vendosur për tarifën e rishikuar).

“OSHEE ka faturuar abonetet e saj FMF per muajin janar dhe shkurt 2018 me çmimet e përcaktuar si mësipër dhe ka njoftuar ERE-n në lidhje me kostot analitike për periudhën Janar – Mars 2018. Në përputhje me metodologjië, ERE pasi vlerëson kostot ka të drejtën e përditësimit të çmimit të shitjes.

Elementi i diskutueshëm në lidhjë më kostot, lidhet me kostot operative. Në prezantimin e saj me shkresen nr.2494/3, datë 08/03/2018, OSHEE ka deklaruar vlerën e kostove operative për njësi prej 0.544 lek/kwh. Kjo vlerë është detajuar në të gjitha infornmacionet që OSHEE ka dërguar në lidhje me aplikimet për tarife për vitin 2018. Informacion është prezantuar së fundmi në seancën e mbajtuar ne ERE në datë 20 prill 2018. Në këtë seance iu ri-kërkuar edhe një herë Entit Rregullator miratimi i tarifës së aksesit për përdorimin e rrjetit 35 kv prej një vlere 2.32 lek/kwh” nënvizon OSHEE.

Nga ana tjetër kompania e shpërndarjes ka bërë një përllogaritje për të nxjerë koston për njësi që është kërkuar vazhdimisht nga ERE.

“Totali shpenzimeve operative të Furnizuesit të Shërbimit Universal dhe njëkohësisht Furnizues i Mundësisë së Fundit është 2,614,889,000 lek dhe në raport me sasinë totale të energjisë së planifikuar për t’u shitur për vitin 2018 prej 4,803,209,000 Kwh përcakton një vlerë prej 0.544 lek/kwh. Sëbashku me këtë prezantim është paraqitur edhe metodologjia e ndarjes së shpenzimeve (shpenzime materiale dhe konsumi, shpenzime personeli, mirembajtje, penalitete dhe gjoba, marrëdhenie me publikun, qera, shpenzime IT, shpenzime ligjore dhe shpenzime te tjera) si dhe vlerat e parashikuar dhe peshat përkatëse. Pra ERE është e informuar në detaj në lidhje me shpernzimet operative të FSHU/FMF” sqaron OSHEE.

Të njëjtin argumentim kompania e shpërndarjes bën edhe për pjesën e disbalancave duke dalë në përfundimin se ky efekt në këtë grup është 0.1 lekë.kwh. Kompania pas miratimit të tarifës së rishikuar nga ERE ka anulluar faturat e muajit shkurt duke i rifaturuar subjektet me çmimin e ri të vendosur nga ERE. Në vijim OSHEE theksoi se është në pritje të miratimit të tarifave të aksesit.

“Në këtë kuadër edhe tarifa e përdormit të rrjetit 35 kv duhet të jetë 2.32 lek/Kwh. Me këtë tarife përdorimi të rrjetit edhe kostot që do të përcaktojne cmimin final të klienteve FMF 35 kv do të jenë mesatarisht 9.22 lek/Kwh (me metoden e kostove) ose 9.57 lek/kwh (sipas metodologjise së përcaktuar nga ERE)” nënvizon OSHEE.

Bazuar në metodologjinë e miratuar, çmimi i shitjes së energjisë elektrike për këta klientë duhet të ishte si në tabelën më poshtë, referon OSHEE:

 

ERE po rishikon metodologjinë

Muaji prill ishte muaji i tretë për të cilët ERE vendos një çmim prej 9.5 lekë për konsumatorët e lidhur në tensionin 35 kilovolt që sipas kuadrit ligjor duhet të kishin dalë në treg të lirë dhe të siguronin të vetëm energjinë.

Enti Rregullator i Energjisë bëri me dije pak kohë më parë në një prononcim për “Monitor” se sipas kuadrit supozohej që Furnizuesi i Mundësisë së Fundit të siguronte energjinë me një afat jo më shumë se dy muaj për klientët që dilnin në tregun e parregulluar. Fakti që tashmë periudha e tranzicionit u shty me dy vjet do të kërkojë një metodologji të re e cila do të përcaktojë saktë edhe mënyrën sesi do të përcaktohet çmimi i energjisë në vijim.

Revista Monitor,  08.05.2018